Meta fakt: Ende në pritje të subvencioneve nga qeveria e RMV-së për blerjen e automjeteve hibride dhe elektrike

Në buxhetin e shtetit për vitin 2023 nuk janë paraparë mjete financiare për subvencione për qytetarët për blerjen e automjeteve hibride dhe elektrike, ndonëse një premtim të tillë qeveria maqedonase e ka bërë në fund të vitit 2018. Më 15 nëntor 2018, qeveria premtoi futjen e subvencioneve për blerjen e automjeteve elektrike dhe hibride, me afat për zbatim në vitin 2019 dhe 2020, si një nga masat në transport për uljen e ndotjes së ajrit. Ky premtim është deklaruar në Programin për reduktimin e ndotjes së ajrit të Qeverisë së RMV-së dhe nuk është realizuar deri më sot, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Qeveria e Maqedonisë më 15 nëntor 2018 prezantoi planin dhe programin për reduktimin e ndotjes së ajrit në vend, zbatimi i të cilit ishte paraparë të bëhej prioritet strategjik i qeverisë nga viti 2019. Programi për Reduktimin e ndotjes së ajrit, në faqen 4, thotë se do të zbatohet në vitin 2019 dhe 2020 në të gjitha segmentet.

Në faqen e gjashtë të Programit për zvogëlimin e ndotjes së ajrit premtohen ndryshime në Ligjin për automjete, ku ndër të tjera do të parashikohen subvencione për blerjen e automjeteve elektrike dhe hibride.

Me Programin për subvencionimin e blerjes së automjeteve të reja hibride dhe elektrike, të shpallur më 10 nëntor 2018, zëvendësministri i atëhershëm i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli, siguroi subvencione për qytetarët në vlerë prej 5.000 euro në denarë për blerjen e veturave elektrike, si dhe 3.000 për blerjen e veturës hibride. Madje, në vitin e parë ai bëri ditur se është planifikuar të jepen subvencione për 200 vetura.

Edhe përkundër këtij premtimi nga Programi për reduktimin e ndotjes së ajrit dhe deklaratave të zyrtarëve qeveritarë, subvencionet e paralajmëruara për blerjen e automjeteve hibride dhe elektrike nuk janë realizuar në realitet as edhe një herë në periudhën nga viti 2019 e deri më sot.

Nga Ministria e Ekonomisë për Meta.mk sqarojnë se në buxhetin e shtetit për vitin 2023 nuk janë përfshirë mjetet financiare për subvencione për qytetarët që planifikojnë të blejnë vetura hibride apo elektrike.

Në pyetjen se pse nuk janë subvencionet e paralajmëruara, Ministria e Ekonomisë drejton gishtin nga Kuvendi i RMV-së.

“Sipas njoftimit nga viti 2018, Ministria e Ekonomisë në vitin 2019 ka përgatitur një projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete, i cili parashikonte program subvencionimi për blerjen e automjeteve elektrike. Projektligji u ndryshua në procedurë parlamentare dhe nga teksti i të njëjtit u Programi për subvencionimin për blerjen e veturave elektrike”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Nga kjo ministri sqarojnë se sivjet kanë dorëzuar në Qeveri një Propozim-iniciativë për Programin vjetor të punës së Qeverisë për vitin 2023 (“Programi për subvencionimin e blerjes së veturave të reja hibride dhe elektrike për vitin 2023”), me shpresë se Ligji për automjete do të jetë i ndryshuar dhe do të inkorporojë Programin e përmendur për subvencionimin e blerjes së automjeteve të reja hibride dhe elektrike.

“Programi parashikonte mjete në vlerë prej 240.000.000 denarë. Parashikohej që të subvencionohet një shumë prej 3.000 euro në denarë për blerjen e hibridëve dhe një shumë prej 5.000 euro në denarë për blerjen e automjeteve elektrike”, thonë nga Ministria e Ekonomisë për propozimin e tyre.

Meta.mk, në shkurt të vitit 2021, shkroi për përdorimin e veturave elektrike në vend, e më pas mediat theksuan se përfitimi i vetëm për qytetarët me Ligjin e ri për tatimin e veturave motorike që ka hyrë në fuqi më 1 janar 2020, është se veturat elektrike përjashtohen nga taksa e posaçme për mjetet motorike, ndërsa për veturat hibride qytetarët përjashtohen nga pagimi i 50 për qind të taksës.

Duke marrë parasysh faktin se në Programin për reduktimin e ndotjes së ajrit, thuhet se të gjitha masat e përmendura do të zbatohen në vitin 2019 dhe 2020 në të gjitha segmentet, përfshirë edhe masën për futjen e subvencioneve për blerjen e automjeteve elektrike dhe hibride në vend, mund të konkludojmë se një premtim i tillë i qeverisë nuk është realizuar deri më sot.

BURIMET

Programi për uljen e ndotjes së ajrit të Qeverisë së RMV-së, verifikuar më: 20.12.2022;

Uebfaqja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (11.10.2018): Me ligjin e ri për vetura, futen etiketat ekologjike dhe subvencionet për veturat elektrike dhe hibride, verifikuar më 20.12.2022;

Faqja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (15 nëntor 2018): Makraduli: Plani për ajër të pastër është prioritet strategjik i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për veprim të përbashkët dhe të ardhme të shëndetshme, verifikuar më 20 dhjetor 2022;

Meta.mk (24 shkurt 2021): Të gjithë flasin për ndotjen e ajrit, veturat elektrike rrallë kush i përdorë [multimedia], verifikuar më 20 dhjetor 2022.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button