Daktilografja e kampit nazist u shpall fajtore për bashkëpunim në mbi 10 mijë vrasje

Një ish-sekretare, e cila punonte për një komandant në kampin nazist të përqendrimit Stutthof, gjatë Luftës së Dytë Botërore, është dënuar për bashkëpunim në vrasjen e më shumë se 10.505 personave, transmeton REL.

Irmgard Furchner, tash 97-vjeçare, kishte nisur punë si daktilografe në adoleshencë dhe punoi në Stutthof nga viti 1943 deri më 1945.

Furchner, një nga gratë e pakta që u gjykua për krime naziste në dekada, iu dha një dënim me dy vjet burgim me kusht.

Edhe pse ajo ishte një punëtore civile, gjyqtari tha se ajo ishte plotësisht në dijeni të asaj që po ndodhte në kamp.

Rreth 65.000 njerëz mendohet se kanë vdekur në kushte të tmerrshme në Stutthof, duke përfshirë të burgosur hebrenj, polakë jo-hebrenj dhe ushtarë sovjetikë të zënë rob.

Kampi Stutthof, i vendosur pranë qytetit modern polak të Gdanskut, përdori një sërë metodash për të vrarë të burgosurit.

Mijëra persona vdiqën në dhomat e gazit, që nga qershori 1944.

Gjykata në Itzenhoe në Gjermaninë veriore dëgjoi deklaratat e të mbijetuarve të kampit, disa prej të cilëve vdiqën gjatë procesit gjyqësor.

Kur nisi ky proces në shtator të vitit 2021, Furchner u arratis nga shtëpia e të moshuarve, por u gjet nga policia në një rrugë në Hamburg.

Një seri ndjekjesh penale janë zhvilluar në Gjermani që nga viti 2011, pasi dënimi i ish-rojes të kampit nazist, John Demjanjuk, krijoi precedentin se të qenët roje ishte provë e mjaftueshme për të provuar bashkëpunimin.

Ky vendim nënkuptonte gjithashtu se punonjësja civile, Furchner, mund të dilte në gjyq, pasi ajo punonte drejtpërdrejt me komandantin e kampit.

U deshën 40 ditë që ajo të thyente heshtjen në gjyq, kur i tha gjykatës: “Më vjen keq për gjithçka ka ndodhur”.

Duke qenë se ajo ishte nën moshën 21-vjeçare në atë kohë, gjykimi u zhvillua në një gjykatë të posaçme për të mitur.

“Më vjen keq që isha në Stutthof në atë kohë – kjo është gjithçka që mund të them”, tha ajo.

Gjyqi ndaj Furchnerit mund të jetë i fundit që do të zhvillohet në Gjermani për krimet e epokës naziste, megjithëse disa raste ende janë duke u hetuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button