Marrëveshje historike për mbrojtjen e biodiversitetit

Pas rreth dy javë negociatash pjesëmarrësit e Samitit Botëror për Natyrën në Montreal, Kanada, ranë dakord për një deklaratë përfundimtare. Pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes është angazhimi për të shpallur deri në vitin 2030 si zona të mbrojtura 30% të sipërfaqeve tokësore dhe ujore që konsiderohen të rëndësishme për biodiversitetin. Aktualisht në mbarë botën janë të mbrojtura vetëm 17% e sipërfaqeve tokësore dhe 10% e sipërfaqeve detare, transmeton DW.

Shkencëtarët besojnë se një sasi e tillë zonash të mbrojtura mund të kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme për mbrojtjen e biodiversitetit, tha Brian O’Donnell, drejtor i organizatës për ruajtjen e natyrës Campaign for Nature. “Kjo na jep mundësi për të shpëtuar biodiversitetin nga kolapsi”.

Paketë financiare për mbrojtjen më të madhe të specieve

Në deklaratë kërkohet gjithashtu që deri në vitin 2030 për biodiversitetin të vihen në dispozicion 200 miliardë dollarë. Si pjesë e paketës së financimit marrëveshja kornizë parashikon deri në vitin 2025 rritjen e fondeve që shkojnë për vendet e varfra në të paktën 20 miliardë dollarë në vit – pra rreth dyfishi i fondeve aktuale. Kjo shifër do të rritet në 30 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2030.

Të drejtat e grupeve dhe bashkësive indigjene

Në deklaratë njihen të drejtat dhe roli i grupeve indigjene dhe i bashkësive lokale për mbrojtjen e biodiversitetit. Në dokumentet e mëparshme për biodiversitetin shpesh të drejtat e popujve indigjenë janë injoruar dhe ata rrallë kanë qenë pjesë e diskutimeve të mëdha, me përjashtim të përmendjes së njohurive të tyre tradicionale.

Përfaqësues grupesh indigjene nga Peruja, fitues të Champions of the Earth Award Përfaqësues grupesh indigjene nga Peruja, fitues të Champions of the Earth Award

Deklarata e tanishme i forcon të drejtat e popujve indigjenë dhe u siguron atyre që të kenë një rol në vendimmarrje.

Reagime të përziera

Andrew Deutz, drejtor për politikat globale, institucionet dhe financimin e ruajtjes së natyrës pranë The Nature Conservancy, tha se marrëveshja dërgon disa sinjale të forta për sa u përket financave dhe biodiversitetit, por nuk shkon përtej objektivave të vendosura 10 vjet më parë, kur bëhet fjalë për trajtimin e shkaqeve rrënjësore të humbjes së biodiversitetit në sektorë prodhues si bujqësia, peshkimi dhe infrastruktura. Prandaj ekziston rreziku që marrëveshja e re të mos jetë plotësisht transformuese, tha Deutz.

Montreal: Samiti i 15-të Botëror për Natyrën - COP15Montreal: Samiti i 15-të Botëror për Natyrën – COP15

Samiti i 15-të Botëror për Natyrën – COP15 – fillimisht ishte parashikuar të mbahej në Kinë në vitin 2020, por u shty për shkak të situatës së vazhdueshme pandemike. Pjesa e parë e negociatave u zhvillua tetorin e kaluar, kryesisht online, në Kun-Ming të Kinës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button