‘Dita D’ i bashkon Merkel, Putin e Poroshenkon

Ceremonitë përkujtimore të 70-vjetorit të zbarkimit të forcave aleate në Normandie të Francës, ku kishte nisur fundi i ushtrisë naziste gjermane, kanë shërbyer për afrimin e liderëve të sotëm botërorë, sidomos të presidentit rus me udhëheqësit e vendeve perëndimore, marrëdhëniet e të cilëve janë në krizë shkaku i krizës ukrainase.

Deri para pak ditësh është folur shumë rreth asaj se a do të ftohej dhe të merrte pjesë Vladimir Putin në shënimin e këtij përvjetori dhe nëse po, a do të pranonte të takohej me të ndonjëri prej shefave të shteteve perëndimore duke pasur parasysh sjelljet e tij dhe të shtetit të tij në raport me Ukrainën.

Aneksimi rus i Krimesë dhe trazirat në rajonet juglindore ukrainase, ku besohet se ka gisht Moska zyrtare, i kanë shtyrë SHBA-në, vendet e BE-së dhe ndonjë tjetër t’i vendosin sanksione Rusisë.

Megjithatë, të enjten e të premten, Vladimir Putin, është takuar me liderët e vendeve më të fuqishme perëndimore. Madje, edhe me Petro Poroshenkon, presidentin e porsazgjedhur ukrainas, zgjedhjen e të cilit Kremlini deri më tani ka thënë se nuk do ta njohë.

Merkel dhe Putin
Merkel dhe Putin

Putin takohet me Obaman e Poroshenkon

Një zyrtar amerikan ka treguar të premten se presidenti, Barack Obama, i ka kërkuar homologut të tij rus që të ndikojë “që në Ukrainë të ulen tensionet”, përndryshe do të forcohet izolimi ndërkombëtar i Rusisë. Presidenti amerikan kështu i ka kërkuar homologut Putin gjatë një takimi joformal, që ka zgjatur 15 minuta, gjatë drekës së udhëheqësve që kanë marrë pjesë në përvjetorin e 70-të të zbarkimit të aleatëve në Normandi.

Edhe vetë Vladimir Putin i ka cilësuar “pozitive” bisedimet me kolegët perëndimorë rreth Ukrainës, përfshirë edhe ato me homologun amerikan. “Më duket se shkëmbimi i pikëpamjeve ka qenë shumë pozitiv”, ka deklaruar Putin në një deklaratë të transmetuar në televizionin rus nga Franca.

Poroshenko dhe Putin
Poroshenko dhe Putin

Ai ka përmendur takimet, të enjten e të premten, me kryeministrin britanik, David Cameron, presidentin francez, François Hollande dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel. “Me Barack Obaman kemi diskutuar dy herë, në mënyrë mjaft substanciale sipas mendimit tim”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, Kremlini ka njoftuar se presidenti Putin është takuar edhe me homologun e porsazgjedhur ukrainas, Petro Poroshenko. “Gjatë një bisede të shkurtë, Putin e Poroshenko kanë bërë thirrje për një ndalje të shpejtë të luftimeve, si nga ana e forcave të armatosura ukrainase ashtu edhe nga përkrahësit e federalizimit të Ukrainës”, ka deklaruar Dmitri Peskov.

Mbreteresha Elizabeta dhe Putin duke e injoruar atë
Mbreteresha Elizabeta dhe Putin duke e injoruar atë

Presidenti francez, François Hollande, thuhet të ketë qenë organizator i këtij takimi, i cili ka zgjatur një çerek ore.

Përndryshe, presidenti francez i ka nisur ceremonitë përkujtimore të 70-vjetorit të “Ditës-D”, zbarkimit të forcave aleate në Normandie të Francës, me homazhet e bëra atyre që dhanë jetën në ditën që ndryshoi rrjedhën e historisë. Ai mori pjesë në shërbesën e mbajtur në afërsi të Bayex, bashkë me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama. Për François Hollande, çdo ushtar që mori pjesë në “Ditën D” ishte një hero.

“Franca nuk do ta harrojë kurrë se çfarë i detyrohet atyre që dhanë jetën për ne. Kjo ditë, që nisi në kaos e zjarr, e përfundoi në gjak, lot e dhimbje, ishte dita që ndryshoi botën dhe e bëri Normandinë pjesë të përhershme të historisë”, tha Hollande.

4.413 ushtarë aleatë ranë në “Ditën –D”

Presidenti Obama u shpreh se angazhimi amerikan për lirinë u shkrua me gjak në brigjet franceze. “Pohimet e Amerikës, angazhimi ynë ndaj lirisë, barazisë, dinjitetit të çdo qenieje njerëzore, janë shkruar me gjak në këto brigje dhe do të qëndrojnë të tilla në përjetësi”, theksoi Obama.

Rreth 160.000 ushtarë nga Britania e Madhe, Kanadaja dhe SHBA-ja zbarkuan në Francë brenda pak orësh, mëngjesin e 6 qershorit, saktësisht shtatë dekada më parë. Gjysma e tyre ishin amerikanë. E ashtuquajtura “Dita -D” do të hynte në histori si “dita më e gjatë”.

Shumë vdiqën në ditën që shënoi kthesën e madhe drejt çlirimit të kontinentit të vjetër. Të mbijetuarit tregojnë se si Normandia u shndërrua në një fushë varresh e kufomash.

Dëshmorët e tyre, amerikanët i vunë të prehen në njërën anë të varrezës “La Cambe”, ndërsa gjermanët në anën tjetër. 6-7 vjet më vonë u ndërtua varreza e madhe e ushtarëve në “Colleville-sur Mer” pranë plazhit Omaha.

Drejtuesit e muzeut të “D-Day” në Portsmouth e vendosin në 4.413 numrin e ushtarëve aleatë të vrarë në ditën e pushtimit, shifër kjo më e lartë nga sa mendohej deri tani.

Obama dhe gjenerali James
Obama dhe princi Charles

 

 

princi Charles

Lajme të ngjashme

Back to top button