Pas 27 vitesh pritet të ketë Ligj të ri për Arsim të Mesëm, MASH e filloi debatin publik

Nevoja për sjelljen e zgjidhjes së re ligjore për arsimin e mesëm në vend fillimisht duhet kërkuar në faktin se ligji ekzistues zbatohet prej më shumë se 27 vitesh ndërsa në ndërkohë arsimi i mesëm është bërë i detyrueshëm, si dhe janë sjellë plane dhe programe të reja mësimore ku vazhdimisht janë duke u përditësuar dhe plotësuar. Kemi shumë të drejta dhe mundësi të reja për të gjithë pjesëmarrësit në procesin arsimor në shkollat e mesme dhe e gjithë kjo duhet të jetë pjesë e një kornize ligjore, njofton Portalb.mk.

Këtë e theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në hapjen e debatit të parë nga disa debate publike që do të organizohen në ditët në vijim, me rastin e përpilimit të Ligjit të ri për Arsimin e Mesëm, i cili, siç u shpreh ai duhet të jetë në frymën e parimeve evropiane dhe gjithëpërfshirjen e të gjithë nxënësve.

Strategjia për Arsimin 2018-2025 në pjesën e arsimit të përgjithshëm përcakton këto prioritete: Përmirësimin e përmbajtjes së arsimit të mesëm, rritjen e përfshirjes së nxënësve dhe përmirësimin e inkluzionit dhe integrimit ndëretnik në arsimin e mesëm, përmirësimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore në shkollat e mesme dhe përmirësimin e kushteve të mësimit dhe cilësisë së arsimit. Siç theksoi këto parime, besoj se me zgjidhjen e re ligjore do të kontribuojmë në modernizimin e sistemit arsimor nacional.

“Do të ofrojmë qasje sistematike për të inkurajuar zhvillimin kognitiv, socio-emocional dhe psikomotor në përputhje me potencialin dhe afinitetet të çdo nxënësi. Do të mundësojmë zhvillimin e kompetencave kyçe që do t’iu nevojiten nxënësve për arsimimin e mëtejshëm dhe rolin e tyre aktiv në shoqërinë bashkëkohore” u shpreh ministri.

Me Ligjin e ri për Arsimin e Mesëm, arsimi i mesëm përkufizohet si institucional, kadrovik dhe përmbajtjesor i organizuar në atë mënyrë që mundëson arsimimin e të gjithë nxënësve, përfshirë fëmijët/personat me shtetësi të huaj apo fëmijët pa shtetësi, formimin e ekipeve gjithëpërfshirëse dhe mbështetjen e nxënësve me vështirësi. Definohet edhe roli i asistentëve arsimor, gjegjësisht përfshirja e tyre në procesin arsimor me status të rregulluar.

Ndryshe, në vitin 2023 mbi 450 milionë euro janë paraparë për financimin dhe zhvillimin e arsimit dhe shkencës. Pjesa më e madhe e buxhetit, zakonisht transferohet në njësitë e Vetëqeverisjes Lokale, për shkak të funksionimit të shkollave fillore dhe të mesme.

Këtë vit, me vonesë filloi shpërndarja e teksteve shkollore. Pas shpërndarjes, fillimisht në rrjetet sociale filloi të qarkullojë lapsusi që u gjet në tekstin e ri të Historisë dhe Shoqërisë për klasën e pestë, në të cilin shkruhej se maja më e lartë në botë, mali Everest, është 29.305 këmbë (ft) i lartë, në vend të 8.849 metra.

Në temën 2 – “Popullsia dhe kontinentet”, në pjesën ku përshkruhen veçoritë gjeografike të Maqedonisë, thuhet se vendi kufizohet në lindje me Republikën e Shqipërisë, dhe në perëndim me Republikën e Bullgarisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button