RMV, sot diskutohet për kërcënimet me bomba, paralajmëroi kryeministri

Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, njoftoi se sot do të ketë mbledhje koordinuese të shërbimeve të sigurisë ku do të diskutohen të gjitha këto probleme dhe do të merren masa si edhe më parë për mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të shtetit. Apelimet e dërguara nga ambasadat për qytetarët e tyre i ka konsideruar procedurë normale, duket theksuar se Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e vendit e bën të njëjtën në raste të caktuara, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Punëve të Brendshme ndërmerr të gjitha aktivitetet për të garantuar sigurinë dhe sigurinë në vend. Këto kërcënime të rreme me bomba janë pjesë e një lufte hibride që po zhvillohet në të gjithë Evropën. Jemi në një vit në të cilin ka luftë në kontinentin tonë, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe atë në një shkallë të gjerë. Ky lloj sulmi kibernetik është sigurisht një pjesë integrale e kësaj”, tha Kovaçevski.

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska ka konsideruar se nuk ka rrezik real për sigurinë e qytetarëve, por raportimet e rreme për bomba nuk duhet të mbeten të tilla dhe duhet të punohet më seriozisht për gjetjen e autorëve.

“Një nga supozimet është qëndrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me konfliktin në Ukrainë, gjegjësisht qëndrimin e qartë në anën e drejtësisë në këtë vend. Qëllimi i kallëzimeve të rreme është të shkaktojë panik dhe mosbesim në institucione, por edhe panik te popullata”, tha Petrovska

Ajo theksoi se në këtë zbardhjen e këtyre raportimeve është e përfshirë edhe Ministria e Mbrojtjes me kapacitetet dhe inteligjencën ushtarake.

Ambasada e SHBA-së, sot përmes një komunikate, u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që të jenë të kujdesshëm gjatë qëndrimit në Maqedoni, veçanërisht në periudhën para pushimeve dhe për shkak të kërcënimeve për bomba.

Paralajmërim të njëjtë për qytetarët e saj bëri dje edhe Gjermania. Në njoftim thuhej që qytetarët të tregohen të kujdesshëm, të informohen me kohë për situatën aktuale dhe të respektohen rekomandimet e autoriteteve lokale dhe forcave të sigurisë.

Maqedonia e Veriut, ashtu sikur edhe shtetet e rajonit, në periudhën e kaluar është duke u përballur me kërcënime për vendosje të bombave nëpër objekte dhe vende publike. MPB pas çdo kërcënimi i ka evakuuar qytetarët, megjithatë ende nuk mund të bie në gjurmë të dërguesve të e-mailave, të cilat kanë krijuar kaos të vërtetë.

Portalb.mk shkruajti se ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba nëpër objekte shkollore, qendra tregtare dhe institucione vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski ka deklaruar se kjo është pjesë e të ashtuquajturës luftë hibride dhe sigurisht duhet të jetë për shkak të interesave gjeostrategjike të cilat praktikohen mu në këtë zonë, duke mos hedhur poshtë nëse sulmet e tilla janë me prapavija ruse. Ai madje ka njoftuar se në kuadër të MPB-së është themeluar një shtab special.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka bërë të ditur se tashmë kanë njoftuar strukturat e NATO-s për denoncimet e vazhdueshme për mjete shpërthyese në Maqedoninë e Veriut.

Spasovski më 19 nëntor deklaroi se së shpejti do të ketë rezultate nga hetimi për paralajmërime për bomba, të cilat krijojnë shqetësim në opinion tashmë një kohë të gjatë. Por, deri më tani s’ka kurrfarë njoftimi se kush qëndron prapa këtyre alarmeve të rrejshme që i shqetësojnë qytetarët.

Nga 26 tetori i këtij viti në SPB Shkup disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, në fillim të javës ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare. Nga Ministria e Punëve të Brendshme informuan se të gjitha paraqitjet kanë qenë të rrejshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button