SHBA-ja paralajmëroi qytetarët e saj që të jenë të kujdesshëm në Maqedoninë e Veriut

Ambasada e SHBA-së, përmes një komunikate, u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që të jenë të kujdesshëm gjatë qëndrimit në Maqedoni, veçanërisht në periudhën para pushimeve dhe për shkak të kërcënimeve për bomba, transmeton Portalb.mk.

Përmes ueb-faqes së saj, Ambasada amerikane bëri thirrje për vigjilencë të madhe për shkak të mundësisë për krime dhe vjedhje gjatë festave të fundvitit, por edhe për shkak të kërcënimeve të shpeshta për bomba të vendosura dhe udhëzon të respektohen udhëzimet e dhëna nga personat përgjegjës për siguri dhe policinë.

Ambasada kujton se objektivat e kërcënimeve anonime me bomba janë stacionet e transportit publik, aeroportet, hotelet, qendrat tregtare, qendrat sportive dhe shkollat.

Qytetarët këshillohen të kujdesen për sigurinë e tyre, të shmangin turmat dhe demonstratat dhe të jenë vigjilentë nëse marrin pjesë në festivalet festive dhe objektet e adhurimit.

Paralajmërim të njëjtë për qytetarët e saj bëri dje edhe Gjermania. Në njoftim thuhej që qytetarët të tregohen të kujdesshëm, të informohen me kohë për situatën aktuale dhe të respektohen rekomandimet e autoriteteve lokale dhe forcave të sigurisë.

“Kërcënime me bomba ndaj institucioneve dhe objekteve publike janë regjistruar së fundi në kryeqytet- Shkup. Fillimisht ata synuan shkollat ​​dhe objektet qeveritare, por hotelet dhe institucione të tjera joqeveritare janë prekur që atëherë. Më në fund, ishte i nevojshëm evakuimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku trafiku duhej të ndalohej përkohësisht. Duhet pasur parasysh kufizimet dhe problemet e trafikut”, thuhej në informacionin e MPJ-së gjermane.

Maqedonia e Veriut, ashtu sikur edhe shtetet e rajonit, në periudhën e kaluar është duke u përballur me kërcënime për vendosje të bombave nëpër objekte dhe vende publike. MPB pas çdo kërcënimi i ka evakuuar qytetarët, megjithatë ende nuk mund të bie në gjurmë të dërguesve të e-mailave, të cilat kanë krijuar kaos të vërtetë.

Portalb.mk shkruajti se ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba nëpër objekte shkollore, qendra tregtare dhe institucione vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski ka deklaruar se kjo është pjesë e të ashtuquajturës luftë hibride dhe sigurisht duhet të jetë për shkak të interesave gjeostrategjike të cilat praktikohen mu në këtë zonë, duke mos hedhur poshtë nëse sulmet e tilla janë me prapavija ruse. Ai madje ka njoftuar se në kuadër të MPB-së është themeluar një shtab special.

Për kryeministrin Dimitar Kovaçevski nuk ka dyshim se këto janë sulme hibride ndaj shtetit dhe se ky është një akt monstruoz. Raportimet për bomba të vendosura kanë për qëllim destabilizimin e vendit dhe të gjithë rajonit, pasi raste të tilla janë regjistruar edhe në vendet fqinje.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka bërë të ditur se tashmë kanë njoftuar strukturat e NATO-s për denoncimet e vazhdueshme për mjete shpërthyese në Maqedoninë e Veriut.

Spasovski më 19 nëntor deklaroi se së shpejti do të ketë rezultate nga hetimi për paralajmërime për bomba, të cilat krijojnë shqetësim në opinion tashmë një kohë të gjatë. Por, deri më tani s’ka kurrfarë njoftimi se kush qëndron prapa këtyre alarmeve të rrejshme që i shqetësojnë qytetarët.

Nga 26 tetori i këtij viti në SPB Shkup disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, në fillim të javës ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare. Nga Ministria e Punëve të Brendshme informuan se të gjitha paraqitjet kanë qenë të rrejshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button