8-ta dhe mollët

Një nga aktivitetet rutinë të brendajavës. Blerje në një na supermarketet e vendit ku jetojmë. Para nesh një djalë rreth të njëzetave, i shëndoshë pak si tepër, butësisht obez, me pak gjëra, cikërrima para arkës, me total pagese më pak se 200 denarë. Zonjusha ia kthen tetë denarë, kusurin. S’e merr, e braktis, s’ua var fare ‘metelikëve’. Vajza mbetet një çast e hutuar dhe i fut te pjesa e arkës për monedha. Me siguri se ka nga klinetët që presin t’iu kthehet edhe qindarka e fundit andaj. Pse vallë s’i ruan e t’i hedhë në ndonjë kuti humanitare? – pyeta veten. Djalin e  njihja. Nga një familje me gjendje ekonomike nën mesataren. Mbeta i habitur me gjestin që bëri. Ç’ka e shtyu që të tregohet kaq i çuditshëm. Xhentëlmen apo shpërfillës, më kapi dilema. Kjo e dyta më doli si mbizotëruese, më peshoi më tepër. Të thuash se ia kishte vënë syrin arkatares, se donte të shitej simpatik ndaj saj, jo. S’e tregon veten dot me atë shumë të vogël lekësh. Kjo e fundit bëhet absurde kur i kemi parasysh kriteret dhe kërkesat e këtij brezi. Dhe konstatimi më doli gjeneral, si një pjesë e mirë e kësaj gjenerate: jeshil, i papjekur, nonshalant në jetë, mospërfillës ndaj dhuntive. Paksa edhe kryelartë, mendjemadh. E mendjemadhësia – siç thotë një urtar – është si një gur i lidhur për beli, me të as nuk notohet e as fluturohet. Tetë denarë. Nuk është ndonjë shumë e madhe që ka hedhur mënjanë, por tregon mosrespektin ndaj të mirave, është shkelje e dhuntisë që për momentin e posedon, kurse më vonë mund të mos e ketë. Një brez që s’ka shijuar skamje, që s’di se ç’është varfëria. I lazdruar sa s’bën. Që s’e ka për qejfi punën, që do të jetojë europiançe a të punojë ballkançe ose hiç. Mendësia e këtij të riu është tipike irracionale, anomike. Weberi thotë se protestantizmi ka çuar në kapitalizëm në saje të punës së vyeshme dhe kursimit. Në këtë mini-analizë shfrytëzuam metodën weberiane të të kuptuarit të drejtpëdrejtë vëzhgues (Aktuelles Verstehen). Kursimi dhe modestia janë pjesë e konceptit të veprave të mira që shpien në parajsë sipas Weberit. Koprracia është shumë e keqe, por edhe dorëshlirësia është ves, hedhja tejendanë e pasurisë është mëkat. Në veprën The Triple Package e Amy Chua dhe Jed Rubenfeld (2015) thonë se kursimi është një nga tri cilësitë (superiority, insecurity, impulse control) me të cilat shpjegohet suksesi i grupacioneve të caktuara në Shtetet e Bshkuara. Ata vënë theksin edhe mbi disiplinën e lartë dhe kontrollin e impulsivitetit (heightened discipline and impulse control). A është kjo një cikërrimë? Sipas nesh, jo. Gjërat e vogla flasin për frymën, tendencat dhe dukuritë e kohës.

Dhe një shënim tjetër sa interesant aq edhe banal, që tregon se aura e çmendurive ndër ne s’ka fund. Në kuadër të “Programit për nxitje të konsumit të frutave të freskëta”, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave nxënësve nëpër shkolla u ka  ndarë mollë të freskëta. Sipas tyre përmes këtij veprimi  fuqizuaka motivimin e nxënësve për të konsumuar fruta dhe ushqime te shëndetshme. Lajmi skandinav, kurse realiteti social si në Sierra Leone. Disa nga komentet e qytetarëve: “Duke na thënë: librat s’mundim t’ua sigurojmë; hani molla, që të rriteni, qoftë edhe injorantë.” “Çfarë ironie, nxënësit nuk posedojnë libra dhe materiale shkollore, e këta shpërndajnë molla; sikur punët tjera i kemi në terezi.” Shumë e vërtetë. Nëse u hedhim një sy librave, teksteve shkollore si atyre të shkollës fillore, ashtu edhe të atyre të të mesmes, vërejmë pamje të tmerrshme. Sikur bëhet fjalë për libra të një qyteti pas-luftë, pa kapakë, të derdhur fare, ku faqet e pjesët dalin lirshëm, fleta të pista, të zhubravitura, material-letër e vjetër që duhet të dërgohet për riciklim e jo tekste moderne, që plotësojnë standardet pedagogjike për mësimdhënie dhe nxënie. Sensi për ushqim të shëndetshëm krijohet në forma të tjera, jo duke i shndërruar vocërrakët në raste sociale, duke i ngarkuar me kilogramë që s’mund t’i bartin ata të klasëve të ulëta. Mund të imagjinoni një nënë ose baba që shkon ta marrë fëmijën e vet në shkollë dhe sheh mollët. “Vajta në market a në shkollë, mos e gabova destinacionin” – mund ta pyesë veten. Po nesër mund të shfaqet një bamirës që dhuron spinaq për akëcilën shkollë. Do t’iu jepen edhe qeska me marulle vallë?

Përmes këtij akti te fëmijët ngjallet ndjenja e të qenit raste sociale jo ajo e ngritjes së eko-vetëdijes ose e healthy foods. S’e besoj që ka prind që i shkon drejt molla të cilën fëmija ia sjell në vend të pesësheve. S’ma rrok mendja që të lumturohet një prind që në mbrëmje sheh çantën me libra grimë e copë të fëmijës së vet e t’i gëzohet aktivitetit ndërgjegjësues me pemë. Në fund të fundit një pjesë e mirë e popullatës s’e ka luksin që të jetë shumë përzgjedhës, konsumon gjërat që janë financiarisht të arritshme për ta. Kampanja për konsum të frutave dhe pemëve të shëndetshme është sikur njeriut që s’arrin të blejë bukën e ditës t’i flasësh për finesat e blerjes dhe skuqjes profesionale të biftekut. Tallje me inteligjencën e popullatës. Vetëdijësimi për ushqim të shëndetshëm duhet të nisë nga rritja e rrogave, e standardit jetësor, me mundësimin e prindërve që të kenë komoditetin për të zgjedhur kategoritë healthy and greeny. Më pas të vazhdohet me krijimin e kantinave apo ushqimoreve të shëndetshme brenda shkollave. Vendet e avancuara nëpër mini-restorantet shkollore ndalojnë shitjen e çipsave, të pijeve të gazuara, ushqimeve me yndyrë të lartë dhe të gjithë asaj që quhet junky food.

Le të gjenerohen tekste shkollore të reja, të përditësuara dhe cilësore. Në shkollë fëmijët para së gjithash i çojmë për t’u socializuar, edukuar, arsimuar, për të mbushur para së gjithash mendjen, kokën dhe zemrën, e pastaj barkun. Mos vallë në këtë rast është ndryshuar vendi i prioriteteve? Me gjasë, po. Fëmijët nuk meritojnë kampanja të tilla të ulëta. Ata janë të pafajshëm. “Provide students with non-food rewards for good behavior and performance” (Jepuni nxënësve shpërblime joushqimore për sjellje dhe perfomancë të mirë”.) – është një nga shtatë pikat e suksesit që sugjeron një shoqatë amerikane për fëmijë të shëndetshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button