Skandali me Mijallkovin, një grup gjykatësish do të shkojnë në Apel për t’i kontrolluar lëndët “Target-Fortesa”, “Thesari”, “Transportuesi” dhe “Alfa”

Grupi punues mori detyrë që të kryej kontroll të punës në Gjykatën e Apelit për lëndët “Target – Fortesa”, “Thesari”, “Transportuesi” dhe “Alfa”. Në përbërje të grupit punues do të jenë gjykatëset Tanja Çaçarova-Ilievska, Mirjana Radevska-Stevkova dhe Meri Radevska.
Kjo është konkluza nga seanca e sotme urgjente e Këshillit Gjyqësor pas vendimit skandaloz të Gjykatës së Apelit për shfuqizimin e aktgjykimit për lëndën “Target-Fortesa” në lidhje me aferën e përgjimeve në RMV, njofton Portalb.mk.

Kryetarja e ëshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, fundjavën e kaluar, në një deklaratë me shkrim për media,  ka treguar se Këshilli Gjyqësor nuk mund ta vlerësojë vendimin e Apelit, por mund të konstatojë gjendjen e procedurës.

“Këshilli Gjyqësor do të hetojë rastin konkret në kuadër të kompetencave të tij ligjore dhe do të njoftoheni menjëherë për veprimet e ndërmarra dhe gjendjen e konstatuar faktike. Theksoj se Këshilli Gjyqësor nuk ka kompetencë të rishikojë, gjegjësisht të vlerësojë një vendim gjykate, por ka kompetencë të konstatojë gjendjen e procedurës në aspektin e veprimit të përditësuar dhe nëse vendimi është sjellë nga një gjyqtar të cilit i ka përfunduar mandati për shkak të plotësimit të kushteve për pension pleqërie”, tha Dameva.

Nga ana tjetër sot ka reaguar Gjykata e Apelit, ku arsyetohen se Këshilli i Gjykatës së Apelit Shkup aktgjykimin e shkallës së parë e ka anuluar për shkak të shkeljeve materiale të dispozitave të procedurës nga neni 415 paragrafi 1 pika 11 paragrafi 2 dhe paragrafi 3 i Kodit Civil, si dhe shkeljet që gjykata i kushton vëmendje detyrës zyrtare dhe cilat shkelje ndikuan në përcaktimin e drejtë të gjendjes faktike dhe zbatimin e drejtë të së drejtës materiale.

“Sipas detyrës zyrtare, këshilli i Gjykatës së Apelit në Shkup konstatoi se ekziston mospërputhje mes aktgjykimit të shqiptuar dhe asaj që thuhet procesverbalin e përgatitur me shkrim, gjegjësisht në burimin e aktgjykimit nuk ka përshkrim të veprimeve të kundërligjshme për secilin nga të pandehurit. Kjo është veçanërisht e vërtetë pasi aktgjykimi me shkrim duhet t’i përgjigjet plotësisht dënimit të shënuar në procesverbal dhe për këtë arsye shpallja e aktgjykimit duhet të jetë e qartë dhe precize, përkatësisht dënimi i shpallur publikisht i aktgjykimit duhet të përmbajë të gjitha elementet e nevojshme nga neni 408 i Kodit Penal. Një shkelje e tillë thelbësore është e natyrës absolute dhe e bën aktgjykimin të paqartë, të pakuptueshëm dhe të papërshtatshëm për shqyrtim të mëtejshëm. Gjykata ndonëse sipas detyrës zyrtare i kushton rëndësi parashkrimit të ndjekjes penale, duke marrë parasysh arsyet për të cilat është marrë vendimi, nuk ka marrë vendim meritor lidhur me parashkrimin e disa prej veprave penale, të cilat në fakt nuk kanë paraqiten para kësaj gjykate”, thuhet në reagimin e Apelit.

Në “Target-Fortesa”, vendimi është marrë nga Këshilli i Apelit prej pesë anëtarësh me në krye Jani Niça. Gjyqtar raportues ishte Enver Bejeti, ndërsa tre anëtarët e tjerë ishin: Gjoko Ristov, Tanja Mileva dhe Lidija Çaçeva.

Pas një viti e gati dhjetë muaj nga vendimi i Penales, dhe pas rreth nëntë muajsh që nga mbajtja e seancës publike për ankesat në Apel, këshilli pesë anëtarësh më në fund vendosi dhe njoftoi të premten se e anulon aktgjykimin pasi konstatoi se gjykata e shkallës së parë në procedurën “Target-Fortesa” ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të Ligjit për procedurë penale, të cilat janë të natyrës absolute dhe për të cilat kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare.

“Target-Fortesa” është lënda e aferës masive të përgjimeve të paligjshme dhe me aktgjykim të shkallës së parë ish-kreu i DSK-së, Sasho Mijalkov, është dënuar me 12 vjet burg.

Bashkë me të, me katër vjet burg është dënuar edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska. Dënime më të larta prej 15 vitesh burg morën dy agjentët e arratisur të kundërzbulimit nga e ashtuquajtura Drejtoria e pestë e DSK-së së atëhershme, Nikolla Boshkovski dhe Goran Grujovski.

Në këtë rast janë akuzuar gjithsej 11 persona, të cilët me aktgjykim të shkallës së parë janë dënuar me gjithsej 55 vjet burgim dhe 10 vite me kusht, i cili tashmë është anuluar nga Apeli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button