ANALIZË: Numri i të papunëve është në rënie, por edhe fuqia punëtore dhe popullsia aktive në vend po zvogëlohet! (Infografik)

Për vetëm tre muaj, numri i popullsisë së aftë për punë në vend është ulur për 1.300 persona, ndërsa popullsia aktive për më shumë se 2.000. Këto parametra janë bazë për llogaritjen e punësimit dhe të papunësisë. Shifrat e Agjencisë së Punësimit treguan se në muajin tetor për herë të parë këtë vit ka pasur rritje të numrit të të papunëve, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Të papunët – 44,2% janë maqedonas etnikë, 36% shqiptarë etnikë…

Për herë të parë këtë vit, në muajin tetor është shënuar rritje e numrit të të papunëve në bazë mujore. Në muajin e nëntë të këtij viti, numri i përgjithshëm i të papunëve ishte 113.893, që është për 13.860 më pak se në janar, por për 1.429 më shumë se në shtator. Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, nga fillimi i vitit numri i të papunëve ka qenë në rënie të vazhdueshme, ndërsa në tetor është shënuar trend i rritjes. Gjithashtu, 46.673 të tjerë të papunë janë regjistruar si “persona të tjerë në kërkim të punës”.

Sipas përkatësisë etnike, 44,2% janë maqedonas dhe gati 36% janë shqiptarë, ndërsa në vendin e tretë sipas numrit të të papunëve janë romët, kurse si të papunë janë paraqitur dhe 46 vlleh dhe dy boshnjakë.

Më shumë se gjysma e të papunëve janë pa arsim ose vetëm me arsim fillor, ndërsa numri i atyre me arsim të mesëm të përfunduar që janë të papunë është i madh.

18 doktorë shkencash dhe 623 magjistra janë në listën e të papunëve.

Në fund të muajit tetor, në Agjencinë e Punësimit janë regjistruar 14.942 persona të papunë që kanë humbur punën gjatë krizës së Kovidit.

Për tre punonjës në sektorin privat – një punonjës në sektorin shtetëror ose të përzier…

Enti i Statistikave ka matur se papunësia në vend është në rënie – në fund të tremujorit të tretë janë regjistruar 115.266 të papunë, ose shkalla e papunësisë është 14,3%, më e ulët për 0,2 për qind krahasuar me tremujorin e dytë. Por, në rënie është edhe numri i fuqisë punëtore dhe i popullsisë aktive – të cilët janë bazë për llogaritjen e punësimit dhe të papunësisë. Kështu, në vend në tremujorin e tretë, numri i popullsisë së aftë për punë është zvogëluar për 1.300 persona krahasuar me tremujorin e dytë, ndërsa numri i popullsisë aktive është zvogëluar për 2.135 persona në të njëjtën periudhë të analizuar.

Edhe më tej pjesa më e madhe e të papunëve është nga mosha 20 deri në 49 vjeç, që është kategoria e qytetarëve që janë në periudhën më produktive dhe më të aftë për punë të jetës së tyre, dhe në këtë grup bëjnë pjesë 70.934 persona të papunë, që përbën 61,5% të numrit të përgjithshëm të të papunëve, ndërsa në vendin e dytë janë të papunët nga mosha 50 deri në 64 vjeç ose 21,5% e të papunëve.

Në fund të tremujorit të tretë, në vend u regjistruan 693.062 të punësuar, nga të cilët 520.886 ishin në sektorin privat dhe 172.176 në ndërmarrje shtetërore ose në kompani me pronësi të përzier – që do të thoshte se për çdo tre të punësuar në sektorin privat, ka një punonjës në sektorin shtetëror (të përzier). Në sektorin privat, numri më i madh i të punësuarve absorbohet nga industria përpunuese, mbi 135.000 persona, gati 108.000 persona janë të punësuar në tregti dhe 66.300 në bujqësi. Nga sektori shtetëror dhe në kompanitë me pronësi të përzier (shtetërore-private), pothuajse 48.700 janë të punësuar në administratën publike, mbrojtje dhe sigurimin social, 42.745 janë të punësuar në arsim dhe 11.800 persona janë të punësuar në sektorin e ujësjellësve dhe shërbimeve komunale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button