Manastiri dhe Tetova me padurim presin që të fillojë ndërtimi i stacioneve për pastrimin e ujërave të zeza

Komuna e Manastirit dhe ajo e Tetovës presin që sa më shpejt të fillojë ndërtimi i stacioneve të pastrimit të ujërave të zeza dhe të mundësohet pastrimi i fekaleve në dy qytetet më të mëdha në vend pas Shkupit. Tenderi për ndërtimin e objektit kapital në Manastir tashmë u shpall në 16 nëntor, ndërsa thirrja për dorëzimin e ofertave për ndërtimin e stacionit të pastrimit në Tetovë do të shpallet në fillim të vitit 2023, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Naser Nuredini, njoftoi se kompanitë e interesuara kanë afat deri më 21 shkurt të vitit të ardhshëm t’i dorëzojnë ofertat për realizimin e stacionit të pastrimit të ujërave të zeza në Manastir, me çka pritet që në gjysmën e dytë të vitit 2023 të nënshkruhet kontrata më ofertuesin më të përshtatshëm dhe të fillojë implementimi i projektit kapital.

Projekti në Manastir është i financuar nëpërmjet IPA 2 Programit të BE-së dhe është në vlerë prej 27.8 milionë eurosh. Objekti i ardhshëm duhet t’i pranojë fekalet që për momentin të papastruara lëshohen në lumin Dragor dhe Kanalin e pestë nga Manastiri dhe vendbanimet përreth. Stacioni i pastrimit në Manastir do të ketë kapacitet shërbimi prej 112.474 banorësh, ndërsa me tenderin e shpallur zgjidhet edhe realizues i zgjerimit të rrjetit të kanalizimit në Manastir me 15 kilometra të reja dhe për rekonstruim të rrjetit ekzistues të kanalizimit në gjatësi prej 13 kilometrash.

Nga Komuna e Manastirit për thonë se është krijuar një komunikim i mirë me Ministrinë e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor dhe presin që më në fund të fillojë ndërtimi i stacionit të pastrimit.

Si pushtet lokal, në vitin 2013 ato kanë marrë pjesë në procedurën për evaluim gjatë prokurimit publik për përzgjedhje të projektuesve. Gjatë përpilimit të dokumentacionit projektues, në periudhën 2014-2016 kanë mbajtur koordinim të vazhdueshëm me ministrinë.

“Nga ana e Komunës së Manastirit, është kryer procedura për ekspropiim dhe komuna i ka lëshuar lejet e nevojshme për ndërtim”, deklarojnë nga ky pushtet lokal.

Ato presin që në gjysmën e dytë të vitit 2023 të ndërtohet stacioni i pastrimit dhe të bëhet rekonstruimi i rrjetit të kanalizimit në Manastir, i cili do të zgjasë dy vite, e pastaj do të pasojë test lëshimi në përdorim dhe mënjanimi i problemeve eventuale në sistem.

Sa i përket stacionit të pastrimit në Tetovë, Ministri i mjedisit jetësor Nuredini informoi se dokumentacioni tenderues është në fazën e revidimit, ndërsa Komuna e Tetovës si shfrytëzues final ka siguruar një ekspert i cili jep mbështetje të vazhdueshme në procesin e revidimit të dokumenteve. Tenderi për stacionin e pastrimit të ujërave të zeza në Tetovë do të shpallet në fillim të vitit 2023, ndërsa marrëveshja me ofertuesin më të përshtatshëm do të lidhet në gjysmën e dytë të vitin të ardhshëm.

Për dallim nga Manastiri, nga pushteti lokal i Tetovës ankohen se ka pasur probleme të trashëguara në realizimin e objektit infrastrukturor kapital, por prej momentit të marrjes së pushtetit lokal vitin e kaluar, është formuar një grup pune me përfaqësues nga Ministria e Mjedisit Jetësor, Komuna e Tetovës dhe Ndërmarrja Publike Komunale (NPK).

“Periudhën e kaluar punohej intensivisht në revidimin e dokumentacionit tenderues. Në bashkëpunim me Ministrinë e mjedisit jetësor patëm disa takime pune, në të cilat i sqaruam të gjitha dilemat e parashtruara nga Delegacioni i BE-së”, deklarojnë nga Komuna e Tetovës.

Pushteti lokal i Tetovës informon se si komunë gjatë këtij viti 2022 intensivisht kanë punuar rreth procedurës për ekspropiim të trasesë nëpër të cilën do të kalojë kolektori.

“Në mars të këtij viti, nga ana e kryetarit Bilall Kasami, është formuar grup punues i cili për një kohë rekord prej 30 ditësh i përpiloi të gjitha 1.200 lëndët për ekspropriim, të cilat në maj u dorëzuan deri te Njësia për punë pronësore juridike pranë Ministrisë së financave”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Ato shtojnë edhe se këto 1.200 lëndë nuk kanë qenë të përpiluara nga viti 2017, kur komuna e ka lidhur kontratën me Ministrinë e mjedisit jetësor. Në Tetovë stacioni i pastrimit të ujërave fekale është në vlerë prej 30 milionë eurosh, ndërsa me realizimin e saj do të sigurohet që në të ardhmen fekalet të mos lëshohen direkt në lumin Vardar.

Ministri i mjedisit jetësor Naser Nuredini së fundmi në një brifing me gazetarë tha se nuk do të mund të bëhemi anëtarë të BE-së pa ndërtim të stacioneve të pastrimit të ujërave të zeza në Shkup dhe në qytetet e tjera.

“Ne mund t’i kemi të gjithë ligjet dhe plotësisht të akordohemi me rregullativën evropiane, por nëse nuk kemi infrastrukturë, nuk do të mund të jemi anëtarë të BE-së”, deklaroi Nuredini.

Ndërtimi i stacioneve të pastrimit të ujërave të zeza në Manastir dhe Tetovë në vitet e kaluara zvarritej, kështu që në vend që të nënshkruhen kontratat me ofertuesit më të përshtatshëm dhe fillim të ndërtimit, në vitin 2021 pasoi revidim i dokumentacionit teknik dhe tenderues dhe përgatitje për shpallje të tenderit të ri ndërkombëtar.

Në trajnimin dy ditor që u mbajt që fundmi mbi ndjekjen e progresit në implementimin e nënkaptinave të kaptinës 27 – Mjedisi jetësor dhe klima, që u mbajt nën organizimin e Qendrës për ndryshime klimatike, u përmend se pikërisht sektori i ujërave është një nga reformat më të ndërlikuara që duhet ti zbatojë Maqedonia në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Petra Pop Ristova nga Milieukontakt Makedonija përmendi se vendit tonë deri në vitin 2024 do t’i duhen rreth 1,2 miliardë euro për implementimin e Direktivës së BE-së për ujërat urbane. Vetëm 24 përqind e popullatës së Maqedonisë për momentin është e përfshirë në sistem për trajtimin e ujërave të zeza, ndërsa Maqedonia deri tani ka ndërtuar 25 stacione pastrimi në vendbanime më të mëdha dhe më të vogla.

Sipas të dhënave që i prezantoi ajo, vetëm 3 deri në 4 përqind të ujërave të zeza nga industria dhe xehetaria për momentin i nënshtrohen trajtimit, derisa 77 përqind nga qytetarët e Maqedonisë kanë sistem publik për grumbullimin e ujërave të zeza (kanalizim) deri në shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button