RMV, mijëra punëtorëve nuk u është paguar K-15

Mbi 4400 punëtorë në Lidhjen e Sindikatave kanë denoncuar se ende nuk e kanë marrë regresin e pushimit vjetor, i njohur si K-15. Këta punëtorë nuk janë të organizuar me sindikata në ndërmarrjet ku punojnë dhe ky është problemi më i madh, thonë nga shoqata më e madhe sindikale LSM, shkruan Alsat.

Inspektorati i Punës ka kryer rreth 500 inspektime dhe ka urdhëruar që 190 punëdhënës të paguajnë regres për punonjësit. Aty ku ka sindikatë private, tani për tani nuk ka ankesa.

“Nga momenti kur punëdhënësi ngarkohet me këtë denoncin nga Inspektorati Shtetëror i Punës, ai është i obliguar që jo vetëm të paguajë gjobë për mospagesë të K-15, por edhe të paguaj regresin për pushimin vjetor. Besoni se gjobat janë të mëdha, jo vetëm financiare, por ka edhe dënim me burg nga tre muaj deri në një vit për ata punëdhënës që kanë kryer keqpërdorim, ose nuk e kanë paguar ose e kanë paguar, por kanë kërkuar që t’u kthehen përsëri”, tha Ivan Peshevski nga LSM.

Nga Organizata e Punëdhënësve apelojnë që të gjithë kolegët e ndërgjegjshëm tа përmbushin obligimin dhe t’u paguajnë K-15 punëtorëve në rast se punojnë me fitim.

“Ky është një kusht, një mënyrë që ne si punëdhënës të tregojmë besnikërinë dhe detyrimin tonë ndaj punëtorëve. Kompanitë nga sektori privat jo vetëm që po përballen me problem serioz në punën e tyre, të gjithë i dimë çmimet e rritura të energjisë elektrike dhe repromaterialeve, por obligimin tonë që e kemi lidhur me K-15 e përmbushim plotësisht”, deklaroi Vlladanka Trajkovska, kryetare e Organizatës së Punëdhënësve.

Obligimi i pagesës K-15 është deri në fund të vitit kalendarik. Kjo e drejtë është e disponueshme për çdo punonjës që ka qenë në një kompani për më shumë se gjashtë muaj. Sipas rregullave duhet të paguhet së paku 40 për qind nga paga mesatare aktuale, e cila tani është 31.831 denarë, që do të thotë se K-15 këtë vit është më së paku 12.740 denarë. Në sektorin publik kontratë kolektive ka vetëm në sindikatën SPOGJ dhe janë përfshirë 1000 punonjës me pagesë, ndërsa deri në fund të vitit pritet të marrin edhe 20 mijë të punësuar nën ombrellën shtetërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button