KFOR-i paralajmëroi stërvitje të rregullta në Novosellë

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të kryejë stërvitje të rregullta ushtarake afër bazës që ka në Novosellë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Sipas një njoftimi për media, stërvitjet synojnë të trajnojnë njësitet e KFOR-it, për të garantuar lirinë e lëvizjes në kohë krizash dhe ‘konsistojnë në një seri të simulimeve taktike dhe aktiviteteve logjistike, përfshirë pajisje të rënda dhe helikopterë”.

Njoftimi për këto stërvitje vjen në kohën kur autoritetet e Kosovës bëjnë thirrje për heqjen e barrikadave të ngritura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.

KFOR-i ka bërë të ditur më 16 dhjetor se e ka shtuar numrin e ekipeve patrulluese në veri.

Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor në këtë pjesë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Pantiq dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.

Komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – janë të banuara me shumicë serbe.

Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pret që KFOR-i t’i largojë këto barrikada, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pret që barrikadat të hiqen nga personat që i kanë ngritur ato.

Së fundi, autoritetet serbe i kanë dërguar kërkesë KFOR-it për angazhimin e deri në 1.000 pjesëtarëve serbë të sigurisë në Kosovë, duke u thirrur në rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Rezoluta 1244

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

Misioni i NATO-s, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë pranimin e kërkesës dhe ka thënë se është “duke e shqyrtuar atë”.

Përndryshe, sot disa protestues kanë nisur të mblidhen të dielën afër pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë, – në anën e territorit serb – si shenjë mbështetjeje ndaj serbëve lokalë që kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës. Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pret që KFOR-i t’i largojë këto barrikada, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pret që barrikadat të hiqen nga personat që i kanë ngritur ato.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button