Taravari: Dërgimi i mundshëm i Viktor Dimovskit si ambasador në Francë paraqet tallje, Pendarovski ta refuzojë

Aleanca për Shqiptarët nuk pajtohet me dërgimin e mundshëm të Viktor Dimovskit si ambasador në Francë. Ai, siç deklaroi i pari i ASh-së është i papërshtatshëm dhe i padenjë, pasi ai është në qendër të skandalit të dhënies së shtetësisë së ukrainasit kontrovers, Onishçenkos. Kjo për ta paraqet tallje me partnerët e vendit si Franca dhe kërkoi nga presidenti i vendit që ta refuzojë të njëjtin, shkruan Portalb.mk.

“Sipas informatave që kemi, Dimovski më herët ka marrë agremanin nga autoritetet franceze, por dërgimi i tij në Paris është zvarritur për shkak të kalkulimeve brenda koalicinionit qeveritar për zëvendësimin e tij në krye të Agjencisë për Siguri Nacionale. Natyrisht, procedura për dekretimin e tij ka marrë një dimension tjetër pas plasjes së skandalit Onishçenk, në qendër të së cilit gjendet Dimovski. Siç e kemi thënë edhe më herët, skandali Onishçenko ka rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë nacionale dhe ka minuar regjimin e sanksioneve të SHBA-së dhe politikën e jashtme të BE-së”, deklaroi Taravari.

Viktor Dimovski sipas Taravarit është kandidat i papërshtatshëm dhe i padenjë për të ushtruar funksione diplomatike dhe përfaqësuar vendin, në mesin e të cilave Taravari përmendi tre pika edhe atë:

“1. E kaluara e Dimovskit ngre shqetësime kur bëhet fjalë për lidhjet e tij të ngushta me Serbinë, të theksuara nga partnerët tonë amerikanë dhe tanimë të njohura edhe nga publiku.

  1. Si drejtor i Agjencisë për Siguri Nacionale, Dimovski është shquar për lëshimin e çertifikatave të sigurisë për individë të korruptuar dhe nën hetime. Dimovski ka shkelur të drejtat themelore të më shumë se 20.000 qytetarëve të këtij vendi, të cilëve u është mohuar në mënyrë arbitrare shtetësia e Maqedonisë së Veriut nga Agjencia e Sigurisë Nacionale. Në mënyrë krejt ironike duke marrë parasysh skandalin Onishçenko, qytetarëve tonë u është mohuar shtetësia shpeshherë nën arsyetim totalitar se ata paraqesin rrezik për shtetin. Kujtojmë se ky numër prej më shumë se 20.000 aplikimeve të bllokuara nga Dimovski është dhënë publikisht nga kryeministri Kovaçevski.
  2. Nuk ka asnjë dilemë se Dimovski mban përgjegjësi në skandalin Onishçenko, si drejtor i Agjencisë së Sigurisë Nacionale. Dimovski kishte autoritetin përfundimtar në dhënien e mendimit pozitiv për oligarkun rus dhe duhet të japë llogari për këtë në kuadër të hetimeve që po zhvillohen dhe duhet të shkojnë deri në fund. Nga vetë fakti se qeveria ia ka marrë shtetësinë Onishçenkos pas presionit të partnerëve ndërkombëtarë, tanimë është pranuar se ka patur shkelje, dhe rrjedhimisht duhet të ketë edhe llogaridhënie.”

Për këtë, Taravari theksoi tre kërkesa drejtuar institucioneve të vendit dhe francezëve:

“E para, kërkoj nga Ministria e Punëve të Brendshme që të publikojë menjëherë raportin e hetimit në lidhje me përgjegjësinë e Agjencisë së Sigurisë Nacionale në skandalin Onishçenko. Interesi i përgjithshëm imponon që qytetarët dhe prokuroria të dinë të vërtetën për këtë rast korruptiv i cili nuk guxon të diskutohet më vetëm në seanca të mbyllura mbrapa syve të publikut.

E dyta, kërkoj nga Presidenti Pendarovski që të refuzojë dekretimin e Dimovskit për arsyet që sapo dhashë. Nga Presidenti i vendit, pritet mbrojtja e interesit shtetëror dhe i raporteve me aleatët, dhe jo ulje në nivel të pazareve midis partive politike për një individ të komprometuar dhe të padenjë për pozitë ambasadori.

E treta, nëse megjithatë Dimovski dekretohet, inkurajojmë miqtë tonë francez që të mos e pranojnë të njëjtin si ambasador në Paris. Si evropian i bindur, si adhurues i Francës dhe i vlerave të saj iluministe dhe humaniste, besoj se prania e Dimovskit në korin diplomatik të akredituar në Paris do të ishte një fyerje për Francën. Individi në fjalë është saktësisht e kundërta e asaj që përfaqëson Franca. Për më tepër, dua të besoj se Franca nuk do të lejojë që të përdoret si mburojë duke i dhënë imunitet diplomatik një individi të përfshirë në një skandal të tillë me përmasa ndërkombëtare, pa u dëshmuar pafajësia e tij”, theksoi Tarvari.

Mes tjerash ai përmendi se kjo paraqet tallje me partnerët kryesorë të vendit, pa të cilët vendi nuk do të ishte as në NATO as në pritje të hapjes së negociatave për BE.

“ SHBA-të e kanë refuzuar Fërçkovskin, BE e ka refuzuar Arifin, uroj dhe shpresoj se Franca do të refuzojë Dimovskin”, përfundoi Taravari.

Kujtojmë që Viktor Dimovski nuk është më drejtor i Agjencisë për siguri kombëtare (ASK) pasi siç deklaroi kryeministri, ai duhet të jetë ambasador i vendit në Paris.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut me 6 dhjetor vendosi të anulohet vendimi për pranimin e Oleksandër Onishçenkos në shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ish drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, Viktor Dimovski, ka pranuar se gjatë dhënies së mendimit pozititiv për dhënien e shtetësisë oligarkut kundërthënës ukrainas, Oleksandr Onyshenko, janë bërë “lëshime të sigurisë”

Oligarku ukrainas, Oleksandr Onyshenko, ishte deputet në Parlamentin e Ukrainës në vitin 2012 nga Partia e Rajoneve të ish-presidentit pro-rus Viktor Janukoviq. Pas ndërrimit të qeverisë në vitin 2014, ai u bë partner biznesi me presidentin e ri, Petro Poroshenko, deri në vitin 2016, kur Komisioni ukrainas kundër korrupsionit hapi lëndë kundër tij. Më pas ai u arratis në Spanjë. Autoritetet spanjolle kishin vendosur ekstradimin e tij bazuar në fletarrestin ndërkombëtar nga Kievi, por Onyshenko arriti të ekstradohet në Gjermani. Ky shtet në vitin 2020 ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për ekstradim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button