Rusia do dërgojë muzikantë në front të luftës për t’ua ngritur ushtarëve moralin

Rusia ka thënë se do të angazhojë muzikantë në front të luftës në Ukrainë, për të rritur moralin e ushtarëve të saj, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se është duke punuar në formimin e “brigadës kreative në vijë të frontit”, duke përfshirë vokalistë dhe muzikantë.

Qeveria ruse ka thënë se ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka vizituar ushtrinë në Ukrainë.

Në një deklaratë të publikuar në Telegram, autoritetet kanë thënë se Shoigu “ka shkuar në zonat ku janë të angazhuar trupat dhe ka kontrolluar avancimin e njësiteve në kuadër të operacionit special ushtarak”.

Këto raportime vijnë pasi zyrtarë britanikë të Mbrojtjes kanë thënë se morali i ulët vazhdon të jetë “pikë e ndjeshme në mesin e ushtrisë ruse”.

Në krijim e sipër të brigadës kreative, Rusia ka nisur një fushatë, duke iu bërë thirrje banorëve që të japin instrumentet muzikore si donacione.

Sipas mediumit rus, RBC, brigada do të përbëhet nga trupat e rekrutuar si dhe nga “artistët profesionistë që i janë bashkuar ushtrisë në mënyrë vullnetare”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button