Gjermania paralajmëroi qytetarët e saj që udhëtojnë në RMV të jenë të kujdesshëm nga kërcënimet me bomba

Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka paralajmëruar qytetarët e saj që të jenë të kujdesshëm nëse udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut për shkak të kërcënimeve me bomba, transmeton Portalb.mk.

Në njoftim thuhet të tregohen të kujdesshëm, të informohen me kohë për situatën aktuale dhe të respektohen rekomandimet e autoriteteve lokale dhe forcave të sigurisë.

“Kërcënime me bomba ndaj institucioneve dhe objekteve publike janë regjistruar së fundi në kryeqytet- Shkup. Fillimisht ata synuan shkollat ​​dhe objektet qeveritare, por hotelet dhe institucione të tjera joqeveritare janë prekur që atëherë. Më në fund, ishte i nevojshëm evakuimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku trafiku duhej të ndalohej përkohësisht. Duhet pasur parasysh kufizimet dhe problemet e trafikut”, thuhet në informacionin e MPJ-së gjermane.

Maqedonia e Veriut, ashtu sikur edhe shtetet e rajonit, në periudhën e kaluar është duke u përballur me kërcënime për vendosje të bombave nëpër objekte dhe vende publike. MPB pas çdo kërcënimi i ka evakuuar qytetarët, megjithatë ende nuk mund të bie në gjurmë të dërguesve të e-mailave, të cilat kanë krijuar kaos të vërtetë.

Portalb.mk shkruajti se ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba nëpër objekte shkollore, qendra tregtare dhe institucione vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski ka deklaruar se kjo është pjesë e të ashtuquajturës luftë hibride dhe sigurisht duhet të jetë për shkak të interesave gjeostrategjike të cilat praktikohen mu në këtë zonë, duke mos hedhur poshtë nëse sulmet e tilla janë me prapavija ruse. Ai madje ka njoftuar se në kuadër të MPB-së është themeluar një shtab special.

Për kryeministrin Dimitar Kovaçevski nuk ka dyshim se këto janë sulme hibride ndaj shtetit dhe se ky është një akt monstruoz. Raportimet për bomba të vendosura kanë për qëllim destabilizimin e vendit dhe të gjithë rajonit, pasi raste të tilla janë regjistruar edhe në vendet fqinje.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ka bërë të ditur se tashmë kanë njoftuar strukturat e NATO-s për denoncimet e vazhdueshme për mjete shpërthyese në Maqedoninë e Veriut.

Spasovski më 19 nëntor deklaroi se së shpejti do të ketë rezultate nga hetimi për paralajmërime për bomba, të cilat krijojnë shqetësim në opinion tashmë një kohë të gjatë. Por, deri më tani s’ka kurrfarë njoftimi se kush qëndron prapa këtyre alarmeve të rrejshme që i shqetësojnë qytetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button