Osmani: NATO e analizon situatën me kërcënimet kibernetike, shteti është stabil

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në konferencën e sotme theksoi që NATO me marrjen e informatave zyrtare nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, filloi të analizojë kërcënimet për vendosjen e bombave në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet tjera anëtare në rajon, transmeton Portalb.mk.

“Fakti që janë dy ose tre anëtarë të NATO, është informuar Aleanca. Aleancën nuk e informuam që ajo të vjen këtu të realizojë hetime, sepse nuk i ka ato mekanizma, por për shkak kontestit rajonal. Ne ishim në komunikim me MPB-në në aspektin se si të ndihmojmë në kërkesën për mbështetje, dhe MPB-së i kemi treguar që NATO nuk është adresa konkrete për këtë çështje, pasi kjo kërkon hetime policore”, deklaroi Osmani, duke vlerësuar se siguria në vend është stabile.

Ai sqaroi që hetimet e MPB-së duhet të bëhen me shtetet partnere, pasi mesazhet kërcënuese vijnë nga IP adresat e huaja, duke vlerësuar se kemi të bëjmë me sulme hibride.

Maqedonia e Veriut, ashtu sikur edhe shtetet e rajonit, në periudhën e kaluar është duke u përballur me kërcënime për vendosje të bombave nëpër objekte dhe vende publike. MPB pas çdo kërcënimi i ka evakuuar qytetarët, megjithatë ende nuk mund të bie në gjurmë të dërguesve të e-mailave, të cilat kanë krijuar kaos të vërtetë.

Portalb.mk shkruajti se ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba nëpër objekte shkollore, qendra tregtare dhe institucione vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.

Për kryeministrin Dimitar Kovaçevski nuk ka dyshim se këto janë sulme hibride ndaj shtetit dhe se ky është një akt monstruoz. Raportimet për bomba të vendosura kanë për qëllim destabilizimin e vendit dhe të gjithë rajonit, pasi raste të tilla janë regjistruar edhe në vendet fqinje.

“Këto sulme hibride janë për shkak të qëllimeve gjeostrategjike ose atyre lokale. Ato u bënë veçanërisht të shpeshta pas fillimit të konfliktit ushtarak në Ukrainë. Ndaj këtij llojit të sulmeve janë të ekspozuara edhe Serbia, Mali i Zi, por ka edhe në Zelandën e Re, SHBA, Kanada dhe Gjermani”, deklaroi Kovaçevski.

Ai vlerëson se MPB-ja nuk ka dështuar në detyrën e saj, pavarësisht se për tre muaj nuk ka arritur ta zbulojë autorin apo autorët e mesazheve kërcënuese. Kryeministri e konfirmoi se porositë dërgohen nga jashtë shtetit dhe se po dërgoheshin nga jashtë dhe se bëhet fjalë për rrjete private virtuale (VPN).

Spasovski më 19 nëntor deklaroi se së shpejti do të ketë rezultate nga hetimi për paralajmërime për bomba, të cilat krijojnë shqetësim në opinion tashmë një kohë të gjatë. Por, deri më tani s’ka kurrfarë njoftimi se kush qëndron prapa këtyre alarmeve të rrejshme që i shqetësojnë qytetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button