Faturim fiks për rrymën dhe ujin e shpenzuar në Maqedoninë e Veriut

Faturat fikse, leximet e parregullta dhe ndërrimi i matësve të ujit, janë vetëm disa nga ankesat që mund të dëgjohen shpesh në sportelet e faturimit të ndërmarrjeve të kompanive furnizuese të energjisë elektrike dhe të ujësjellësit në Shkup, raporton REL.

Avni Kamberi, pensionist nga Shkupi thotë se është pagues i rregullt i faturave, por të rregullta thotë se nuk janë edhe ndërmarrjet që i furnizojnë qytetarët me ujë dhe energji elektrike.

Ai thotë se ndodh që matësit në shtëpinë e tij, qoftë të ujit apo të energjisë elektrike, të mos kontrollohen me muaj dhe për pasojë i vijnë fatura fikse, shumë më të larta sesa shpenzimet reale.

“Harxhimet janë shumë të ulëta ndërsa llogaria [fatura] është shumë e lartë. Pra, më shumë para jemi duke dhënë për EVN-në [kompania energjetike] sesa për ushqim dhe mirëmbajtje tjera. Çdo fitim që bëjmë, po ia japim EVN-së dhe këtë s’mundemi ta përballojmë edhe më tej kur dihet se shumica e popullatës mbijeton me ndihma sociale prej 2000 denarësh [për person], ndërsa faturat arrijnë deri në 6000 denarë [afër 100 euro]. Ku t’i marrim këto para”, thotë Kamberi.

Joshko nga Shkupi, jeton me qira në një ndërtesë të sapondërtuar në një lagje të kryeqytetit, por tani dy vjet nuk ka marrë asnjë faturë uji.

Ai thotë se ndërmarrja e ujësjellësit nuk i njeh matësit që janë vendosur në këtë objekt banimi, ndërkohë që borxhet u grumbullohen dhe qiramarrësit nuk dinë çfarë të bëjnë dhe shpesh ndodh që atyre u ndërpritet furnizimi me ujë.

“Faturat po rriten, ne nuk paguajmë asgjë për ujin, vetëm presim të na shkyçin, sepse borxhi ndaj ndërmarrjes së ujit është i madh. Ne po organizohemi, po mundohemi ta zgjidhim problemin. Kemi mbledhur para për të paguar ujësjellësin, por ky nuk është problemi ynë sepse kemi paguar për apartamentin. Na vijnë të gjitha faturat dhe vetëm ajo për ujin mungon”, thotë Joshko.

Nga ndërmarrja e ujit thonë për Radion Evropa e Lirë se faturat mund të vonohen, por ato përmbajnë shumën fikse të shpenzimit të ujit, por se ka raste kur në sistem kyçen edhe objekte të paregjistruara.

“Kemi mbajtur takime me pronarët e disa objekteve që kanë vendosur matës të tyre që nuk janë të njëjtë me të kompanisë sonë. Pavarësisht lëshimeve që kanë bërë, ne i kemi ofruar të vendosin matësit tanë me mundësi leximi nga distanca, por akoma nuk kemi përgjigje nga ana e tyre”, thonë nga ndërmarrja e ujësjellësit.

Ndërkohë, nga kompania e energjisë elektrike EVN thonë se matësit e tyre mund të mos lexohen me kohë, por sigurojnë konsumatorët se edhe në rast se paguajnë më tepër sesa që kanë shpenzuar, paratë e tyre do të kompensohen në faturën e radhës.

“Aq sa kanë shpenzuar, aq edhe do të paguajnë. Çdokush mund të ketë qasje në sistemin elektronik të pagesave dhe të denoncojnë parregullsitë e mundshme”, thonë nga kompania.

E, ndërsa problemi prej vitesh nuk zgjidhet dhe askush nuk reagon, qiramarrësit shprehen të shqetësuar se kjo situatë do të ndikojë në xhepat e tyre në të ardhmen dhe se do të bëhen viktima të mosmarrëveshjeve mes institucioneve. Qindra ankesa të qytetarëve ka pranuar edhe zyra e Avokatit të Popullit.

“Qytetarët shpesh ankohen për lexime jo të rregullta të matësve, si dhe për kalkulime fikse të faturave. Nuk mund të them se kemi një bashkëpunim të mirë në pjesën që ka të bëjë me të drejtat e qytetarëve, pasi ata nuk kanë mundësi të kontrollojnë nëse matësit e tyre janë në rregull pasi ndërmarrjet që kryejnë shërbimin, janë të vetmet që e bëjnë një gjë të tillë. Ne i pranojmë reagimet dhe i paraqesim para organeve kompetente. Por, nëse do të kishte lexime të rregullta të matësve, një situatë e tillë nuk do të kishte ndodhur fare”, thotë zëvendësi i Avokatit të Popullit, Jovan Andonovski.

E gjithë kjo, sipas disa ekspertëve, tregon joefikasitetin e punës së ndërmarrjeve publike. Sipas profesorit universitar, Temelko Ristovski, kjo është rezultat i vendosjes një dekade të njerëzve në pozita udhëheqëse sipas çelësit partiak, si dhe mungesës së përgjegjësisë së ndërmarrjeve që ofrojnë shërbim publik.

“Mungesa e ekspertizës edhe në ndërmarrjet publike është e dukshme, sepse është fakt se me dekada, veçanërisht në poste përgjegjëse, janë vendosur njerëz të afërt me grupet politike, gjë që nuk është mirë. Në vend që të punësohen njerëz që i dinë gjërat, ndodh e kundërta, andaj edhe paraqiten probleme të kësaj natyre që e ulin efikasitetin e ndërmarrjeve publike”, thotë profesori Ristovski për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, sipas raporteve financiare, ndërmarrjet publike janë të zhytura në borxhe, në veçanti ajo e ujësjellësit. Sipas raportit të Ministrisë së Financave, vetëm në dhjetë muajt e parë të vitit ajo ka regjistruar një borxh prej 7.5 milionë eurosh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button