BE-ja e mbyll vitin me më shumë ndihmë për Ukrainën, sanksione shtesë ndaj Rusisë

Bashkimi Evropian miratoi 18 miliadë Euro ndihmë për Ukrainën për vitin e ardhshëm dhe një paketë të re sanksionesh ndaj Moskës. Udhëheqësit e BE-së e bënë njoftimin në takimin e fundit të nivelit të lartë për këtë vit, raporton VOA.

BE-ja thotë se marrëveshja për 18 miliardë euro për vitin e ardhshëm, tregon angazhimin e bllokut ndaj Ukrainës.

“Bashkimi Evropian e ka mbështetur financiarisht Ukrainën këtë vit me 19.7 miliardë euro. Dhe përsëri falë presidencës çeke, sot u miratua propozimi ynë për 18 miliardë euro shtesë për vitin 2023. BE-ja është në krye të mbështetjes për fqinjin e saj, ashtu siç duhet të jetë dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Kancelari gjerman Olaf Scholz u bëri jehonë komenteve të udhëheqësve të bllokut, duke thënë se vendet e BE-së mbështesin me vendosmëri sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Ne theksuam edhe një herë se strategjia e mbrapshtë ruse për të shkatërruar infrastrukturën e Ukrainës dhe për të ekspozuar qytetarët e saj ndaj të ftohtit brutal të dimrit nuk duhet të jetë e suksesshme – dhe nuk do të jetë e suksesshme. Vendosmëria jonë e përbashkët për të mbështetur Ukrainën politikisht, financiarisht, ushtarakisht dhe në fushën humanitare për aq kohë sa është e nevojshme, mbetet e palëkundur”, tha ai.

Udhëheqësit e BE-së ranë dakord gjithashtu për një paketë të nëntë sanksionesh kundër Moskës, për të vendosur në listën e zezë gati 200 persona të tjerë dhe për të ndaluar investimet në industrinë minerare të Rusisë.

“Ne po gjejmë një mënyrë për të dënuar me vendosmëri (Rusinë për veprimet e saj në) Ukrainë, për të ushtruar presion mbi makinën e luftës së Kremlinit dhe, në të njëjtën kohë, për të garantuar sigurinë ushqimore”, tha zoti Michel.

Vendimi, që kërkonte unanimitet, u mor pasi Polonia dhe Lituania kishin paralajmëruar se nga përjashtimet nga sanksionet e lidhura me sigurinë ushqimore mund të përfitonin oligarkët rusë që kontrollojnë biznesin e plehrave.

Zonja von der Leyen përgëzoi gjithashtu Kroacinë për hyrjen në zonën Shengen dhe shprehu shpresën për përfshirjen e shpejtë të Rumanisë dhe Bullgarisë.

“Rumanisë dhe Bullgarisë u them se e mbështesim plotësisht pranimin tuaj në Shengen. Ne do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për të mundësuar hyrjen tuaj juaj në Shengen sa më shpejt të jetë e mundur vitin e ardhshëm”, tha ajo.

Dy vendet nuk arritën të hyjnë në Shengen këtë muaj për shkak të kundërshtimit të Austrisë e cila që kishte shprehur shqetësime për aftësinë e dy vendeve për të frenuar imigracionin dhe për të garantuar sigurinë në kufijtë e BE-së.

Udhëheqësit e BE-së diskutuan gjithashtu për hapat e nevojshme në përgjigje të Ligjit për Reduktimit të Inflacionit në Shtetet e Bashkuara, që ata shqetësohen se do të ndikojë negativisht tek bizneset evropiane.

“Ne po punojmë me administratën e presidentit Biden për aspektet më shqetësuese të ligjit. Së dyti, ne duhet të përshtasim rregullat tona të ndihmës për shtetet, duke i bërë më të thjeshta, më të shpejta dhe a më të parashikueshme. Së treti, ne duhet të rrisim investimet evropiane për të përshpejtuar tranzicionin energjetik”, tha ajo.

Në takim iu kërkua Komisionit të BE-së që të bëjë propozime konkrete në fillim të vitit të ardhshëm për të mbështetur industritë më të përparuara të BE-së – përfshirë bioteknologjinë dhe Inteligjencën Artificiale, duke ruajtur gjithashtu aftësinë konkurruese brenda tregut të përbashkët me 450 milionë konsumatorë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button