RMV, emërimet në postet e larta janë partiake dhe pa procedurë për përcaktimin e cilësisë, problemi s’gjen zgjidhje

Institucionet në Maqedoninë e Veriut, pothuajse gjithmonë drejtohen nga emra partiakë me formim profesional të panjohur, në kurriz të profesionistëve të kualifikuar me merita dhe kompetenca. Kuadri ligjor i papërcaktuar aktualisht lejon keqpërdorim dhe ndarjen e pozitave në procedura jo transparente bazuar në lidhjet shoqërore, vlerëson dokumenti i IDSCS-së për politika publike “Shërbimi i lartë udhëheqës- Dallimi ndërmjet politikes dhe asaj profesionales“. Ligji për shërbimin e lartë udhëheqës, i cili duhet të zgjidhë këtë problem, është në përgatitje prej disa vitesh dhe përgjegjësia për përpilimin e plotë të tij është bartur në institucione të ndryshme. Ajo që pritet është zgjidhja e problemeve shumëvjeçare me emërimet jo transparente dhe ndarjen partiake të posteve që janë bazë e koalicioneve politike në kurriz të zgjidhjeve cilësore, transmeton Portalb.mk.

“Ligji duhet të sigurojë që përzgjedhja dhe emërimi do të bazohen në merita dhe kandidatët më të përshtatshëm do të zgjidhen për një pozicion të lartë të caktuar. Si emërohet në RMV? Emërimi i personave në poste të larta është temë e diskutimit publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe ndër vite ka përjetuar të njëjtat probleme për të cilat zgjidhjet e propozuara nuk janë zbatuar plotësisht. Një nga problemet kryesore janë emërimet partiake të njerëzve besnikë të strukturave qeverisëse pa procedurë paraprake për përcaktimin e cilësisë së kandidatëve. Proceset shpeshherë janë jo transparente që në fillim me (mos) publikimin e shpalljes, përmes procedurave të vlerësimit dhe në fund përzgjedhjes së personit që duhet të drejtojë një organ shtetëror”, thuhet në dokument.

Kjo praktikë, shumëvjeçare e përzgjedhjes, vlerësohet më tej, vë në dyshim të gjithë procesin, por edhe aftësinë e kandidatit për të bërë një ndryshim thelbësor në vendin e punës. E gjithë kjo “bëhet e mundur” nga mungesa e një kuadri ligjor që do të rregullojë emërimin dhe do të përcaktojë kriteret e përzgjedhjes në një shërbim të lartë drejtues.

Pas çdo ndryshimi të përbërjes qeveritare, jemi dëshmitarë të emërimeve të motivuara nga krijimi i koalicioneve. Shpërndarja e pozitave ndërmjet partive politike në vend të profesionistëve përkatës për këtë pozitë. Më shpesh, shpërndarja e pozicioneve zhvillohet në kuadër të partive. Por ajo që vihet re është se cilësia e kandidatëve të propozuar për poste të larta ndër vite është dukshëm e ulët. Kjo tregon se vetë partitë ose nuk kanë personel cilësor, ose nuk kanë një proces dhe kriter të qartë për përzgjedhjen e brendshme, ndaj ndikimi në parti vendos se kush do të emërohet në një pozicion në shërbimin drejtues”, thuhet në dokumentin e IDSCS-së.

Anashkalimi i procesit të emërimeve ndodh edhe përmes vendosjes së emrave të partive në pozitat Ushtrues detyre (UD). Sipas legjislacionit, funksionet e UD-ve parashikohen për tejkalimin e situatave të paparashikuara deri në plotësimin e pozicioneve udhëheqëse me shpalljen e konkursit publik. Shpesh personat mbeten në pozitë edhe pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore të përcaktuar me ligj, ose zëvendësohen me emra nga e njëjta parti politike.

“Kjo praktikë, ku shihet qartë se një pozitë e caktuar i është caktuar një partie politike në koalicion, dekurajon konkurrencën dhe aplikimin e kandidatëve kur në fund shpallet konkursi publik. Praktika e pozitave të UD-ve duke u përdorur si mënyrë për të emëruar drejtorë pa shpallur konkurs për emërim, duhet të kufizohet dhe të lihet mundësia e emërimit të UD-ve, vetëm në nevojë ekstreme për funksionimin e institucionit”, nënvizohet në dokument.

DAP, DHP, administrate, sportel, qytetar, administrata publike shteterore
Foto: Portalb.mk/

Pozicionet dhe standardet nga komuniteti ndërkombëtar

Përmirësimi i kapaciteteve administrative, si dhe reforma e përgjithshme e administratës publike, është një proces afatgjatë, i cili duhet të ofrojë shërbime përkatëse dhe kapacitete të brendshme që do të jenë në një nivel më të lartë. Disa dokumente strategjike rendisin departizimin dhe investimin në kapacitetet e administratës publike si prioritetet kryesore. Arritja e këtyre prioriteteve është një proces afatgjatë që fillon para vetë zgjedhjes, me shpallje publike dhe transparente që do të jenë në dispozicion të kandidatëve.

Rekomandimi i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) për integritetin publik është që anëtarët të promovojnë profesionalizmin dhe sektori publik të bazohet në meritat dhe vlerat e menaxhimit të mirë. Menaxhimi i burimeve njerëzore duhet të zbatohet në mënyrë konsistente dhe transparente, gjë që do të reduktonte presionin nga ndërhyrjet politike, favorizimet dhe nepotizmi. Gjithashtu të ofrohet një sistem i hapur dhe i drejtë, i bazuar në kritere objektive, procedura formale dhe një sistem vlerësimi që mbështet llogaridhënien. Në raportin e Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2022 në mënyrë të qartë thuhet se vendi është i përgatitur mesatarisht për sa i përket reformës së administratës publike, por edhe se rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë zbatuar plotësisht. Një prej tyre është miratimi i Ligjit të ri për shërbimin e lartë drejtues, të cilin vendi duhet ta miratojë dhe të fillojë ta zbatojë në periudhën e ardhshme. Së bashku me ligjet të tjera (Ligji për nëpunësit administrativë, Ligji për të punësuarit në shërbimet publike) duhet të përmirësojë menaxhimin e burimeve njerëzore të administratës dhe të sigurojë një numër më të madh të punësimeve, avancimeve dhe shkarkimeve nga puna të bazuara në merita, duke përfshirë edhe nivelin udhëheqës.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ilustrim - administrata Foto: Borçe Popovski "Kolektif.mk"
Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ilustrim – administrata, foto: Portalb.mk

Ku është ligji i ri për shërbimin e lartë udhëheqës?

Krijimi i Ligjit për shërbimin e lartë udhëheqës ka vite që po prolongohet dhe përgjegjësia për mos miratimin e tij ka kaluar nëpër disa institucione. Një zgjidhje e propozuar ligjore për shërbimin e lartë udhëheqës në Republikën e Maqedonisë së Veriut është përgatitur në vitin 2019 dhe është dorëzuar nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, ndërsa është përcaktuar në seancën e Qeverisë, pas së cilës propozimi është dorëzuar në Kuvend, përkatësisht në Komisionin për sistem politik. Propozimi u tërhoq nga procedura parlamentare nga Ministria e Shoqërisë Informatike, pas një viti nga paraqitja e tij dhe para se të shqyrtohej nga deputetët në seancë plenare. Arsyet për tërheqjen janë plotësimi dhe përshtatja e neneve për harmonizim me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligjin për nëpunësit administrativ. Procesi i finalizimit apo krijimit të një ligji të ri po vazhdon me dyer të mbyllura prej më shumë se një viti. Në maj të vitit 2022, Regjistrit Kombëtar Elektronik të Rregulloreve të Republikës së Maqedonisë së Veriut (ENER) i është bashkangjitur njoftimi për fillimin e përgatitjes së ligjit të ri për SHLU, me afat ku thuhet se draft teksti do të publikohet më 10 maj 2022. Teksti i propozuar nuk ishte vendosur në periudhën e planifikuar fillimisht, pas së cilës Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës në disa prezantime publike deklaroi se është duke u konsultuar në mënyrë plotësuese mes partnerëve të koalicionit. Ministri theksoi se ligji do të bëjë dallimin ndërmjet pozicioneve politike dhe drejtuese në institucionet dhe se do të vendosë mekanizma të qartë të përzgjedhjes, monitorimit dhe vlerësimit të bazuar në merita dhe me mundësi të kufizuar për keqpërdorime.

Procesi i krijimit të Ligjit duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe konsultativ dhe në vend që konsultimi të jetë vetëm me partitë politike, është e nevojshme të përfshihet publiku profesional dhe të hapet diskutim publik. Zgjidhja ligjore duhet të parashikojë ndryshime dhe të mundësojë emërimin dhe përzgjedhjen e profesionistëve të fushës, bazuar në kompetencat e tyre, duke përjashtuar kontaktet personale dhe lidhjet. Ndryshimi kryesor duhet të jetë formimi i një Komisioni, qëllimi i të cilit është të krijojë këshilla për përzgjedhjen e udhëheqësve të lartë, të udhëheqë me procedurat për përzgjedhjen e udhëheqësve të lartë dhe të ndërmjetësojë ndërmjet funksionarëve eprorë dhe udhëheqësve të lartë në rastet e kontesteve në lidhje me përfundimin e parakohshëm të mandatit të udhëheqësve të lartë. Njëkohësisht ky komision duhet të vendosë për shkarkimin e tyre dhe vlerësimin e punës.

Ndryshimi thelbësor që duhet të sjellë ligji është në fakt një praktikë e ndryshme nga ajo aktuale, përmes vendosjes së ndërmjetësimit ndërmjet funksionarëve emërues dhe një procesi përzgjedhjeje që bazohet në tendencat moderne të punësimit të profesionistëve. Në thelb, krahas këtij ndërmjetësimi, vetë procesi që do të vendoste ligji i propozuar është identifikimi i detajuar i profilit të udhëheqësve që kërkohet dhe i kompetencave që nevojiten që të arrihen qëllimet. Komisioni duhet të punojë me integritet dhe të udhëheqë procedurat e përzgjedhjes së udhëheqësve të lartë në mënyrë transparente, nën supozimin se pozitat e reja bazohen në nevojat funksionale të institucioneve

Rekomandimet për këtë fushë

  • Ligji për shërbimin e lartë udhëheqës duhet të krijohet në një proces gjithëpërfshirës që do të përfshijë sa më shumë palë të interesuara.

Konsultimi vetëm me partitë politike në procesin e krijimit të Ligjit për shërbimin e lartë udhëheqës, vë në dyshim procesin, por lë edhe mundësinë e krijimit të një ligji sipas nevojave të partive. Përfshirja e publikut ekspert në proces do të sjellë një perspektivë më gjithëpërfshirëse të Ligjit, me qëllimin përfundimtar krijimin e legjislacionit të zbatueshëm dhe funksional.

  • Duhet të miratohet Ligji për shërbimin e lartë udhëheqës, dhe të fillojë zbatimi i tij

Në pajtim me rekomandimet e Komisionit Evropian në raportet e kaluara, Ligji për shërbimin e lartë udhëheqës duhet të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe të fillojë zbatimi. Prolongimi i ligjit rezulton në vazhdimin e praktikës së emërimeve jotransparente dhe jocilësore në pozita të larta. Përzgjedhja duhet të jetë një proces i qartë i bazuar në kompetencat dhe meritat e kandidatëve ndërkaq do të mbyllet me një shpallje transparente të kandidatit të përzgjedhur.

  •  Të bëhet dallimi i qartë ndërmjet pozicioneve politike dhe funksioneve profesionale, të cilët do të kenë kapacitet për të menaxhuar me institucionet.

Emërimi i profesionistëve bazuar në meritat dhe kompetencat e tyre çon në uljen afatgjatë të rreziqeve nga korrupsioni dhe forcimin e shërbimeve publike. Promovon një perspektivë dhe vlera që rrisin përkushtimin e punonjësve, cilësi dhe kundër peshë ndaj të fuqishmëve politik. Kandidatë cilësorë, të emëruar përmes proceseve transparente të përzgjedhjes rezultojnë me besim më të madh në institucione dhe rritje të produktivitetit dhe efikasitetit në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe komunitetin e biznesit dhe menaxhimin e mirë.

Përzgjedhja e shërbimeve të larta udhëheqëse bazuar në parimin e meritës dhe aftësisë së kandidatëve është baza për udhëheqje përkatëse me institucionin dhe menaxhimin e burimeve. Profesionalizimi i shërbimit të lartë udhëheqës dhe miratimi i ligjit që do të përcaktojë të gjitha standardet e zgjedhjes, përzgjedhjes dhe funksionimit është një problem i kahershëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Reformat në administratë për Maqedoninë e Veriut, përveç që janë nevojë për qytetarët, ata janë edhe kusht për integrimin e vendit në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button