Osmani: Kemi alarmuar NATO-n për paralajmërimet për mjete eksplozive në Maqedoni

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot bëri të ditur se tashmë kanë njoftuar strukturat e NATO-s për denoncimet e vazhdueshme për mjete shpërthyese në Maqedoninë e Veriut. Osmani thotë se bëhet fjalë për kërcënime hibride që po ndodhin edhe në rajon, trasnmeton TV 21.

“Kjo ndodh në rajon. Mali i Zi ka vendosur që shkollat të jenë online për shkak të paralajmërimeve të përditshme për mjete eksplozive në Mal të Zi, e njëjta ndodh në Kroaci dhe kjo më ka dhënë një sinjal se është qasje rajonale si sulm hibrid ndaj rajonit, për çka ishte në një mënyrë arsye për ta alarmuar NATO-n. Dje kemi komunikuar me strukturat e NATO-s, për të parë se çfarë çasje hibride ndaj rajonit mund të ndodhe, ku mund të jetë arsyeja”, tha mes tjerash Osmani duke shtuar se për forenzikën e e-mal kërcënuese po kontaktojnë edhe me partnerë tjerë, me të cilët vendi ka marrëdhënie bilaterale.

Mëngjesin e sotëm, emaile të reja me raportime për mjete shpërthyese të vendosura arritën në disa shkolla, hotele, objekte sportive, si dhe në aeroportin e Shkupit. MPB-ja informoi se kërcënime me bombë ka në dhjetë shkolla në Shkup dhe pesë në Manastir, si dhe në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, Hotelin “Alexandar Palace”, Hotel “Marriott”, qendrën tregtare “East Gate”, sallën sportive “Boris Trajkovski” dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Të gjitha fluturimet u anuluan.

Gjatë ditës së djeshme janë dërguar 49 raporte rekord me kërcënime për bomba të vendosura në shkollat ​​fillore dhe të mesme. Ministri Oliver Spasovski dje tha se për momentin nuk ka të dhëna për shkelje të gjendjes së sigurisë.

Ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba nëpër objekte shkollore, qendra tregtare dhe institucione vijnë prej Rusisë. Ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.

Nga 26 tetori i këtij viti në SPB Shkup disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, në fillim të javës ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare. Nga Ministria e Punëve të Brendshme informuan se të gjitha paraqitjet kanë qenë të rrejshme.

Spasovski më 19 nëntor deklaroi se së shpejti do të ketë rezultate nga hetimi për paralajmërime për bomba, të cilat krijojnë shqetësim në opinion tashmë një kohë të gjatë. Por, deri më tani s’ka kurrfarë njoftimi se kush qëndron prapa këtyre alarmeve të rrejshme që i shqetësojnë qytetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button