Ruskovska: Mijalkovi më telefonoi personalisht që të dorëzohet, por kishte vënë edhe kusht

Ish-drejtuesja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PThP NKOK), Vilma Ruskovska, në daljen e mbrëmshme në podkastin e Laboratorit të reporterëve hulumtues (IRL), kazbuluar se si ka rrjhedhur dorëzimi i ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov, shkurtin e kaluar, kur u zhduk në prag të vendimit për rastin “Target-Fortesa”, transmeton Portalb.mk.

“Kështu rrodhën gjërat. Isha në zyrë dhe më ra telefoni, shikoj Sasho Mijalkov dhe u hutova. Shikoni, ne njihemi që nga viti 2007, kemi bashkëpunuar sepse ai ka qenë drejtor – kemi bashkëpunuar me drejtorin e BSP-së dhe drejtorin e DSK-së, kam pasur numra telefoni nga të dy. Telefonova, në fillim mendova se dikush po bën shaka”, filloi të tregojë Ruskovska në paraqitjen e mbrëmshme në IRL.

Më tej, ajo transmetoi bisedën që ka pasur me Mijalkovin, e cila sipas rrëfimit të saj ka shkuar kështu:

Mijalkov: Prokurore, Sasho këtu.

Ruskovska: Ku je?

Mijalkov: Këtu jam.

Ruskovska: Epo, nuk je.

Mijalkov: Unë dua, kam dëgjuar se më kërkojnë, dua të të dorëzohem.

Ruskovska: Mirë eja, thuaji atij që e ke mbrojtës të vijë dhe po të presim.

Pas bisedës me ish-drejtorin e DSK-së, prokurorja thotë se ka telefonuar shefin e saj, prokurorin republikan Lubomir Joveski. Ai fillimisht nuk i është përgjigjur pasi ka qenë në mbledhjen e atëhershme urgjente që ishte thirrur në Qeveri nga ish-kryeministri Zoran Zaev pikërisht për arratisjen e Mijalkovit.

Më pas prokurori e ka thirrur Ruskovskën, e cila i kishte treguar për bisedën me Mijallkovin, gjatë së cilës zbuloi se edhe ish-kreu i DSK-së i kishte vënë kusht dorëzimit.

“I thashë (Lubomir Joveskit) se Sasho Mijallkov më thirri dhe se dëshiron të dorëzohet në PNKOK. Dhe kështu edhe ndodhi. Poshtë e prisnin hetuesit e prokurorisë. Nuk e kam parë fare sepse kemi siguruar një dhomë në katin e dytë dhe këtu kemi pritur vendimin e gjykatës për arrest shtëpiak, i cili ka qenë kusht për Sasho Mijallkovin – të dorëzohet dhe të shkojë në arrest shtëpiak. Herën e parë i thashë se duhet të flas me prokurorin publik, nuk mund ta marr vetë atë vendim. Dhe kur më thirri prokurori publik, i thashë se Sasho dëshiron të dorëzohet dhe kushti është që të jetë në arrest shtëpiak. Me këtë është pajtuar edhe prokurori publik”, pohon Ruskovska.

Në ndërkohë në PNKOK ka ardhur edhe avokati i Mijallkovit, të cilit prokurori i ka thënë se edhe Joveski është pajtuar që të dorëzohet dhe të shkojë në arrest shtëpiak.

“Ai (avokati) ka kontaktuar me Sashon dhe i ka thënë se prokurori publik është dakord. Pra, Sashon nuk e pashë fare atë ditë, ai ishte në katin e dytë, në ndonjë hapësirë me avokatin e tij dhe hetuesit”, tha Ruskovska.

Vendimi për “Target-Fortesën”, që i referohet përgjimeve masive në vend, është shqiptuar më 26 shkurt 2021. Mijalkovi mori 12 vjet burg për veprat për të cilat akuzohej: bashkim kriminal, keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar dhe shpërblim për ndikim të kundërligjshëm.

Ky aktgjykim nuk është ende i formës së prerë sepse Gjykata e Apelit në Shkup pritet të marrë vendim për ankesat. Në këtë gjykatë në mars të këtij viti është mbajtur seanca publike për aktgjykimin, por ende nuk ka vendim. Në ndërkohë, Mijallkovit iu vjetërsua vepra për marrjen e shpërblimit për ndikim të paligjshëm.

Në prag të dënimit në atë kohë, Mijallkovit i humbën gjurmët mbrëmjen e 21 shkurtit 2021 dhe të nesërmen u lëshua fletarrest ndërkombëtar. Sipas informacioneve të asokohshme të prokurorisë, natën e 20 shkurtit, PNKOK ka marrë indikacionet e para se po përgatitet arratisje dhe që të nesërmen është kërkuar paraburgimi. Më 21 shkurt, Mijalkovi është parë në një bar kafe pranë hotelit Marriott, por pas kësaj kishte humbur çdo gjurmë.

Ish-kreu i DSK-së u dorëzua më 23 shkurt 2021 dhe më pas dha deklaratë të shkurtër për TV 24 në të cilën tha se nuk është larguar fare nga Shkupi, por nuk e ka ditur se ndaj tij është lëshuar urdhërarrest, pasi kishte temperaturë 40 gradë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button