Greqi, Kathimerini: Shqiptarët si akrepi me bretkosën

Gazeta e njohur greke “Kathimerini” i dedikon sot një kryeartikull vendit tonë, vetëm pak ditë pas deklaratës së ministrit të Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, i cili tha se do të hetohet çështja e paktit detar me Greqinë dhe gjithashtu dhe pas vizitës në Tiranë të eurokomisionerit të BE-së Stefan Fyle. Sipas Bushatit, Ministria e Jashtme ka bërë kallëzim penal dhe ka dorëzuar një dosje të plotë mbi të gjithë procedurën e negociatave të bërë nga qeveria e mëparshme dhe që u finalizua në 2009-ën.

Gazetari grek Stavros Cimas e nis shkrimin me vizitën e zyrtarit të lartë të BE-së, 3 ditë më parë në Tiranë dhe me mundësinë reale që Shqipëria ka për të marrë statusin e vendit kandidat:

“Në një të ardhme të afërt, fqinji ynë Shqipëria, do të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Kështu tha pak ditë më parë Eurokomisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle, i nxitur nga reformat që ka realizuar Tirana, e për këtë arsye komisioni i ka rekomanduar bordit të Ministrave të Jashtëm në fund të qershorit, t’i hapë Shqipërisë dritën jeshile. Greqia, një nga të paktat vende, ndoshta si Italia dhe Austria, realisht dëshiron që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes evropiane dhe ka tentuar të ofrojë edhe ndihmën e saj por sjellja e liderëve shqiptarë, kohët e fundit ngjan me atë të një akrepi helmues apo më mirë akrepi në përrallën e bretkosës”.

Gazeta shkon më tej në paralelizma, duke shpjeguar edhe historinë ku akrepi i ka kërkuar bretkosës ta kalojë atë nga një breg në bregun tjetër sepse nuk dinte not.

Bretkosa në dyshim, i lutet atij t’i premtojë se nuk do ta pickojë ndërsa e kalonte mbi kurriz dhe ai ia premtoi.

“Në mes të rrugës, akrepi e pickoi në kurriz dhe bretkosa e frikësuar i tha: Çfarë po bën, do na mbysësh të dyve…akrepi iu përgjigj: Skam çfarë të bëj, është në natyrën time…!”

Sipas “Kathimerini-t” e njëjta gjë po ndodh edhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në një kohë që Athina zyrtare po lufton në Bruksel për të mbështetur Shqipërinë në aspiratat e saj, liderët shqiptarë nuk humbasin asnjë shans dhe mundësi ta gozhdojnë vendin tonë me një goditje helmi.

Gazeta greke nënvizon se në një kohë që marrëdhëniet e nënshkruara pak kohë më parë mes dy qeverive, mes të cilave ajo për toponimet, Tirana zyrtare në përpjekje për të lënduar e goditur opozitën, nuk heziton të kritikojë Greqinë për synime grabitqare.

“Bushati e bëri këtë pasi Greqia mbështeti Shqipërinë në Bruksel, që ajo të marrë statusin e lakmuar të vendit kandidat dhe pak ditë pasi Athina kishte bërë një “dhuratë” në çështjen e toponimeve në pasaporta, kundër viktimizimit të mijëra emigrantëve në kufi.

“Kanë të drejtë ata në Bruksel, që nuk i pranojnë fqinjët tanë të mirë në banesën e madhe evropiane, duke iu atribuuar atyre dygjuhësinë dhe “djallëzitë e Ballkanit”,shkruhet në gazetën “Kathimerini”./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button