MPB: Raporti për bombë në aeroportin e Shkupit ishte i rremë

Në aeroportin e Shkupit dhe në disa shkolla kanë përfunduar kontrollet dhe është konstatuar se bëhet fjalë për njoftime të rreme, konfirmojnë për Meta.mk nga MPB. Nga aty kanë bërë të ditur se pas përfundimit të kontrolleve në objektet e tjera do të dalin me më shumë informacion, transmeton Portalb.mk.

Mëngjesin e sotëm, emaile të reja me raportime për mjete shpërthyese të vendosura arritën në disa shkolla, hotele, objekte sportive, si dhe në aeroportin e Shkupit. MPB-ja informoi se kërcënime me bombë ka në dhjetë shkolla në Shkup dhe pesë në Manastir, si dhe në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, Hotelin “Alexandar Palace”, Hotel “Marriott”, qendrën tregtare “East Gate”, sallën sportive “Boris Trajkovski” dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Të gjitha fluturimet u anuluan.

Gjatë ditës së djeshme janë dërguar 49 raporte rekord me kërcënime për bomba të vendosura në shkollat ​​fillore dhe të mesme. Ministri Oliver Spasovski dje tha se për momentin nuk ka të dhëna për shkelje të gjendjes së sigurisë.

Ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba nëpër objekte shkollore, qendra tregtare dhe institucione vijnë prej Rusisë. Ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.

Nga 26 tetori i këtij viti në SPB Shkup disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, në fillim të javës ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare. Nga Ministria e Punëve të Brendshme informuan se të gjitha paraqitjet kanë qenë të rrejshme.

Spasovski më 19 nëntor deklaroi se së shpejti do të ketë rezultate nga hetimi për paralajmërime për bomba, të cilat krijojnë shqetësim në opinion tashmë një kohë të gjatë. Por, deri më tani s’ka kurrfarë njoftimi se kush qëndron prapa këtyre alarmeve të rrejshme që i shqetësojnë qytetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button