Pendarovski: Ekipi amerikan i sanksioneve nuk ishte këtu për të na zgjidhur problemet në gjyqësi, ajo është punë e jona

Vizita e ekipit amerikan të sanksioneve është me qëllim të skanimit të situatës në gjyqësor, por mesazhi politik nga kjo është se duhet t’i përfundojmë gjërat vetë në shtëpi në atë sferë, konsideron presidenti Stevo Pendarovski, duke sqaruar se kanë ardhur edhe më parë dhe do të vijnë edhe në të ardhmen”, për të mbledhur informacion mbi bazën e të cilit formohet lista e subjekteve nën sanksione, shkruan MIA, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje tha se Qeveria nuk i ka thirrur hetuesit amerikanë në vend dhe se bëhet fjalë për aktivitetet e Ambasadës Amerikane në vend si pjesë e përpjekjeve të SHBA-ve në vendet që i konsiderojnë partnerë strategjikë.

Ekipi i sanksioneve nga Uashingtoni që mbërriti në vend javën e kaluar, sipas njoftimeve të ambasadores amerikane, Angela Ageler, synon “të hedhë një vështrim më agresiv ndaj ish-aktorëve të korruptuar dhe ata aktual dhe të marrë në konsideratë të gjitha përgjigjet e mundshme”, me vlerësimin se sektorit të drejtësisë në vend i duhen më shumë hetime dhe duhen ndjekje penale për të treguar se askush nuk është mbi ligjin.

Presidenti Pendarovski, për ekipin amerikan të sanksioneve, thotë se janë diplomatë të Departamentit të Shtetit, të cilët “kanë ardhur edhe më parë dhe do të vijnë edhe në të ardhmen” dhe të cilët mbledhin informacione për atë që po ndodh në sferën e gjyqësorit, edhe më tej plotësisht autonom dhe të pavarur nga ne, formojnë atë të ashtuquajtur listë e zezë ose listën e subjekteve nën sanksione.

“Dhe cili është mesazhi më i rëndësishëm politik, të cilin e kam thënë dhe dua ta përsëris. Sa herë që vijnë nuk vijnë të mbarojnë as punën time, as punën tuaj, as të gjykatave e të prokurorive. Është një çështje krejtësisht e pavarur, sikurse edhe Raporti për të drejtat e njeriut që Departamenti i Shtetit e publikon çdo vit”, shpjegon Pendarovski.

Kryeministri Kovaçevski thotë se nëse shikohet Strategjia e SHBA-së për luftën kundër korrupsionit nga viti 2021, shumë qartë janë të theksuara rreziqet për ekonominë dhe mënyrën e jetesës dhe mënyrat se si ky vend merret me korrupsionin në shtetin e vet, por edhe në vendet që i konsideron si partnerë strategjikë.

“Ne kemi një dialog strategjik me SHBA-në, në kuadër të të cilit kemi vite që marrim ndihmë përmes asistencës financiare, materiale, të personelit në avancimin e institucioneve tona. Këto aktivitete janë pjesë e aktiviteteve të Ambasadës dhe, siç tha edhe zëvendëskryeministrja, nuk bëhet fjalë për ndonjë kërkesë, por se është pjesë e punës së Shteteve të Bashkuara në trajtimin e korrupsionit, promovimin e shtetit ligjor, në vendet që i konsiderojnë partnerë strategjikë”, tha Kovaçevski.

Mbajtja e qëndrimit të prerë për korrupsionin dhe situatën në rajon ishte një nga temat e bisedave telefonike që këshilltari i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, pati dje me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski, pas shtyrjes së vizitës në rajon për pas Vitit të Ri për shkak të testit pozitiv për Covid.

Chollet në vend duhej që të diskutonte një sërë çështjesh me zyrtarë qeveritarë, duke përfshirë energjinë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit, njoftoi Departamenti i Shtetit.

“Më vjen keq që do të më duhet të shtyj udhëtimin tim në Ballkan dhe në Bruksel për shkak të testit pozitiv për Covid. Unë do të mbetem i angazhuar në të gjitha këto çështje në rajonin e Ballkanit dhe mezi pres ta bëj këtë udhëtim në fillim të vitit të ardhshëm”, njoftoi Chollet në Twitter.

Lufta kundër korrupsionit në periudhën e fundit ka qenë cak i kritikave të forta nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Fillimisht, përzgjedhja e kreut të ri të Prokurorisë për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili ka njohje personale me krerët e BDI-së, “hutoi” ambasadoren amerikane, Angela Ageler, pasi siç tha ajo, “ShBA ka shpenzuar miliona dollarë për trajnimin e prokurorëve” në sistemin e drejtësisë.

Menjëherë pas kësaj reagoi edhe ambasadori evropian David Geer, i cili ka kërkuar profesionalizëm në institucionet për rastin e dhënies së shtetësisë maqedonase për ukrainasin Oleksandr Onishçenko, i cili është në listën e zezë të SHBA-së.

Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në vend, Anke Holstein, dje theksoi se përparimi i Maqedonisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të varet në masë të madhe nga shtypja e suksesshme e korrupsionit.

Qeveria njoftoi se do të luftojë korrupsionin duke siguruar funksionimin normal të institucioneve, duke i kushtuar vëmendje integritetit dhe profesionalizmit të atyre që drejtojnë institucionet dhe vullnetit politik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button