Në pranverë do të mbahet Samiti i Berlinit në Tiranë

Pranverën e ardhshme, Tirana do të mirëpresë një tjetër samit të rëndësishëm, që do të sjellë në metropolin tonë liderët e BE dhe ata të Ballkanit Perëndimor. Samiti i radhës i Berlinit, do të mbahet në Shqipëri, raporton Klan.

“Jemi krenar dhe të lumtur që na është kërkuar nga partnerja dhe mikja jonë e madhe Gjermania, që pranverën e ardhshme të mikpresim Samitin e Procesit të Berlinit. E shohim si shprehje vlerësimi dhe respekti për atë çka Shqipëria po bën vazhdimisht për të promovuar në mënyrë aktive bashkëpunim rajonal, paqen dhe dialogun, lidhje më të ngushta me fqinjët e saj të Ballkanit Perëndimor, ndërveprimet midis njerëzve dhe bizneseve nga të gjitha vendet tona. Do të bëjmë maksimumin që të jemi në lartësinë e detyrës dhe të mikpresim një Samit të paharrueshëm të Procesit të Berlinit, ashtu siç mikpritëm një samit të BE që la një mbresë pozitive tek të gjithë ata që erdhën në Tiranë për të marrë pjesë, udhëheqësit, stafet, personeli i BE, gazetarët, personat e sigurisë. E di, të gjithë e dimë”.

Në pritjen e përvitshme të fundvitit me diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë, kryeministri u ndal gjatë tek situata shqetësuese e krijuar në veriun e Kosovës, duke e cilësuar si shashkë speciale të retorikës politike kërkesën Serbisë për të dërguar trupa në atë zonë, me justifikimin për të mbrojtur serbët etnikë.

“Është po kaq surreale sa do të ishte nëse Kosova do t’i kërkonte NATO-s të dërgonte trupa shqiptare në Serbinë jugore për të mbrojtur shqiptarët etnikë. E gjitha kjo është tejet larg asaj për të cilën kemi nevojë. Kemi hyrë në dekadën e tretë qysh kur Kosova u lirua një herë e përgjithmonë nga Beogradi. Ajo nuk do të jetë kurrë më nën ligjin e Beogradit”.

Për kryeministrit shqiptar, në këto kushte kërkohet vetëm dialog mes palëve.

“Ne kemi nevojë vetëm tre gjëra: Dialog, dialog, dialog. Pjesa tjetër është thjeshtë politikë e keqe. E di më së miri se është më e lehtë ta thuash se ta bësh një gjë të tillë, por çdo rrugë e shkurtër që merret përtej dialogut të vështirë, madje të dhimbshëm midis Serbisë dhe Kosovës, jo vetëm për ato të dyja, po për të gjithë rajonin, shpie në një territor shumë të rrezikshëm.  nuk ka asnjë vend tjetër në këtë planet ku ta transferojmë vendin tone dhe së dyti, secili prej fqinjëve tanë është këtu për të qëndruar. Kështu që më mirë të mësojmë shpejt të jetojmë me njëri-tjetrin, të punojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin”.

Flet për vendosmërinë që ka qeveria e tij për të qëndruar në krah të Kosovës, kur cenohet sovraniteti i saj, por ndërkohë komunikimin dhe bashkëpunimin me Serbinë e sheh jetike për paqen.

“Na duhet ta mbajmë murtajën e luftës ruse larg këtij rajoni dhe ndërkohë që do të mbetemi gjithnjë, me vendosmëri, krah Republikës së Kosovës çdo here që e drejta e saj sovrane për tu qeverisur nga autoritetet e veta do  vihet në pikëpyetje në çfarëdolloj forme. Por po kështu, nuk kemi asnjë dyshim se ndërtimi i urave të bashkëpunimit me Serbinë, jo vetëm është gjëja e duhur për tu bërë, por është diçka që i shërben pikërisht interesave tona si vend dhe si komb, e kjo promovon paqen në një rajon ku fantazmat e së shkuarës janë kahera gati që t’i shpallin luftë së ardhmes sonë të përbashkët”.

Me keqardhje flet për mungesën e ambasadorit iranian në këtë darkë, që u zhvillua në një agroturizëm në afërsi të Shijakut, por vendimin për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike e cilëson të pashmangshëm.

“Ndërprerja e lidhjeve tona diplomatike me Iranin nuk ishte një vendim që e morëm lehtë. Irani është një komb i madh, me një kulturë të madhe dhe dua të përshëndes këtu sot, me admirim të plotë, kurajën që po i tregojnë botës vajzat dhe gratë iraniane duke luftuar për të kthyer në fytyrën e tyre dritën e diellit të marrë peng nga një epokë errësire. Dëshiroj fort që më mirë shpejt sesa vonë, në një mënyrë apo në një tjetër, të fillojmë të rindërtojmë urën e shkëputur midis dy vendeve tona”.

Është i kënaqur ndërkohë me dimensionin e ri që kanë marrëdhëniet me Ajzerbaxhanin, Lindjen e Mesme dhe Emirate Arabe, duke e gjetur si fjali lidhëse për të shprehur gëzimin për projektin e Portit turistik të Durrësit.

“Jam më shumë se besimplotë se Marina madhështore e Durrësit është vetëm hapi i parë konkret në një rrugë planesh të mëdha, ku po punojmë së bashku në fushën e energjisë, turizmit dhe tregtisë”.

Mes shumë ambasadorëve ishte dhe ajo amerikane, por mungonte ambasadorja e BE, për arsye shëndetësore.

“I uroj shërim sa më të shpejtë, por ajo mund të pushojë dhe të mos shqetësohet, sepse shëndeti i raportit tonë me BE-në kurrë nuk ka qenë më mirë. Shpresoj fort që ju jo vetëm nuk do të mërziteni që unë nuk po i rendis të gjithë vendet tuaja mike një e nga një, jo sepse nuk dua ta them se sa shumë e vlerësoj miqësinë tonë, por sepse nuk dua që t’ju zërë gjumi pa ngrënë!”

Ndryshe, Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në BE, proces ky i filluar në 2014, nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button