RMV, Ministria premtoi që deri në fund të muajit studentët do të marrin mjetet financiare për shujtat

Studentët e Maqedonisë së Veriut deri në fund të muajit do të marrin subvencionet për shujtat studentore, premtojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përkundër asaj se një gjë e tillë është dashur të realizohet deri sot, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se pagesa e mjeteve në bazë të racionit të subvencionuar të studentëve do të bëhet deri në fund të muajit aktual. Të gjithë studentët që do të realizojnë të drejtën e tyre do të marrin në mënyrë retroaktive mjete në llogaritë e tyre të transaksionit për dy muaj e gjysmë, gjegjësisht për gjysmën e shtatorit për tetor dhe nëntor”, premtojnë nga Ministria.

Raportohet që prej 25 nëntorit deri më 3 dhjetor janë dorëzuar 31 mijë aplikime nga studentët.

“Aktualisht, komisioni në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përgjegjës për të kontrolluar nëse studentët/aplikantët i plotësojnë kërkesat sipas Ligjit për racion të subvencionuar të studentëve, kryen komparacion të të dhënave të shënuara në aplikimet dhe të dhënat që kemi marrë nga institucionet e tjera kompetente – DAP, APRM, FPISM, MPB dhe të gjitha universitetet”, raportoi Ministria.

Ndryshe, edhe pse disa herë Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe kreu i institucionit, Jeton Shaqiri paralajmëruan se mjetet e para për shujtë të subvencionuar, studentët do t’i marrin deri më 15 dhjetor, kjo sot nuk ka ndodhur. MASH i verifikon të dhënat, ndërkaq studentët presin ende përgjigje për aplikacione elektronike në sistemin “e-shërbime” për atë nëse kjo masë financiare u është miratuar, proces i cili duhet të ndodh përpara fillimit të lëshimit të mjeteve.

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në nëntor me 58 vota “për” kaluan propozim-ndryshimet e Ligjit për shujtat e subvencionuara të studentëve. Seanca e 91-të e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në rend të ditës e pat edhe votimin e ndryshimeve të Ligjit për shujtë të subvencionuara, ndryshime të cilat u abstenuan nga 21 deputetë. Ky propozim-ligj u miratua me procedurë të shkurtuar. Ligji planifikon që deri më 15 mars të vitit 2023, studentët të paguhen 120 denarë për shujtë ditore ose 2400 denarë në muaj.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka dhënë informata në lidhje me mospublikimin e rezultateve nga Konkursi për bursa të nxënësve të shkollave të mesme, rezultatet që duhet të publikohen sot.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button