Zemra e Ilia Karelit, ekspertiza: S’e dimë nëse është e tij

Skandali i keqtrajtimit deri në vdekje i shqiptarit Ilia Kareli, në burgun grek të Nigritas, thellohet dhe më shumë. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore në Shqipëri nuk kanë mundur të përcaktojnë nëse zemra që u soll në Shqipëri nga një prokuror dhe një ekspert, pasi ishte mbajtur në Greqi, i përket ose jo viktimës Kareli.

“Për shkak të ilaçeve dhe morfinës së përdorur në Greqi për ekspertizat, nuk është e mundur të përcaktohet ADN, kësisoj nuk mund të përcaktojmë nëse organi i zemrës, është ose jo i Ilia Karelit”, thuhet në përgjigjen që Mjekësia Ligjore, i ka kthyer prokurorisë së Fierit, shkruan Gazeta Shqiptare.

Për të marrë zemrën e Ilia Kareli në Greqi, udhëtoi një prokuror dhe një ekspert i Mjekësisë Ligjore, pasi organi ishte mbajtur në Greqi me pretendimin se duhet të kryhej ekspertiza.

Por, pavarësisht se kanë mundur ta kthejnë në Shqipëri, nuk është përcaktuar dot, nëse zemra është e Ilia Karelit, apo i përket ndonjë personi tjetër, çka ngre hije të forta dyshimesh.

Pas marrjes së kësaj përgjigje, Prokuroria e Fierit, i është drejtuar institutit të Mjekësisë Ligjore, që të përcaktohet shkaku i vdekjes së fierakut Ilia Kareli, nisur dhe vetëm nga dëmtimet që i janë konstatuar në trup, në momentin që i është nënshtruar autopsisë në Tiranë. Ndërkaq zemra u është dorëzuar familjarëve të Ilia Karelit.

Lajme të ngjashme

Back to top button