Në kushte të tmerrshme dhe me rroga të papaguara, punëtorët e NPK “Tetova” në protestë

Thuajse katër muaj nuk kanë marrë paga, kushtet në të cilat punojnë janë të tmerrshme, mund të thuhet se më shumë ngjajnë si një ahur kafshësh se sa një vend ku punojnë njerëzit. Kjo është gjendja në të cilën për shumë vite gjenden punëtorët e pastrimit të Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova”, të cilët mëngjesin e sotëm protestuan. Thonë se nuk do mbledhin mbeturina nëse nuk u përmirësohen kushtet, shkruan Portalb.mk.

“Jemi mbledhur këtu për të shprehur revoltë për shkak të mosmarrjes së pagave për muajin e dhjetë dhe njëmbëdhjetë. Madje, problemi më i madh është mospasja e sigurimit shëndetësor. Nuk mund të shkojmë në mjek. Kjo nuk është hera e parë. Nuk ka kushte.” shprehen të punësuarit në NPK.

I punësuar në NPK “Tetova”

“Po këtu rijmë, këtu vishemi, këtu ngrohemi, radiatorët nuk punojnë siç duhet, dhoma katastrofë. Kjo nuk është në rregull, as rroga, as sigurim, kjo është turp. A kështu do bëjmë revoltë ne secilin muaj? Kjo punë duhet të rregullohet përgjithmonë.”

I punësuar në NPK “Tetova”

“I dhjeti muaj, i njëmbëdhjeti dhe i dymbëdhjeti, për këto muaj më duhen rrogat mua. Shumë pak rrogë, 11 mijë, çfarë do bëj, a miell, a rrymë…askund nuk janë ato para. Nëse nuk na lëshojnë rrogat do e lë punën.”

I punësuar në NPK “Tetova”

“Si mund të jetosh kur nuk ke rrogë për tre-katër muaj, krizë është të gjitha çmimet janë rritur, rroga është e njëjtë nuk ka lëvizur. Të hënën e kemi marrë rrogën e muajit të nëntë.”

I punësuar në NPK “Tetova”

“Presim, çfarë do të bëjnë të gjithë, edhe unë do të bëj. Unë jam për tre muaj (pa rrogë), a edhe që katër muaj nuk kanë marrë, nuk kemi as sigurim.”

I punësuar në NPK “Tetova”

“Për rrogat, tre muaj jemi brenda, sigurim nuk kemi, për këtë kemi dalë. Përsëri nuk i kemi marrë rogat. Na kanë thënë se do na japin, por asgjë.”

I punësuar në NPK “Tetova”

“Ne këtu rijmë, katër muaj pa rrogë. Asgjë s’ka, unë kam zor në shtëpi.”

I punësuar në NPK “Tetova”

“Në punë e kam prerë gishtin.. Përsëri jemi pa rroga, as sigurim. Kur shkoj në spital atje në Shkup të gjitha i paguaj privat, kam hyrë në borxh dhe i kam paguar.”

I punësuar në NPK “Tetova”

Në mesin e shumë shqetësimeve, në këto ditë të ftohta ata shprehen se nuk kanë as vend të ngrohtë pune. Sesi ia bëjnë pa rroga, thonë se nuk e dinë as vetë, ka ditë kur edhe në mëngjes nuk kanë çfarë të hanë.

Ankohen se nuk mund të kujdesen për familjet nga mungesa e pagave, ka edhe raste kur kanë fëmijë të sëmurë dhe nuk mund t’i ju mbulojnë harxhimet për terapia dhe gjërat tjera të nevojshme.

Ndonëse Këshilli Komunal në mbledhjen e mbajtur me 17 nëntor, votoi të subvencionojë NPK-në me 25 milionë denarë për shlyerjen e pagave të prapambetura të punëtorëve të angazhuar me kontratë në vepër, kjo nuk është realizuar ende.

Sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, ka vonesë administrative.

“Për momentin bëhet fjalë për vonesa administrative sepse komuna e Tetovës punon me thesar, jemi në komunikim të rregullt me drejtorin që të paguhen deri në muajin e fundit. Do kisha lutur të punësuarit të kenë mirëkuptim pasi janë në procedura për realizimin e të njëjtës”, tha Bilall Kasami.

Por, të angazhuarit me kontratë në vepër nuk janë të vetmit që kanë vonesë në rroga, vonesa kanë edhe punëtorët e rregullt me vendim.

“Muaj për muaj do të kompensohen edhe pagat e prapambetura që besoj se për dy tre muaj të vijë në situatën ku do të paguhen rregullisht”, tha Kasami.

Bilall Kasami

“Të lënë në harresë me vite, në kushte që vetëm ata dinin se si punojnë, dje, realizova takim me punëtorët e Njësia Punuese “Higjiena Komunale”. I tmerruar me pamjet e atjeshme. Baltë dhe zyra katastrofale. Rroba të vjetruara dhe pagë minimale. Thirrja emergjente është tani. Kujdesi i tyre ndaj qytetit duhet të kthehet me shpërblim”. Kështu shkroi me 21 janar të këtij viti Kasami për kushtet e punëtorëve të NPK-së.

Sot thuajse pas një viti, këto kushte mbeten thuaj se të pandryshuara. Për këtë çështje, Kasami është optimist se do të zgjidhet, por nuk precizoi afat konkret kohor.

“Kushtet kërkojnë investim pak më të madh dhe në atë drejtim veç më jemi nga fundi i përpilimit të studimit të fizibilitetit për partneritet publiko-privat, kemi kompani serioze të cilat janë të interesuara të futen në atë pjesë. Në mbledhjen e radhës të këshillit të komunës së Tetovës kemi vendim për themelim të ndërmarrjes për menaxhim me mbeturina dhe e cila do të zhvillojë procesin e partneritetit me kompaninë, me çka ndër kushtet kryesore të lidhjes së kontratës do jetë krijimi i kushteve ashtu siç duhet për të punësuarit dhe për funksionimin e ndërmarrjes”, deklaroi Kasami.

This slideshow requires JavaScript.

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” një periudhë të gjatë ballafaqohet me probleme të likuiditetit që pamundëson kryerjen e obligimeve. E njëjta, për kohë të gjatë funksionon me llogari të bllokuar, ndërsa punon në bazë të vendimit të Gjykatës Themelore Tetovë për funksionim me anë të mjeteve minimale të nevojshme, si nevojë për mirëmbajtjen e nevojave të qytetit.

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” sipas asaj që deklaruan përgjegjësit e saj në seancën e këshillit komunal me 17 nëntor, ka 440 të punësuar prej të cilëve 200 janë me kontratë në vepër, ndërsa rreth 80% e atyre me kontratë janë të angazhuar në pjesën operative, pra të higjienës komunale.

Borxhi aktual i NPK “Tetova” sipas asaj që kryetari i Komunës deklaroi me 3 nëntor është 10.116.800 euro apo 425 mijë euro më shumë se vitin e kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button