A është vërtet Gjermania tërheqëse për punëtorët e huaj?

Adrian Oku nga Kavaja ka ardhur drejtpërdrejt nga Shqipëria të kërkojë një shans pune në Gjermani. Në Frankfurt mbi Main ai pret në Qendrën e Mirëseardhjes për Fuqinë e Kualifikuar Punëtore nga Jashtë të landit të Hessenit, i veshur me xhup e kapuç. Në zyrat gjermane nuk mbahet e ndezur shumë ngrohja këtë dimër. “Kërkoj punë këtu, sepse kam dëshirë të jetoj në Gjermani”, tha ai për Deutsche Wellen. “Më pëlqen Gjermania.

Gjermania ka qenë ëndrra ime.” Pas kualifikimit  si mekanik pajisjesh, Adriani ka punuar si instalues e mirëmbajtës për sistemet e ngrohjes. Alberto Coronado koordinator i projektit të qendrës së mirëserdhjes përpiqet që punëtorëve si Adriani t’ia lehtësojë ardhjen në Gjermani. “Kur vjen në një vend tjetër në fillim çdo gjë është e re”, thotë ai. “Ne jemi këtu për t’ua lehtësuar këtyre punëtorëve fillimin.”

Gjermanishtja e vështirë por e bukur

Alberto Coronado shikon me vëmendje CV e punës së Adrian Okut. “Këtu duhet të shkruash, që ke punuar si elektriçist në këtë firmë”, e këshillon ai Adrianin. Dy kompani në rajonin e Hessenit i bien ndërmend koordinatorit, të cilat mund të shfaqin interes për Adrian Okun. Nevoja për instalues është e madhe në Gjermani. “Por tani duhet të dërgojmë njëherë CV-tënde”, thotë Alberto Coronado. “Shanset duken të mira.”

Pengesa më e madhe për Adrian Okun mbetet gjuha gjermane. Ai kërkon gjatë derisa të gjejë fjalët e duhura në gjermanisht dhe mendohet mirë para se të thotë diçka. Gjermanishtja është vërtet e vështirë, thotë ai. “Por edhe e bukur.”

Në studimin e OCD-së, katër nga dhjetë të anketuar përmendin gjermanishten si pengesë që të vijnë të punojnë në Gjermani. Në Gjermani flitet kryesisht gjermanisht në reparte fabrikash, laboratore apo dhoma konference. Por ajo që u duket e vetëkuptueshme gjermanëve, a mos është një faktor që e dobëson Gjermaninë në konkurrencën për tërheqjen e fuqisë punëtore?

Chris Pyak, konsulent i aplikantëve për një vend pune në Gjermani, thotë Po. Atë që Alberto Coronado bën në landin e Hessenit, ai e bën si sipërmarrës në Düsseldorf. 25.000 vetë e kanë abonuar revistën e tij online. Pengesat kryesore për fuqinë punëtore ndërkombëtare që të vij në Gjermani nuk janë rregullat e imigrimit apo njohja e diplomave, sipas tij. “Por fakti që në të gjithë Gjermaninë vetëm 4% e të gjitha vendeve të punës janë të shkruara në anglisht.”

Kjo në një kohë që shumë punë që kërkohen sot mund të kryhen edhe me njohjen e gjuhës angleze. Një specialist softeware-sh për shembull, thotë  Pyak. “Në mijëra kompani në të gjithë botën kjo është e vetëkuptueshme.” Pyak kërkon një kulturë të re kundrejt imigrantëve. “Nëse duam që të vijnë më të mirët tek ne, duhet që të përpiqemi për ta. Ndryshe vijnë vetëm ata që nuk kanë zgjidhje tjetër.”

Edhe Jessica James, 31 vjeç, me bachelor të përfunduar në ekonomi, 9 vite punë në banka të ndryshme ndoshta do të ishte një fuqi e duhur punëtore për Gjermaninë. Ajo jeton në Islambad, Pakistan dhe si arsye të vetme për largimin nga vendi përmend fenë. “Jam e krishterë në një vend mysliman”, tha ajo për DW në telefon. Por Gjermania nuk është një vend, ku Jessica do të vinte të punonte. Për të punuar aty, duhet gjermanishtja dhe është e vështirë të mësohet si gjuhë, thotë ajo. “Përveç kësaj Gjermania është shumë e rreptë në dhënien e vizës, po ashtu kam dëgjuar se gjermanët janë të ashpër ndaj njerëzve me ngjyrë, në tërësi kundrejt emigrantëve.” Bankierja e re kërkon të emigrojë në Holandë.

OECD shikon potencial të madh

Njerëzit të ftohtë, gjuha e vështirë, viza merret me vështirësi? Tingëllon sikur Gjermania nuk është aq tërheqëse për punëtorët e huaj. Thomas Liebig, ekspert për Organizatën për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin, OECD e kundërshton këtë. Ai shikon “një potencial të madh të forcave shumë të kualifikuara që të vijnë në Gjermani.” Në studimet  e fundit dhe sondazhet Gjermania është vlerësuar mjaft pozitivisht, megjithëse ndodhet pas Australisë dhe SHBA-së.

Liebig dhe kolegët e tij kanë zhvilluar anketime me rreth 30.000 vetë që kanë vizituar faqen e internetit të qeverisë gjermane për fuqinë e kualifikuar nga jashtë, pra ata që kanë interes për një punë në Gjermani. Pengesa më e madhe që ata kanë është si të kërkojnë konnkretisht një punë në Gjermani. Ose sepse nuk i lexojnë dot afishimet online për punë, ose se nuk kanë ndihmë për aplikimet. Shumica përfytyrojnë të vijnë në Gjermani për shkak të shanseve të mira për punë dhe karriere. Dhe dy nga tre të anketuar përmendin cilësinë e lartë të jetesës në Gjermani si arsye për interesin e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button