Ekipi për sanksione u largua në SHBA, korrupsioni në Maqedoni mbeti

Ekspertët amerikan të ekipit të sanksioneve janë larguar, konfirmoi ambasada amerikane. Gjatë qëndrimit të tyre javën e kaluar, ata u informuan për rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, jo vetëm për ato të përfunduara si konfiskimi i Mijalkovit dhe Transmetit, por edhe për hetime aktive paraprake kundër zyrtarëve aktualë dhe ish-funksionarëve, raporton Telma, transmeton Portalb.mk.

Ambasada në përgjigjen për Telmën nuk specifikoi detaje të tjera, por tha se çdo zyrtar i lartë jashtë Shteteve të Bashkuara, i cili do të përfshihej drejtpërdrejt ose tërthorazi në raste të rënda korrupsioni apo shkelje të të drejtave të njeriut, bie në domenin e punës së sekretarit shtetëror amerikan, i cili ka për detyrë të krijojë listën e sanksioneve.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të thirrur në përgjegjësi ata që janë të përfshirë në korrupsion të madh dhe do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet e disponueshme për të luftuar korrupsionin në nivel global. Departamenti i Shtetit po shqyrton një sërë agjencish qeveritare të disponueshme, të cilat, në koordinim me kolegët ndër-resorë, po ndërmarrin veprimet e duhura për të luftuar korrupsionin”, u përgjigj Ambasada e SHBA-së.

Sipas përgjigjes së ambasadës, “duke identifikuar këto autoritete, Shtetet e Bashkuara mund të nxisin llogaridhënien për zyrtarët aktualë dhe ata tl dikurshëm qeveritare që përfshihen në korrupsion, ose kryejnë shkelje dhe abuzime të të drejtave të njeriut dhe të mbështesin përpjekjet për të parandaluar ose penguar abuzimet në të ardhmen”.

Për ekipin e sanksioneve të SHBA-së u njoftua se do të hetojë në mënyrë agresive rastet e korrupsionit që përfshijnë aktorë të dikurshëm dhe aktualë.

Duhet të ketë drejtësi për të gjithë, thanë nga ambasada kur njoftuan se kishte mbërritur ekipi.

Qeveritarët maqedonas, të cilët para ardhjes së ambasadorit Ageler, deklaruan se nuk ka korrupsion serioz në radhët e tyre, ndryshuan qëndrim, falënderuan për ndihmën dhe thanë se ka korrupsion.

Lufta kundër korrupsionit në periudhën e fundit ka qenë cak i kritikave të forta nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Fillimisht, përzgjedhja e kreut të ri të Prokurorisë për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili ka njohje personale me krerët e BDI-së, “hutoi” ambasadoren amerikane, Angela Ageler, pasi siç tha ajo, “ShBA ka shpenzuar miliona dollarë për trajnimin e prokurorëve” në sistemin e drejtësisë.

Menjëherë pas kësaj reagoi edhe ambasadori evropian David Geer, i cili ka kërkuar profesionalizëm në institucionet për rastin e dhënies së shtetësisë maqedonase për ukrainasin Oleksandr Onishçenko, i cili është në listën e zezë të SHBA-së.

Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në vend, Anke Holstein, dje theksoi se përparimi i Maqedonisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të varet në masë të madhe nga shtypja e suksesshme e korrupsionit.

Qeveria njoftoi se do të luftojë korrupsionin duke siguruar funksionimin normal të institucioneve, duke i kushtuar vëmendje integritetit dhe profesionalizmit të atyre që drejtojnë institucionet dhe vullnetit politik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button