Shumë pacientë – pak personel, Pediatria në Strugë e mbingarkuar nga pacientë të vendeve tjera

Mungesa e mjekëve pediatër në Ohër ka detyruar të gjithë pacientët dërgohen për hospitalizim në Strugë. Gjatë sezoneve virusale mjekët në Strugë janë të mbi-ngarkuar me punë ndërsa kolonat e pritjes arrijnë deri jashtë objektit të pediatrisë. Situata e tillë ka një vit që nuk po gjen zgjidhje ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë heshtin. Shëndetësia e RMV-së, me theks të veçantë largimin e kuadrit mjekësor nga vendi, mori vërejtje edhe në Raportin e Progresit nga Komisioni Evropian, shkruan Portalb.mk.

Eksodi i manteleve të bardha nga vendi jonë drejt perëndimit, ka lënë pasoja negative në sistemin shëndetësor. Për shkak të mungesës së mjekëve, reparti i pediatrisë në Ohër punon vetëm si ambulancë ditore nga nëntori i vitit të kaluar, si pasojë fëmijët që duhet të hospitalizohen, dërgohen në Strugë. Në Strugë madje vinë dhe pacientë nga Dibra dhe Resnja. Ka periudha ku ndodh të kryhen 100 kontrolle në ditë ndërkohë që janë të punësuar vetëm 5 specialistë të cilët janë përgjegjës për dy reparte, atë të pediatrisë dhe neonantologjisë. Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Strugë thotë se reparti i pediatrisë në këtë qytet nuk ka mungesa për të trajtuar numrin e pacientëve brenda kapaciteteve të Komunës së Strugës, por situata mbingarkohet me pacientët që vijnë nga qytetet tjera.

“Në Repartin e Pediatrisë në Strugë punojnë 5 specialistë dhe kemi dhe 3 specializantë në fushën e pediatrisë. Fakt është se spitali jonë nuk vuan nga mungesa e kuadrove por kemi mbi-ngarkesë të madhe me pacientë që vijnë nga qytetet tjera e sidomos nga Ohri”, u shpreh Armend Arslani, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Strugë.

Megjithatë, numri i personelit mjekësor në repartin e Pediatrisë në Strugë mbetet i ulët për tu përballuar me numër aq të madh të pacienteve, sidomos gjatë sezoneve virusale. Pak ditë më parë në rrjetet sociale u bë virale postimi i pediatrit nga Struga, Vullnet Bekteshi, i cili shqetësuar publikisht kërkoi ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë dhe drejtorët e spitaleve në Strugë e Ohër.

Reagimi i Dr. Vullnet Bekteshi në profilin e FaceBook

Reagimi i Dr. Bekteshit është përkrahur nga një numër i madh i qytetarëve të cilët thonë se vlerësojnë sakrificën që bëjnë mjekët në këtë repart.

“Edhe përkundër radhëve të gjata të pritjes, deri jashtë derës kryesore të repartit, gjithmonë jemi pranuar me dashuri. Mundet vetëm tju jemi mirënjohës”, ka shkruar një prind.

“Unë si qytetar/prind shpreh mirënjohjen dhe respektin tim të pamasë për ju, sepse pavarësisht kushteve të vështira në të cilat punoni, ju mbeteni të përkushtuar, të sjellshëm dhe të vëmendshëm ndaj çdo fëmije dhe prindi! Në vendin tonë, qëndrimi i mirë po bëhet një gjë e rrallë, aftësitë e buta janë pothuajse inekzistente në institucionet tona”, është shprehur një prind tjetër.

Përderisa mjekëve ju humb durimi dhe energjia nga puna e mbi-ngarkuar dhe në kushte të vështira akoma nuk është marrë asnjë hap konkret nga institucionet relevante. Ministria e Shëndetësisë ka injoruar kërkesën tonë për informacion, deri në këto momente redaksia jonë nuk ka marr asnjë përgjigje në pyetjet e drejtuara këtij institucioni. Nga ky institucion nuk iu përgjigjën as thirrjeve tona në numrin e zyrës së PR-it.

Spitali i Përgjithshëm i Strugës, foto: Portalb.mk

Sa mjek janë larguar nga Maqedonia e Veriut gjatë këtyre viteve?

Migrimi i personelit mjekësor është bërë trend në vendin tonë viteve të fundit. Spitalet e Maqedonisë së Veriut çdo ditë e më shumë vuajnë mungesën e mjekëve specialistë ndërsa mjekët e rijnë shprehen se arsyeja kryesore e migrimit të tyre është mos-punësimi i tyre në një spital të caktuar. 

“Së fundmi, Shoqata e Mjekëve Specializantë ka bërë një anketë me temën e migrimit jashtë vendit të mjekëve specializantë. Arsyeja numër një e migrimit rezulton mungesa e punësimit të përhershëm në një spital të caktuar. Rreth 70% e të anketuarve janë përgjigjur se nëse do të kishin punësim në një institucion të caktuar shëndetësor publik, do të mendonin të qëndronin në vendin e tyre, në vend të dytë ishin të ardhurat e ulëta, marrëdhëniet ndërpersonale dhe kushtet e punës”, deklaroi për Portalb.mk Aleksandra Georgieva, kryetare e Shoqata e Mjekëve Specializantë. 

Dr. Aleksandra Georgieva thotë se “për të pasur nesër, duhet të mendojmë sot”. Për të parandaluar kolapsin në sistemin shëndetësor ajo bënë thirrje që të bëhet analizë e situatës nëpër spitalet e vendit.

“Mungesa e zgjidhjeve sistematike, për sa i përket planifikimit të kuadrit të nevojshëm në Shkup dhe në brendësi, punësimi selektiv, fakti që ka ende specializime private, si dhe mobingu, i cili është kancer i shoqërisë sonë, bëjnë që të theksohet trendi i migrimi. Maqedonia, si një vend me zhvillim të ulët, gjithmonë do ta humbasë betejën për mjekë në krahasim me vendet e zhvilluara perëndimore, por ajo që mund të bëjmë për të parandaluar kolapsin e sistemit shëndetësor në 5 vitet e ardhshme është të bëjmë një analizë të situatës. Mungesa e personelit mjekësor me hartografim sipas spitaleve, për të krijuar konkurse për të thithur sa më shumë staf dhe ndryshime në ligjin për kujdesin shëndetësor”, theksoi Dr. Aleksandra Georgieva.

Autoritetet zyrtare në Maqedoninë e Veriut nuk disponojnë numrin e saktë të mjekëve që kanë ikur nga ky vend. Por, nga Oda e Mjekëve bëjnë të ditur se brenda pesë vjetëve – nga viti 2017 deri më 2022 – gjithsej 568 mjekë kanë kërkuar vërtetim se ndaj tyre nuk zhvillohet asnjë procedurë para Gjykatës së Nderit. Ky vërtetim u nevojitet të gjithë atyre që shkojnë për specializim jashtë vendit, por edhe atyre që largohen përfundimisht nga Maqedonia e Veriut. Nga Oda e Mjekëve, gjithashtu, bëjnë të ditur se nga viti 2012 deri në vitin 2016, me vërtetimet e njëjta janë pajisur më shumë se 600 mjekë.

Korona, spital, mjek, sherim
Spitali RMV, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Shëndetësia në RMV mori kritika dhe në Raportin e Progresit nga Komisioni evropian

Në raport u theksua se kujdesi shëndetësor ende nuk është në përputhje me ligjet e BE-së në fushën e të drejtave të pacientëve në kujdesin shëndetësor ndërkufitar. Për pabarazitë shëndetësore programi aktiv i kujdesit shëndetësor lejon disa grupe të synuara të kenë akses në kujdesin shëndetësor, duke përfshirë këtu edhe komunitetin rom, dhe njerëzit që jetojnë në zona të thella, që mund të marrin vizita mjekësore, thuhet ne raport

Lajme të ngjashme

Back to top button