Kosovë, u miratua Plani Kombëtar i Veprimit 2023-2025 për Partneritetin për Qeverisje të Hapur

Qeveria e Kosovës në seancën e sotme e miratoi Planin Kombëtar të Veprimit (PKV) për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (PQH). Kjo u bë e ditur nga përfaqësues nga zyra e kryeministrit të Kosovës gjatë diskutimit të organizatave civile nga Ballkani Perëndimor, pjesëmarrëse në projektin “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, pjesë e të cilit është edhe Fondacioni Metamorfozis, të cilët janë mbledhur sot në Prishtinë ku pikërisht diskutojnë për trajtimin e transformimit digjital përmes Partneritetit të Qeverisjes së Hapur, pjesëmarrës edhe Portalb.mk.

Gjatë diskutimit, përfaqësues nga zyra e kryeministrit të Kosovës, ndau me pjesëmarrësit informacionin se tani edhe Kosova ka miratuar Planin Kombëtar të Veprimit, kështu duke u bashkuar me shtetet e tjera fqinje të cilat kanë të miratuar një plan të tillë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.

Siç njoftoi përfaqësuesi nga zyra e kryeministrit, ky plan do të bazohet në katër shtylla: qeverisje digjitale, të dhëna të hapura, pjesëmarrja qytetare, dhe shtylla për antikorrupsion.

Ndërkaq, edhe Qeveria e Kosovës në ueb-faqen e tyre zyrtare bëri publike informacionin.

“U miratua Plani Kombëtar i Veprimit 2023-2025 për Partneritetin për Qeverisje të Hapur. Zotimet e Planit të Veprimit janë: Qeverisja digjitale; Të dhënat e hapura; Pjesëmarrja qytetare; dhe Kundër korrupsioni. Partneritetin për Qeverisje të Hapur, si dokument përmban politikat e qeverisë lidhur me përmirësimin e shërbimeve publike, ngritjen e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit të administratës publike”, njoftoi Qeveria e Kosovës.

Çfarë është Partneriteti për Qeverisje të Hapur?

Si një iniciativë globale, Partneriteti për Qeverisje të Hapur (PQH) është një partneritet i gjerë i përbërë nga entitete të nivelit kombëtar dhe lokal që punojnë së bashku për të krijuar plane veprimi me hapa konkretë – angazhime – për një spektër të gjerë çështjesh. Që nga viti 2011, ideja e PQH është që qeveria e hapur është më e qasshme, më e përgjegjshme dhe më llogaridhënëse ndaj qytetarëve dhe se përmirësimi i marrëdhënieve midis njerëzve dhe qeverisë së tyre ka përfitime afatgjata dhe eksponenciale për të gjithë.

Duke punuar në një kontekst më të gjerë të prapambetjes demokratike, mbylljes së hapësirës qytetare dhe rritjes së politikës autoritare dhe populiste, ky partneritet i pjekur i 78 anëtarëve kombëtarë që përfshin një numër në rritje të autoriteteve lokale dhe mijëra pjesëmarrës të shoqërisë civile, ka mundësuar bashkëkrijimin e mbi 4.000 reformave të hapura të qeverisë, një pjesë e konsiderueshme e të cilave treguan ndikim të madh.

Ndër anëtarët kombëtarë të kësaj iniciative janë edhe qeveritë e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Shqipëria (2011), Bosnja dhe Hercegovina (2014), Mali i Zi (2011), Maqedonia e Veriut (2011) dhe Serbia (2012), kurse Kosova është i vetmi vend që nuk është pjesë e këtij procesi pavarësisht përpjekjeve të tyre për t’u anëtarësuar.

Një nga prioritetet në planet kombëtare të veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur të Ballkanit Perëndimor është digjitalizimi. Me një fokus më të vogël apo më të madh, veçanërisht për ato plane që u zhvilluan në fillimet e pandemisë së Kovid-19, qeveritë e Ballkanit Perëndimor i kanë përgatitur PKV-të e tyre me digjitalizim në sektorë të ndryshëm të vendosur si prioritete. Ndërsa vetëm sot ashtu siç u njoftua, Kosova ka bërë një hap përpara në këtë drejtim, ku me e zhvillimin e PKV-së, Kosova synon të aplikojë edhe një herë për anëtarësim në PQH.

Më shumë detaje për planet kombëtare të veprimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Portalb.mk më vonë gjatë ditës do të mund të lexoni një artikull më të detajuar.

Ndryshe, në kuadër të projektit “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA” që bashkë-financohet nga Bashkimi Evropian dhe që promovon shërbime digjitale më të mira në rajonin e Ballkanit Perëndimor, organizatat partnere sot dhe nesër në Prishtinë do të diskutojnë në temën e “Qeverisjes digjitale në rajon përmes Partneritetit të Qeverisjes së Hapur dhe iniciativave të tjera”.

Qëllimi i kësaj ngjarjeje synon shkëmbimin e njohurive ndërmjet palëve të interesuara (institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile) nga Ballkani Perëndimor dhe për fillimin e një dialogu produktiv për punë më të mirë mbi problemet që lidhen me transformimin digjital përmes iniciativave globale si Partneriteti për Qeverisje të Hapur (OGP).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button