Maqedonia e Veriut kryesuese me A5 në vitin 2023

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mori pjesë në Takimin Ministror të SHBA- Karta e Adriatikut, që u mbajt në Podgoricë të Malit të Zi. Në kuadër të takimit, Maqedonia e Veriut merr kryesimin e Kartës për vitin 2023, kur dhe shënohet 20 vjetori i themelimit të saj, transmeton Portalb.mk.

Në fokus të bisedimeve ishte stabiliteti i Ballkanit Perëndimor në kontekst të situatës aktuale të sigurisë, sfidave me të cilat përballet rajoni dhe mënyrave për të forcuar qëndrueshmërinë e shoqërive tona, në mënyrë që të përballemi më me sukses me këto kriza.

Në fjalimin e tij, Osmani e theksoi rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit rajonal dhe nevojën e forcimit të kontributit të përbashkët rajonal në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit, duke theksuar edhe mbështetjen e fuqishme nga Shtetet e Bashkuara në këtë drejtim.

“Maqedonia e Veriut, si vend anëtar i NATO-s, do të vazhdojë me kontributin e saj aktiv në ruajtjen e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, që është dhe prioriteti ynë kryesor i politikës së jashtme. Vendi ynë është fuqimisht i përkushtuar për promovimin e vlerave euroatlantike, si dhe mbështetjen e anëtarëve të tjerë të Kartës në realizimin e aspiratave të tyre euroatlantike“, nënvizoi Osmani

Para fillimit të Takimit Ministror të A5, Osmani mbajti një konferencë të përbashkët për media me Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në të cilën prezantoi qëllimet e kryesimit të Kartës nga Maqedonia e Veriut.

“Si Kryesues i ardhshëm i A5, tashmë po marrim iniciativë për revitalizimin e mëtejshëm të Kartës. Qëllimi është jo vetëm ta forcojmë, por edhe t’i japim A5 rolin e duhur në rajonin tonë. Në një farë mënyre, përmes një koncepti të ri, apo një narrative të re, të bëjmë një përshtatje të qëllimeve dhe misionit të Kartës, sipas sfidave të reja gjeopolitike dhe rrethanave të reja në të cilat ndodhet rajoni”, tha Osmani.

Njëherit, Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut ka mbështetjen e qartë të SHBA-së për rivitalizimin e A5, që është në funksion të ballafaqimit më efikas të vendeve të rajonit me sfidat aktuale, gjë që ishte temë e diskutimit edhe gjatë Dialogut Strategjik të mbajtur me Shtetet e Bashkuara në qershor, në Uashington.

Gjithashtu, Osmani theksoi se kryesimi ynë me A5 përkon me Presidencën me OSBE-në në vitin 2023, me të cilën vendi merr një rol të rëndësishëm dhe të përgjegjshëm në nivel rajonal dhe multilateral.

“Agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës ka krijuar rrethana komplekse gjeopolitike dhe arkitekturë të rrënuar të sigurisë, si rrjedhojë kryesimi me organizatat e sigurisë paraqet një sfidë të veçantë për ne”, theksoi Osmani.

Në kuadër të vizitës së tij në Podgoricë, Osmani do të takohet edhe me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Nisma SHBA-Karta e Adriatikut u krijua me nënshkrimin e Kartës së Partneritetit ndërmjet SHBA-së, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në Tiranë në vitin 2003. Në vitin 2009, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina iu bashkuan nismës, duke i dhënë iniciativës formatin A-5.

Qëllimi i nismës janë aktivitete të përbashkëta dhe të koordinuara për përmbushjen sa më të shpejtë të kritereve dhe standardeve të NATO-s, promovimin e bashkëpunimit në EJL dhe zhvillimin e ngjarjeve që synojnë ndërtimin e paqes, demokracisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon. Aktivitetet e iniciativës kanë për qëllim forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, avancimin e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse, pjesëmarrjen e përbashkët në stërvitje dhe trajnime, operacionet dhe misionet e NATO-s, bashkëpunimin ndërmjet qendrave rajonale të trajnimit, si dhe promovimin e politikës së dyerve të hapura në A-5 për vendet vëzhguese dhe vende të tjera të rajonit që kanë orientim euroatlantik dhe synojnë anëtarësimin në Aleancën e NATO-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button