Veriu i Kosovës i bllokuar për të katërtën ditë, janë mbyllur pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, nuk punojnë as shkollat

Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së kanë pasur edhe një mbledhje të gjatë kushtuar situatës në Kosovë. Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, është shprehur i zhgënjyer teksa ka folur për dy vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE nga Ballkani Perëndimor, Kosovën dhe Serbinë, transmeton Portalb.mk.

“Nuk jemi më të gatshëm ta pranojmë këtë. Kjo situatë duhet të marrë fund”, theksoi Borell, duke shtuar se që nga gushti rajoni ka jetuar në një rreth vicioz tensionesh, provokimesh dhe veprimesh që janë përshkallëzuar ditët e fundit dhe kanë shkaktuar incidente të rënda sigurie, duke përfshirë sulmin me bombë shokuese në Misioni EULEX dhe mbi Policinë e Kosovës.

“Kjo situatë duhet të marrë fund dhe barrikadat të hiqen. Paqja duhet të rivendoset. Këshilli i BE-së u bëri thirrje qartë të dyja palëve që të qetësohen dhe të përmbahen nga veprimet e dhunshme dhe provokuese”, shtoi Borrell.

Ai theksoi se për 14 vite EULEX-i me qindra avokatë, gjyqtarë dhe policë po përpiqet të ndërtojë sundimin e ligjit në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ndodhet për vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut, ka vlerësuar se Serbia me veprimet e saj në ditët e fundit dëshiron të destabilizojë dhe ndajë Kosovën dhe për këtë arsye dëshiron përshkallëzim të mëtejshëm.

Konjufca tha se “rajoni nuk është plotësisht imun ndaj ndikimit të Rusisë” dhe se “kjo ka qenë veçanërisht e dukshme në ditët e fundit në veprimet e Serbisë në lidhje me Kosovën.

“Këto veprime të Serbisë janë të papranueshme dhe qëllimi i tyre është destabilizimi i shtetit të Kosovës dhe ndarja e shtetit të Kosovës. Ne si popull qëndrojmë së bashku, të bashkuar në dënimin e këtyre veprimeve të Serbisë dhe mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë në Kosovë”, tha Konjufca.

Sipas tij, Kosova është e përkushtuar në dialog për zgjidhjen e çdo çështjeje të hapur dhe dënon fuqishëm gjuhën e urrejtjes, dhunës dhe barrikadave që bëhen qëllimisht, me dijeninë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ne duam edhe marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë, por kjo nuk është diçka që ne vendosim. Kjo është zgjedhja e Republikës së Serbisë dhe opinioni ndërkombëtar dhe BE-ja janë në dijeni të këtyre veprimeve. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se dy vendet tona do të kenë marrëdhënie të normalizuara dhe vërtetë të mira fqinjësore vetëm kur Republika e Serbisë ta njohë ndërkombëtarisht Republikën e Kosovës”, tha Konjufca.

Ai theksoi se në muajin e fundit Kosova ndërmori dy hapa që ishin në marrëveshje të plotë me SHBA-në dhe BE-në: “Arritja e marrëveshjes për targat e automjeteve dhe shtyrja e zgjedhjeve në veri të Kosovës, dhe tani është radha e Serbisë që të marrë një hap”.

“Në anën tjetër, Serbia u përgjigj duke mbështetur eksponentët e krimit të organizuar në veri të Kosovës, të cilët po ndërmarrin hapa që nuk janë në përputhje me ligjet tona. Ne nuk do ta lejojmë Vuçiqin të komandojë territorin e Kosovës përmes këtyre bandave”, tha Konjufca.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button