U hap “Dialogu Rinor” në “Europe House” në Shkup, Geer mesazh të rinjve: Bëhuni gjenerata që e sjell ndryshimin

“Bëhuni gjenerata që e sjell ndryshimin” ishte mesazhi i euro-ambasadorit David Geer në Shkup në hapjen e serisë së “Dialogut Rinor” në “Europe House” të mërkurën në Shkup. Roli i të rinjve është esencial në procesin euro-integrues të vendit tonë. Nga ana tjetër, përfaqësuesi e qeverisë së RMV-së u zotuan se me finalizimin e Strategjisë Kombëtare për Rini do të ketë rezultate pozitive për të rinjtë, shkruan Portalb.mk.  

Delegacioni i BE-së në Shkup filloi serinë e diskutimeve “Youth Dialogue”. Në takimin e parë u diskutua për perspektivën evropiane të të rinjve dhe kyçjen e tyre në proceset vendimmarrëse. Shefi i delegacionit të BE-së, David Geer, tha se vendi duhet të kalojë nëpër shumë faza që nga hapja e negociatave dhe për këtë është e domosdoshme kyçja e të rinjve në procesin e euro-integrimeve.

Euro-ambasadori David Geer – Europe House Skopje

“Unë besoj fort se të rinjtë janë në gjendje të vinë me ide të mrekullueshme, të bëjnë presion për ndryshime pozitive, sepse nëse nuk e bëni në këtë moshë nuk do e bëni në moshën tim. Ju keni vizion dhe fuqi të sillini ndryshim më shumë se sa besoni. Ju mbase mendoni se prindërit, mësuesit dhe ato në pushtet nuk ju dëgjojnë por ndodh të befasoheni. Prandaj duhet të filloni tani sepse ndryshimi që kërkoni kërkon kohë dhe gjenerata prandaj ju duhet të jeni ajo gjeneratë që i lëviz gjërat përpara”, u shpreh Ambasadori David GEER, Shef i Delegacionit të BE-së.

Pjesëmarrjen e të rinjve në politikë e shohin të rëndësishme edhe vetë atë. Aktivisti dhe një ndër Ambasadorët e rinj evropian, Isak Missini vlerëson se pjesëmarrja në debate është vetëm një nga mënyrat që të rinjtë kanë për të përcjellë zërin dhe pikëpamjet e tyre, një synim për të cilin duhet të përpiqet çdo i ri në këtë vend.

Isak Missini – Youth Dialogue – Europe House 04.12.2022

“Duke marrë pjesë në debate, të rinjtë kanë mundësi të shprehin mendimin e tyre. Por, për këtë është e nevojshme që së pari të kenë një mendim të formuar, të cilin për fat të keq shumë nuk e kanë sepse janë të indoktrinuar vazhdimisht me retorikën e rreme se të rinjtë nuk janë për politikë, nuk është domeni i tyre. Është e nevojshme që të rinjtë të informohen, të mësojnë dhe të përmirësohen përditë, sepse kështu do të mund të mbrohen nga manipulimi i tepërt që vjen prej 30 vitesh nga drejtuesit e shtetit”, deklaroi Isak Missini.

Vonesa e përgatitjes së Strategjisë Kombëtare për Rininë, është një ndër faktorët që tregon se mbase të rinjtë nuk janë prioriteti i Qeverisë, thanë të rinjtë.

Gjorgji Tasev, Këshilltar i Kryeministrit për Rininë dhe Politikat Rinore deklaroi para të rinjve prezent në dialog se Strategjia Kombëtare për Rini edhe pse me vonesë është është në fazën finale.

Gjorgji Tasev, Këshilltar i Kryeministrit për Rininë dhe Politikat Rinore – Youth Dialogue – Europe House 04.12.2022

“Strategjia Kombëtare për Rini për fat të keq është një proces që prolongua për shkak të krizës Covid-19 dhe mungesës së mjeteve financiare. Strategjia Kombëtare për Rini 2023-2027 është në fazë përfundimtare konsultative. Kjo strategji përbëhet nga tre elemente kryesore: elementi i parë është kyçja e të rinjve në proceset vendimmarrëse, elementi i dytë i rëndësishëm është punësimi i të rinjve, elementi i tretë është informimi i të rinjve. Shëndetësia, kultura dhe siguria janë elementet tjera mbi të cilat bazohet strategjia Kombëtare e Rinisë”, deklaroi Tasev.

Buxheti i vogël që ndahet për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut është një tjetër problem i madh me të cilët përballet kjo kategori e popullsisë. Këtë vit Agjencia për Rini dhe Sport ka pasur buxhetin më të lartë për të rinjtë që nga themelimi i agjencisë, megjithëse ndarja mes sportit dhe rinisë është pothuajse gjithmonë 98% ndaj sportit dhe 2% ndaj të rinjve. Por, buxheti i propozuar për vitin 2023 e zvogëlon shumën për të rinjtë për rreth 10 milionë denarë.

Këshilltari i Kryeministrit për Rininë dhe Politikat Rinore u shpreh se janë të vetëdijshëm për këtë situatë dhe po punohet të gjendet një zgjidhje për balansimin e buxhetit.

“Kjo është një ndër ato pyetjet që të fut në siklet por mirë është të elaboroen pyetje të tilla. Është problem serioz në Agjencinë për Rini dhe Sport disbalanci i buxhetit. Ne po kërkojmë zgjidhje për këtë dhe mendojmë se zgjidhje është të krijohen struktura të ndryshme për sport dhe për rini. por situata është ajo që është aktualisht”, u shpreh Gjorgji Tasev. 

Lançimi i serive “DIALOG RINOR” është një ngjarje përmbyllëse në kuadër të Vitit Evropian të Rinisë 2022 i parashikuar si një mekanizëm dialogu midis të rinjve dhe palëve të interesuara përkatëse që rrotullohen rreth interesave, nevojave, grupeve dhe komuniteteve rinore. Dialogu i parë fokusohet në gjendjen aktuale të procesit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe rolin e të rinjve në këtë proces.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button