Transportuesit në vend të Arsovskës kërkuan takim me kryeministrin, ndërsa ai nuk pranon të flasë nën presion dhe shantazh

Transportuesit privatë të autobusëve që protestojnë në bulevardin Ilinden afër zyrave të Qytetit të Shkupit pas heqjes së bllokadave në kryqëzimet pranë qendrës tregtare Mavrovka dhe Kryqit të Kuq, kërkojnë të pranohen në Qeveri sepse kryetarja Danela Arsovska refuzon të bisedojë me ta. Përveç kësaj, ata kërcënuan se do të radikalizojnë protestat nëse kjo nuk ndodh, Portalb.mk.

Mirëpo, në konferencën e sotme për media, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka akuzuar VMRO-DPMNE-në se është shkaktar i qytetit të bllokuar dhe ka paralajmëruar se takimi me kompanitë private është i mundshëm, por në kushte të caktuara.

“Jo nën presion dhe jo nën shantazh. Së pari të lirojnë rrugët dhe t’ua kthejnë qytetarëve. Së dyti, në takim duhet të jenë të pranishëm edhe organet kompetente nga Qyteti i Shkupit. Së treti, këtu bëhet fjalë për marrëdhënie debitore-kreditore ndërmjet kompanive private dhe ndërmarrjes publike nën autoritetin e qytetit”, tha Kovaçevski.

Përfaqësuesi i shoqatës së transportuesve privatë “Sloboda prevoz”, Qemal Muriq, dje tha se në kushtet kur nuk kanë përgjigje nga kryetarja e Shkupit Danela Arsovska për kërkesën e tyre për takim, shpresojnë të pranohen për bisedë nga kryeministri Kovaçevski, ku do të diskutohet për gjendjen aktuale me transportin publik të qytetit. Nëse takimi nuk zhvillohet, sipas tij, ka mundësi të radikalizohen protestat.

“Nuk e dimë se kur do të thirremi. Është në dorën e tyre, në varësi të angazhimeve të kryeministrit. Nuk dua as të mendoj se çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të na thirrnin. Me shumë mundësi do të ketë radikalizim të protestave, por para kësaj, trupi koordinues i transportuesve privatë duhet të takohet dhe të bien dakord për hapat e mëtejshëm”, tha Muriq, duke shtuar se autoritetet e qytetit nuk tregojnë ndonjë interes për të zgjidhur situatën.

Qyteti i Shkupit e shfuqizoi marrëveshjen  me “Makekspres” e cila kishte vlefshmëri deri në fund të vitit 2023, pasi që sipas tyre, autobusët e linjave 19, 20, 22, 52 dh 54 nuk i kanë respektuar kushtet e përcaktuara për dhënien e shërbimeve cilësore. Nga NQP thanë se do t’i zëvendësojnë me autobusë dhe shoferë të tyre këto linja.

Disa ditë më vonë edhe kompania “Slloboda prevoz” hyri në grevë për shkak se deklaronin se NQP u ka borxh prej 1 milion euro. Për këtë kjo kompani ndaloi së qarkulluari linjat 9, 12, 22, 23 dhe 45.

Pas disa ditësh, Qyteti i Shkupit njoftoi se e ka shfuqizuar marrëveshjen edhe me “Slloboda Prevoz”, që nënkupton të dy kompanitë ndaluan së qarkulluari në 10 linja me mbi 200 autobusë.

NQP Shkup tani është transportuesi i vetëm i këtyre linjave. Për shkak mungesës së autobusëve që mund të zëvendësohen, qytetarët ankohen për vonesa të autobusëve.

Prej vitit 2016-të, autobusët privat kanë qarkulluar në kuadër të NTP-së. Ata paguhen për kilometër të kaluar në qarkullim, varësisht prej lartësisë së çmimit të derivateve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button