Situata në veri të Kosovës, temë e bisedës së Konjufcës me Xhaferin dhe Pendarovskin

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe presidenti Stevo Pendarovski sot realizuan takim me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i cili qëndron në vizitë zyrtare në RMV. Gjatë takimit, pos temave për marrëdhëniet dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, është diskutuar edhe për situatën në veri të Kosovës.

Kryetari Xhaferi theksoi se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës janë në nivel të lartë, me bashkëpunim të suksesshëm në fusha të shumta me interes të ndërsjellë, me dialog të hapur në të gjitha nivelet dhe pa çështje të hapura. Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut i mbështet aspiratat euroatlantike të Republikës së Kosovës dhe në vazhdimësi shpreh gatishmëri për transmetimin e njohurive dhe përvojave të përfituara, si në rrugën e BE-së ashtu edhe në raport me aspiratat e integrimit në Aleancën e NATOS. Njëkohësisht, Xhaferi e përsëriti qëndrimin afirmativ të vendit  për aderimin e Kosovës në të gjitha organizatat multilaterale dhe rajonale.

Kryetari Xhaferi foli edhe për bashkëpunimin ekonomik, duke potencuar se Republika e Kosovës është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë së Veriut dhe ndër tregjet kryesore eksportuese të ekonomisë sonë. Nënvizoi se në vend ndiqen me vëmendje ngjarjet aktuale në Kosovë dhe vlerësoi se është i domosdoshëm vazhdimi i negociatave mes dy palëve, me qëllim të qetësimit të gjendjes dhe gjetjes së zgjidhjeve për çështjet e hapura. Njëherazi, ai shprehu përkrahje për dialogun Kosovë-Serbi, të paraprirë nga BE-ja, në drejtim të arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe të pranuar në mënyrë të ndërsjellë.

Bashkëbiseduesit këmbyen mendime për bashkëpunimin në fushën e ndërlidhjes infrastrukturore, me çka do të lehtësohen komunikimi dhe kontaktet ndërmjet qytetarëve të dy vendeve. Vlerësuan se në fushën e bashkëpunimit tejkufitar, fokusi i përbashkët duhet të jetë në drejtim të shfrytëzimit të fondeve të BE-së për hapjen e kalimeve të reja dhe modernizimin e kalimeve kufitare ekzistuese.

Konjufca, gjithashtu i takua edhe me presidenti Stevo Pendarovski. Në takim është biseduar për marrëdhënien e përgjithshme bilaterale, me theks të veçantë të bashkëpunimit parlamentar, gjatë së cilës bashkëfolësit shprehën kënaqësi nga dinamika dhe bashkëpunimi mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës të cilat mbajnë marrëdhënie konstruktive dhe pozitive, me dialog të hapur në të gjitha nivelet dhe pa çështje të hapura.

Pendarovski dhe Konjufca biseduan edhe për ndodhitë e fundit në Kosovë gjatë së cilës, Pendarovski bëri thirrje për normalizim të marrëdhënieve me çka do të garantohet paqja, stabiliteti, siguria dhe rendi i fqinjëve dhe tërë rajonit. Në këtë kontekst, Pendarovski e ka riafirmuar qëndrimin se Maqedonia e Veriut e mbështet dialogun Beograd-Prishtinë për gjetjen e zgjidhjes gjithëpërfshirëse, me ndërmjetësim të BE-së dhe SHBA-së.

Në takim janë këmbyer edhe informata dhe mendime për gjendjen në rajon gjatë së cilës është konstatuar se në kontekst të sfidave të reja gjeopolitike në luftën në Ukrainë, zgjidhja paqësore e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor, duhet të jetë imperativ për të gjithë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button