Rasti i Tetovës, absurde është që buxheti komunal të mos konsiderohet si buxhet që e mbushin qytetarët

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHPNKOK) e Maqedonisë së Veriut nuk e ka marrë përsipër të hetojë padinë e ngritur nga Komuna e Tetovës kundër ish-kryetares Teuta Arifi për kontratat në vepër të realizuara kur ajo ishte në krye të komunës. Prokuroria arsyetohet se ata nuk merren me lëndë të dëmtimit të buxhetit komunal por vetëm me dëmtimet ndaj buxhetit shtetëror. Vendimi i tillë ka shkaktuar reagime të shumta në opinion ndërsa juristët thonë se është absurde që buxheti komunal të mos konsiderohet si buxhet që e mbushin qytetarët.  Kryetari aktual i kësaj komune, Bilall Kasami thotë që ky është vendim politik pasi në krye ka ardhur prokurori Abazi, shkruan Portalb.mk.

812 kontrata, para të derdhura nga buxheti komunal

Pas ardhjes në krye të Komunës së Tetovës, Kasami me 8 shkurt të këtij viti publikoi listën e kontratave në vepër për vitin 2021 të paguara nga buxheti komunal me nënshkrim të ish-kryetares Arifi. Ai tha se pagesat e tilla janë joligjore dhe se kishte dorëzuar padi në prokurori për keqpërdorim të fondeve të komunës.

Disa muaj më pas, kjo padi siç deklaroi ai, u pasua me përgjigje negative.

“Për ironi të fatit, ditën e premte javën që kaloi (2 dhjetor), nga Prokuroria për Krim të Organizuar na erdhi përgjigja e parë që refuzohet padia të cilën e ka ngritur Komuna e Tetovës kundër nën-kryetares së BDI-së (referuar Teuta Arifit), pra rezultati i një prokurori nga Zajazi doli, gjashtë muaj është mbajtur në fjokë (sirtar) ajo padi dhe kur erdhi ai menjëherë e ka refuzuar”, deklaroi Kasami me 7 dhjetor.

Sipas tij, “arsyetimi është absurd, antiligjor, se nuk janë mjete buxhetore por janë mjete të komunës, sikur mjetet e komunës nuk janë mjete të qytetarëve, për ne është vendim politik”.

Arsyetimi i Prokurorisë: lëndën e kemi dërguar në Tetovë

Pyetëm Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për këtë rast, ky është sqarimi i tyre:

“Lënda për të cilën tregoni interesim në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është dorëzuar në kompetencë të Prokurorisë Themelore Publike Tetovë. Pas studimit të rastit, prokurori kompetent ka dorëzuar kërkesë në Komunën e Tetovës për të vërtetuar nëse dëmi ka ndodhur në buxhetin e Komunës së Tetovës apo në buxhetin e Republikës së Maqedonisë.

Në bazë të përgjigjes së marrë është konstatuar se bëhet fjalë për dëmtim të buxhetit të komunës, ku Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk ka kompetencë për të vepruar.

Në atë drejtim, prokurori në fjalë e ka hedhur poshtë kallëzimin penal për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, dhe atë për paragrafin 5 të nenit 353, e cila ka të bëjë me procedurën për prokurimet publike ose dëmtimin e mjeteve nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë, nga mjetet publike ose nga mjetet tjera të shtetit.

Islam Abazi
Islam Abazi – kryetar i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit

Komuna e Tetovës është njoftuar se cila pjesë e kallëzimit penal është refuzuar dhe komuna si parashtrues ka të drejtë ankese në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, të cilën e ka shfrytëzuar dhe ka paraqitur ankesë.

Për pjesën tjetër të krimeve të raportuara, prokurori ka konflikt juridiksioni dhe aktualisht pritet vendimi për kthimin e lëndës në Prokurorinë Themelore Publike – Tetovë si prokurori në juridiksionin e së cilës trajtohen lëndët që kanë të bëjnë me dëmtimin e buxheti komunal.” kumtuan nga Prokuroria për Portalb.mk.

Komuna është ankuar ndaj vendimit

Portalb u drejtua sërish në Komunën e Tetovës, pyetëm Kasamin se çfarë përmban ankesa dhe deri në çfarë faze është nga ana e komunës, kështu u përgjigj ai:

Bilall Kasami, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Ankesa përmban arsyetimin e Prokurorisë Themelore për Krim të Organizuar është i pabazë dhe paushall. Sipas arsyetimit të ekspertëve – juristëve, nuk ka dallim mes buxhetit komunal dhe buxhetit shtetëror, ata janë buxhete të cilat mbushen nga taksat e qytetarëve. Arsyetimi i Prokurorisë Themelore se bëhet fjalë për buxhet vetanak të komunës dhe prandaj ata nuk kanë bazë në padi, është absurd dhe antiligjor.” tha ai për Portalb.mk.

Sërish pyetëm në Prokurori për vazhdimin e rastit, na përsëritën të njëjtën se aktualisht pritet vendimi për atë se ku do të kthehet lënda.

Juristi Kurtishi: Arsyetimi i Prokurorisë se nuk ka kompetencë për të vepruar është absurd

Biseduam me juristin Emir Kurtishi i cili sqaron se ka ligje, akte juridike mbi bazën e së cilës sqarohet kjo situate e krijuar juridike por edhe politike

“Spekulimet e ekspertëve të juristëve se nuk ka dallim mes buxhetit të shtetit dhe të komunës, nuk janë të vërteta, sepse në vendin tonë kemi ligj të veçantë (lex specialis) për financimin e njësive të qeverisjes lokale me Ligjin për financimin e njësive të qeverisjes lokale. Sipas ligjit, burimet e financimit të qeverisjes lokale në RMV janë: burimet vetjake të të hyrave; dotacionet nga mjetet e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nga buxhetet e fondeve; dhe të ngarkuarit me borxh. Pra, kemi një miks apo hibrid të financimit të komunave, por nuk është e vërtetë se nuk ka dallim mes buxhetit të komunës dhe atë të shtetit. Por, kjo nuk është aq çështje me rëndësi që duhet t’i kushtohet vëmendje të madhe”, sqaron Kurtishi.

Emir Kurtishi, jurist foto nga arkivi i tij personal (e përdorur me leje)

Sipas tij, çështja qëndron diku tjetër.

“Pra, kryetari aktual i Komunës së Tetovës, vlerëson se kryetarja e mëparshme e ka keqpërdorur pozitën dhe buxhetin e komunës me nënshkrimin e kontratave në vepër dhe ka dorëzuar padi kjo çështje të kalojë mbi duart e prokurorisë dhe ajo të vlerësojë se a ka shkelje apo jo mbi bazën e nenit 353 paragrafi 5 të Kodit Penal të RMV-së. Pra, në esencë absurde është arsyetimi i Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ku konstaton se bëhet fjalë për dëmtim të buxhetit të komunës, por nuk ka kompetencë për të vepruar. Pse e mohon këtë nuk i di arsyet. Mirëpo, mbi bazën e nenit 32, paragrafi 1, alineja 3 e Ligjit për Prokurorinë Themelore Publike, mes tjerash theksohet se Prokuroria themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është kompetente në shkallë të parë që të veprojë edhe për nenin 353 paragrafi 5. E qartë që shprehimisht në Kodin Penal nuk përmendet si buxheti i komunës, por thuhet mjete nga Buxheti i Republikës dhe mjete të tjera të shtetit, që nënkuptohet se këtu futet edhe buxheti komunal, sepse nuk mundet që ajo si e tillë të mos jetë e paraparë nga ligjvënësi dhe kjo të paraqet zbrazëtirë juridike dhe keqpërdorimi i saj të mos dënohet. Nëse kjo prokurori nuk është kompetente për të vepruar atëherë cila prokurori është?”, vlerëson Kurtishi.

Ai thotë se nuk mund t’i shmanget një çështjeje Prokuroria për të cilën ligji e detyron.

“Nuk ka mekanizma të tjerë juridik. Ligji është i qartë. Nëse nuk ka qenka kompetente kjo prokurori atëherë në arsyetimin e saj le të na tregojë se cila prokurori është kompetente për procedimin e rastit. Apo nëse ka bërë gabim kryetari i komunës në kualifikimin e veprës penale, atëherë dëmtimi i buxhetit ku bën pjesë? A duhet të ngel dikush i paprekur dhe i pa dënuar?”, thotë Kurtishi.

Ai thekson se këto raste e rritin edhe më shumë skepticizmin dhe mosbesimin e qytetarët ndaj organeve të drejtësisë.

“Edhe ashtu gjendja me gjyqësorin është për të dëshiruar dhe ky shembull do të shfrytëzohet për të keq dhe vetëm se më shumë do ta përforcojë bindjen tonë se çdo kush që bën keqpërdorime zyrtare apo kryen vepra penale, flas për funksionarë publik, nuk i kap drejtësia dhe këto i bën të paprekshëm përpara ligjit”, thekson ai.

Për atë se a është e logjikshme kjo, duke e pasur parasysh se edhe buxheti i komunës krijohet prej taksapaguesve, ai thotë se gjithçka është logjike dhe e qartë.

“Me implementimin e politikës për decentralizim dhe në përgjithësi të reformës së sistemit të qeverisjes lokale në RMV, njësive të qeverisjeve lokale, pra komunave u dhanë kompetenca të mëdha. Dakord, të gjithë pajtohemi se nuk kemi decentralizim të mirëfilltë fiskal në RMV në kuptimin kur qytetari ta paguajë tatimin, ato para t’i merr komuna dhe jo të shkojnë në Buxhetin e RMV-së. Mirëpo, me Ligjin për financimin e njësive të qeverisjes lokale, te burimet vetjake të të hyrave në komunë futen ato që përmendet ju: tatimet lokale siç janë tatimi mbi pronën, mbi trashëgiminë, taksat komunale, administrative, kompensimi nga veprimtaria komunale, të hyrat nga qiraja, kamatat e shumë të tjera pra të gjitha këto shpërndahen dhe shkojnë nëpër komuna edhe atë 3% nga tatimi mbi të ardhurat personale të të ardhurave vetjake nga rrogat e personave fizikë të paguara në komunën në të cilën janë të paraqitur me vendbanim dhe qëndrim të përhershëm dhe 100% nga tatami mbi të ardhurat personale nga personat fizikë, të cilët merren me veprimtarinë e zejtarisë, në rajonin e të cilit është regjistruar për kryerjen e veprimtarisë”, thekson Kurtishi.

Prokuroria Publike, RMV

Sipas tij, ky ky rast do të shërbejë si precedent në të ardhmen që do të konsistojë ndaj çdo padie që do të bëhet për keqpërdorime të pozitës dhe autorizimit zyrtar, pra për keqpërdorimin e buxhetit të komunës të hidhet poshtë nga ana e prokurorisë si e pabazë.

“Mirëpo ka edhe diçka tjetër që të çon në atë se kjo çështje është serioze dhe për çdo shkelje të saj duhet të mbahet përgjegjësi. Ministria e Financave çdo vit përgatit udhëzime mbi përgatitjen e Buxhetit për njësitë e qeverisjes lokale edhe atë duke u thirrur në parimin e ekonomisë dhe racionalitetit të shpenzimit të mjeteve buxhetore, të rritet përgjegjësia fiskale, llogaridhënia dhe transparenca që janë shumë të rëndësishme. Në rastin konkret kemi punësime në administratën lokale. Problemi qëndron aty se, për punësimet në kontrata në vepër nuk kërkohet pëlqim nga ana e Ministrisë së Financave që rrjedhimisht do të duhej që nga ana e kësaj ministrie të siguroheshin mjetet buxhetore. Mirëpo, këto punësime janë bërë me kohë të caktuar dhe si të tilla ato nuk parashihen as në aktet për organizimin dhe sistematizimin e komunës për sigurimin e mjeteve buxhetore të komunës. Kësisoj, kemi shpenzim të buxhetit, por nuk kemi përgjegjësi dhe llogaridhënie, madje me aq kontrata të nënshkruara nuk janë zbatuar asnjëra prej parimeve të theksuara më lartë. Meqenëse kjo çështje ende nuk ka epilog të qartë, mbetet të shihet se çfarë përgjigjeje do të jep Prokuroria e Lartë dhe se si duhet të veprohet më tutje, përndryshe do të kemi të drejtë për çdo dyshim që spekulohet në opinion”, përfundoi Kurtishi.

Taravari për rastin: Këto vendime tregojnë se gjyqësori ka falimentuar

Në një deklaratë për Portalb.mk, u.d lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari thotë se “as nuk diskutohet se konsiderohet se krijohet perceptim negativ te qytetarët”.

“Unë nuk e di se cila prokurori apo gjykatë duhet të merret me këto çështje, por defintivisht duhet të merren parasysh dhe të trajtohen me sistemin gjyqësor ashtu siç duhet këto raste. Me këto vendime dy tre vitet e fundit kemi përshtypje se këtu sistemi gjyqësor ka falimentuar”, vlerësoi Taravari.

Për këtë rast Kasami njoftoi se kanë informuar ambasadat, konkretisht atë të SHBA-ve.

Kritika nga ndërkombëtarët për korrupsionin në vend

Kur jemi te SHBA-të, ambasadorja e sapo emëruar në vend, Angela Aggeler kishte kritika të ashpra për zgjedhjen e Islam Abazit si shef të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

“Ambasadës së SHBA-së rezultatet i duken të çuditshme, veçanërisht pasi kemi shpenzuar miliona dollarë gjatë viteve të fundit për trajnimin e prokurorëve dhe të tjerëve në sistemin e drejtësisë. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë një sistem të pavarur të drejtësisë në të cilin pozitat plotësohen sipas meritës dhe cilësisë, përmes proceseve transparente, pavarësisht nëse janë në prokurori, gjyqësor apo në ndonjë institucion tjetër publik. Ndërhyrja politike nuk ka vend në këto procese. Ata që do të ndërhyjnë përmes presionit, kërcënimeve apo marrëveshjeve korruptive do të thirren dhe do të mbahen përgjegjës nga qytetarët”, pati deklaruar Aggeler.

Angela Price Aggeler, foto: Ambasada e SHBA-ve në RMV

Uashingtoni dërgoi një ekip në Maqedoninë e Veriut për vështrim më agresiv ndaj aktorëve të korruptuar, funksionarëve aktualë dhe të kaluar.

“Sektorit të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut i nevojiten më shumë hetime dhe ndjekje penale për të treguar se askush nuk është mbi ligjin”, njoftoi Aggeler.

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski konsideron se vizita e ekipit amerikan të sanksioneve është me qëllim të skanimit të situatës në gjyqësor, por mesazhi politik nga kjo është se duhet t’i përfundojmë gjërat vetë në shtëpi në atë sferë.

Lufta kundër korrupsionit në periudhën e fundit ka qenë cak i kritikave të forta nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.

Ka reaguar edhe ambasadori evropian David Geer, ambasadorja gjermane Anke Holstein si dhe të tjerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button