ANALIZË: Shtrëngohen kushtet e kreditimit për kompanitë dhe qytetarët – kamatat po rriten! (Infografik)

Shtrëngimi i politikës monetare ndikoi në kamatat e kredive – bankat i rritën ato, që është një nga faktorët e shtrëngimit të kushteve të kreditimit. Bankierët presin që ky trend të vazhdojë deri në fund të këtij viti. Më 31 tetor, totali i borxhit kreditor të qytetarëve dhe kompanive kaloi 6,7 miliardë euro. Rritja e kamatave, por edhe komisioneve (provizioneve) e ngadalësoi kërkesën për kredi nga personat fizikë, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Kreditimi i kompanive…

Kompanitë në banka kanë borxhe në vlerë prej 3,2 miliardë eurosh në bazë të kredive, shumë kjo që po rritet vazhdimisht, si në nivel mujor ashtu edhe vjetor. Në muajin tetor, borxhi i kompanive për shkak të kredive u rrit për 1% në bazë mujore, ndërsa në bazë vjetore për 12,9%.

Pothuajse 70% e kredive janë në denarë, ndërsa pjesa tjetër prej 30% në valutë të huaj. Në Anketën e fundit të Bankës Popullore, bankierët vlerësojnë se kërkesa për kredi nga kompanitë është rritur, por se kushtet për kreditim janë shtrënguar për disa arsye, e një ndër to është rritja e kamatave si pasojë e shtrëngimit të politikës monetare.

“Bankat theksojnë se përqindja e kamatës, kërkesat për kolateral dhe të ardhurat pa interesa shkaktojnë një shtrëngim neto të kushteve të kreditimit, më fort se sa krahasuar me anketën e mëparshme”- thuhet në Anketë. Kërkesa më e madhe për kredi ka nga kompanitë e vogla dhe të mesme, kryesisht për kredi afatshkurtra, ndërsa te kompanitë e mëdha kërkesa është e fokusuar në kreditë afatgjata.

Kreditë për qytetarët…

Rritet edhe borxhi i qytetarëve si rezultat i kredive, në fund të tetorit familjet i kishin 3,2 miliardë euro borxh ndaj bankave. Rritja në nivel vjetor është 7,5%, ndërsa në bazë mujore 0,5%, që tregon tendencë të ngadalësimit të ekspozimit kreditor të qytetarëve. Megjithatë, nga fillimi i vitit deri në fund të tetorit, borxhi kreditor i amvisërive është rritur për pothuajse 209 milionë euro. 

Qytetarët më shumë kanë borxh si rezultat i kredive konsumatore, në shumën prej 1,8 miliardë euro, dhe për kreditë për banesa, në shumën prej 1,2 miliardë euro. Pas një periudhe më të gjatë kushtesh më të lehta kreditimi, pas vendimit të BPM-së për shtrëngimin e politikës monetare, edhe bankat i shtrënguan kushtet për kreditimin e popullatës dhe presin që kjo tendencë të vazhdojë deri në fund të këtij viti bankar – kryesisht përmes kamatave më të larta, por edhe përmes komisioneve (provizioneve) Disa nga bankat kanë njoftuar tashmë se po i rrisin komisionet.

“Për tremujorin e katërt të vitit 2022, bankat presin një shtrëngim të theksuar neto të kushteve për kreditim për amvisëritë. Te përqindja e kamatës, si për kreditë për banesa, ashtu edhe për kreditë konsumatore, vihet re një shtrëngim, për dallim nga periudha më e gjatë e lehtësimit neto. Gjithashtu, komisionet (te kreditë për banesa) tregojnë për një shtrëngim të moderuar neto” – thuhet në Anketën e BPM-së.

Rritje e kamatave…

Pas rritjes së kamatave, vërehet një rënie e kërkesës për kredi – trend që bankierët presin të vazhdojë edhe në këtë tremujor të fundit të vitit.

“Në tremujorin e katërt të vitit 2022, bankat presin një ulje të mëtejshme neto të kërkesës për kredi nga amvisëritë”- njofton Banka Popullore.

Kamatat e totalit të kredive të reja të miratuara u rritën në 4.44%, për kompanitë arritën në 4,36%, që është përqindja më e lartë që nga tetori i vitit 2021. Rënie të lehtë të kamatave për kreditë për amvisëritë ka pasur në muajin tetor në krahasim me shtatorin, kështu që përqindja e kamatës për kreditë e reja të miratuara ka qenë në nivelin 4,58%.

Pikërisht në tetor të këtij viti u regjistrua përqindja më e lartë e interesit të totali të kredive në raport me vitin e kaluar (nga tetori i vitit 2021), e cila arriti në 4,40%. Në fund të muajit tetor, totali i borxhit kreditor të qytetarëve dhe kompanive arriti në 6 734 000 000 euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button