Rrugët në veri vazhdojnë të jenë të bllokuara, sulm me shok-bombë ndaj patrullës së EULEX-it 

Mëngjesi i së dielës është i qetë në veri të vendit, por rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara. Kështu i tha Radios Evropa e Lirë – drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.

Për situatë të qetë raportojnë edhe gazetarët e REL-it nga terreni.

KFOR-i dhe EULEX-i janë duke e monitoruar situatën. Ndërsa pak njerëz shihen aktualisht në barrikadën në Rudarë të Zveçanit.

Një shok-bombë (bombë çorientuese) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e dhjetorit, në afërsi të Rudares, njofton ky mision.

“Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, thuhet në njoftimin për media të 11 dhjetorit.

KFOR-i dhe EULEX-i janë duke e monitoruar situatën në veri të vendit.

Pasditen e 10 dhjetorit në Rudarë, serbët lokalë u mblodhën në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq nga radhët e komunitetit serb. Ata vendosën barrikada në këtë vend.

Si rrjedhojë, Policia e Kosovës mbylli rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë, duke e konsideruar këtë vendim si masë paraprake të sigurisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button