Politikës së mirëfilltë ia ka zënë frymën mllefi

Askund në Evropë s’adhurohen dhe s’pështyhen politikanët më shumë se te ne! E kjo flet shumë për ne dhe jo sinqeritetin tonë në raport me politikën dhe udhëheqësit politikë. Prandaj mjedisi ynë politik ka nevojë urgjente që të ajroset dhe të pastrohet nga garnitura e keqe dhe këtë garnitur të keqe kurrë s’mund ta pastrojë politika vetë, nëse s’ushqehet ajo me vlera humane, kulturore dhe estetike, pra pa një shtytje të fortë intelektuale e kulturore.

Qytetarët duhet të marrin pjesë aktive në jetën politike në Maqedoninë e Veriut, por jo të ecin të trullosur pas liderëve që as vetë s’e dinë kah shkojnë, rrjedhimisht s’dinë as kah iu çojnë. Si pasojë injorancës së thellë politika dhe kequshqimit të gjatë me ide të shkreta politike ne në Maqedoninë e Veriut, jetojmë në një rrëmujë të vërtetë, pa parime e pa vlera e ku idetë normale politike rrallohen përherë e më shumë dhe vendin e tyre e zënë trishtueshëm thashethemet, intrigat, mllefi.

Veprimet, impulset e forta politike që shfaqen përditë në jetën tonë janë shenjë e varfërisë së madhe shpirtërore dhe kulturore në Maqedoninë e Veriut, e kequshqimit të gjatë politik, kurse ngarendjet e trullosura pas politikanëve dhe debatet e përditshme për ta, janë në funksion të agonisë dhe jo normalitetit mes nesh. Në Maqedoninë e Veriut me pak përjashtime, s’ ka pasë politikë që i ka sjellë lumturi, paqe, harmoni e unitet, por ka pasë politikë që i ka sjellë varfëri, hidhërim dhe çorientim. Dhe kjo është një e vërtetë e provuar historikisht.

Sikur të tregonim ndjeshmëri për vlera kulturore dhe estetike me siguri do të mundë ti jepnim shtytje edhe emancipimit politik dhe rrjedhimisht përparimit të vendit. Por jo ne s’tregojmë ndjeshmëri e as afinitet për vlera të nalta kulturore dhe shpirtërore, por dalldisemi pas politikës shterpe e udhëheqësve.

-Prandaj nëse vërtet e duam të mirën e vendit duhet të shërohemi siç ka këshilluar Konica- nga dashuria për indvidin duhet të edukohemi me vlera të nalta kulturore. Vendit i duhen udhëheqës që kanë gjykim për pushtetin, integritet dhe kurajë për të menduar përtej politikës tradicionale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button