Policia e Kosovës dha detaje për arrestimin e të dyshuarit për sulm ndaj policëve të Kosovës në veri

Një person i dyshuar për sulmet ndaj Policisë së Kosovës gjatë tetorit të vitit 2021 është arrestuar sot nga Policia e Kosovës. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovë, sot rreth orës 15:00 njësitet policore kanë arritur të identifikojë dhe të ndalojë të dyshuarin një qytetar serb me inicialet M.A i cili ishte në kërkim.

“Policia e Kosovës, gjatë realizimit të detyrave zyrtare, sot, më 09.02.2022, rreth orës 15:00, në Jarinje ka arritur të identifikojë dhe të ndalojë të dyshuarin M.A. (m/s/k), i cili ishte në kërkim”- thuhet në njoftim.

KALLXO.com mëson se bëhet fjalë për Milijan Adziq.

Sipas Policisë, personi i ndaluar po dyshohet për përfshirje në sulm me armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë që është iniciuar si ‘vrasje e rëndë (në tentativë)’.

Me autorizim të prokurorit kompetent i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në tetor të vitit të kaluar Policia dhe Dogana e Kosovës patën ndërmarrë operacion kundër kontrabandës së mallrave në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut.

Në Mitrovicë të Veriut njësitë e Policisë dhe të Doganës ishin përballur me protesta të dhunshme të banorëve serbë.

Në këto incidente ka pasur të lënduar e të plagosur edhe në radhët e Policisë edhe të protestuesve. Gjatë këtyre incidenteve janë përdorur mjete të forta kundër policëve si dhe janë dëgjuar të shtëna armësh e shpërthime granatash.

Shtatë pjesëtarë të Policisë së Kosovës kishin marrë trajtim mjekësor.

Përveç zyrtarëve policorë ishin sulmuar edhe gazetarë, kameramanë e fotoreporterë të mediumeve të ndryshme në Kosovë.

Një ngjarje e tillë i ka ndodhur edhe ekipit të KALLXO.com rrugës për në Zveçan, ku një turmë qytetarësh hodhën mjete piroteknike e edhe mollotov në drejtim të veturës së gazetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button