Tragjedia e KEK-ut, Shqipëria nis furnizimin me energji të Kosovës

Në kuadrin e shpërthimit tragjik që ndodhi sot në Koorporatën Elektroenergjitike të Kosovës (KEK), pala kosovare ka shprehur ndaj asaj shqiptare nevojën për një sasi energjie elektrike, e cila mund të shkojë deri në 200 megavat në bandë për tre ditët e ardhshme. E në këtë situatë, Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare prej orës 15:00 të ditës së sotme, bën me dije se do të nisë furnizimin përmes linjës Fierzë-Dragash me 50 megavat në bandë.

Ndërkaq, në bashkëpunim me institucionet respektive në Kosovë, KESH dhe OST po përpiqen të shohin mundësitë e garantimit të kapaciteteve të interkonjeksionit për të plotësuar nevojën e kërkuar për energji. E gjitha kjo, në kuadrin e një marrëveshjeje bashkëpunimi për shkëmbim energjie që ekziston mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Sakaq, bëhet me dije se nga ana e tij, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ka shprehur pikëllimin e tij për ngjarjen e ndodhur ditën e sotme në Kosovë ku pati shpërthim në termocentralin Kosova A. “Pikëllim dhe dhembje për lajmin tronditës që vjen nga Kosova. Solidaritet me familjet e prekura nga kjo fatkeqësi e rëndë, lutje për shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve…”, shkruan ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button