RMV, vendi nënshkroi marrëveshje të ripërtërirë me Komisionin Evropian për luftën kundër terrorizmit

Komisioni Evropian nënshkroi Marrëveshje të reviduar dypalëshe me Maqedoninë e Veriut, duke ripërtërirë veprimet për zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit për Luftë Kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

Kjo marrëveshje pritet të përmirësojë më tej bashkëpunimin në fushën e luftës kundër-terrorizmit, parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Marrëveshja u nënshkrua nga Komisionerja për Punë të Brendshme Ylva Johansson dhe Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski. E njëjta marrëveshje është nënshkruar edhe nga Shqipëria, nga ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledar Çuçi.

Komisionerja për Punë të Brendshme Ylva Johansson, Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledar Çuçi

Komisionerja Johansson theksoi se plani i Përbashkët i Veprimit kundër Terrorizmit mbetet një shtyllë e bashkëpunimit të tyre me Ballkanin Perëndimor për të garantuar sigurinë e përbashkët.

“Ne mirëpresim përparimin e bërë nga Maqedonia e Veriut në zbatimin e veprimeve prioritare dhe nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të ripërtërirë është një shenjë konkrete e angazhimit dhe mbështetjes sonë të vazhdueshme për partnerët tanë”, deklaroi Johansson.

Komisionerja për Punë të Brendshme Ylva Johansson

Ministri i Brendshëm Spasovski nënvizoi se kërcënimet dhe sfidat e reja të sigurisë po shfaqen dhe se vendi tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar është i një rëndësie të madhe.

“Marrëveshja e rishikuar do të lejojë Maqedoninë e Veriut dhe BE-në të bashkëpunojnë më ngushtë për të parashikuar, parandaluar, mbrojtur dhe përgjigjur kërcënimeve terroriste. Ajo gjithashtu përfshin parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe polarizimit të shoqërive tona të nxitura nga dezinformatat”, deklaroi Spasovski.

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski

Marrëveshja e rishikuar ndërmjet Komisionit dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut identifikon veprime konkrete prioritare në fushën e bashkëpunimit kundër terrorizmit që do të zbatohen gjatë viteve 2023 dhe 2024.

Autoritetet e vendit synojnë t’i raportojnë Komisionit dy herë në vit mbi gjendjen e zbatimit. Marrëveshjet parashikojnë mbështetjen e Komisionit për realizimin e veprimeve.

Kujtojmë që marrëveshjet janë pjesë e një Plani më të gjerë Veprimi të Përbashkët  për Ballkanin Perëndimor, të nënshkruar në tetor 2018, që ofron një kornizë gjithëpërfshirëse për veprimin kundër terrorizmit, parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky angazhim i forcuar për sigurinë është një nga gjashtë nismat kryesore në Strategjinë e Komisionit për Ballkanin Perëndimor dhe i përgjigjet thirrjes së Deklaratës së Sofjes të majit 2018 për rritjen e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Vlefshmëria dhe rëndësia e Planit të Veprimit u riafirmua në Forumin Ministror BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme që u zhvillua në 2020 dhe 2021.

Marrëveshja e mëparshme për zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit të Ballkanit Perëndimor Kundër Terrorizmit u nënshkrua me autoritetet e Maqedonisë së Veriut në tetor 2019. Në dritën e progresit të bërë, pasi shumica e veprimeve në marrëveshjen fillestare konsiderohen të arritura, sot Komisioni nënshkroi një marrëveshje të rishikuar me veprime të ripërtëritura.

Komisioni vazhdon të punojë edhe me katër partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor- Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë për zbatimin e veprimeve aktuale të përfshira në marrëveshjet përkatëse dypalëshe për të arritur përparim të mëtejshëm dhe në të ardhmen për të përditësuar këto marrëveshje me veprime të reja,  për të arritur synimet e përcaktuara nga Plani i Përbashkët i Veprimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button