RMV, u ndanë çmimet shtetërore “Shën Klimenti i Ohrit”

Profesori universitar Afrim Osmani, shkrimtari dhe akademiku Vlada Urosheviq, artisti Ismet Ramiqeviq dhe kardiokirurgu Sashko Jovev janë fituesit e sivjetmë të çmimit “Shën Klimenti i Ohrit” për arritje afatgjata në fushën e arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe përmirësimit të mjedisit njerëzor dhe në veprimtaritë shoqërore në vend, transmeton Portalb.mk.

Në fushën e edukimit dhe arsimit, këtë vit çmimi iu nda profesorit universitar dr. Afrim Osmani, çmimi për arritje në fushën e kulturës dhe artit shkoi për shkrimtarin dhe akademikun Vlada Urosheviq dhe artistin Ismet Ramiqeviq, ndërsa çmimi për arritje në fushën e shëndetit iu nda kardiokirurgut profesor dr. Sashko Jovev.

Ky çmim është një gur i paçmuar në kurorën e mirënjohjeve që ndahen në vendin tonë, tha akademiku dhe kryetar i komisionit për ndarjen e çmimeve, Gazanfer Bajram dhe shtoi se fituesit e përvitshëm të çmimit tregojnë se arsimi, arti dhe shëndetësia maqedonase kanë njerëz, arritjet e të cilëve mund të shihen edhe në standardet botërore.

Në emër të fituesve foli akademiku dhe shkrimtari Urosheviq, i cili shprehu shpresën se afrimi, besimi reciprok dhe shprehja e vullnetit të mirë për të kuptuar tjetrin, tregojnë dhe do të dëshmojnë edhe më tej justifikimin dhe përshtatshmërinë e tyre të thellë dhe se do të realizohen përmes rezultateve që do t’ju sjellë mirëqenie.

“Secili prej nesh ishte dhe akoma është pjesëtar i dobishëm i shoqërisë sonë dhe secili prej nesh me veprimtarinë në fushën e tij dha pjesën e tij në zhvillimin e saj. Është domethënëse që përmes aktiviteteve të kryera në kuadër të profesioneve tona kemi dhënë dëshmi të gatishmërisë sonë për të tejkaluar dallimet etnike, fetare dhe politike dhe për ta drejtuar punën apo krijimtarinë tonë drejt qëllimeve të përbashkëta”, tha Urosheviq.

Pa hezitim, siç tha ai, secili prej nesh si qytetar i Maqedonisë së Veriut gjatë veprimtarisë së tij tregoi dhe dëshmoi se ka para vetes synimet që na bashkojnë, duke lënë mënjanë dallimet që mund të na ndajnë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button