Ziadin Sela: Tradhtova totalitarizmin e Thaçit

Partia Demokratike Shqiptare ka dalë sërish e humbur nga zgjedhjet e fundit parlamentare, duke marrë vetëm 7 deputetë në parlament. Kjo parti pati zhvillime të brendshme, duke shkuar deri në përplasje dhe akuza mes vetë pjesëtarëve të PDSH-së. Kryetari Menduh Thaçi përjashtoi nga partia një nga zërat më të fuqishëm brenda PDSH-së, Ziadin Selën. Ky i fundit, pas humbjes katastrofike të partisë në zgjedhje kërkoi që Thaçi të japë dorëheqje në të mirë të reformimit të partisë. Për këtë situatë të ndezur brenda partisë opozitare shqiptare, portali Albeu.com ka realizuar një intervistë me kryetarin e komunës Strugë, Ziadin Sela.

 Z.Sela, si paraqitet situata momentale në PDSH-në e Strugës? 

  Ziadin Sela: Në PDSH-në e Strugës situata është e qetë, strukturat e kësaj partie në Struge janë mirë të konsoliduara dhe të gatshme që të përballin cdo lloj sfide. Natyrisht që ky konsolidim i PDSH-së së Strugës nuk ka ndodhur brenda natës! Është rezultat i punës disavjeçare të aktivistëve dhe antarësisë së kësaj partie në Strugë, prandaj edhe me fanatizëm kemi mbrojtur dhe do te mbrojmë punën që kemi bërë.

Ka patur deklarata të ashpra kundrejt personit tuaj nga eksponentë të tjerë të PDSH-së, duke iu etiketuar deri edhe “tradhëtar”. Si i komentoni keto deklarata? 

 Ziadin Sela: Një eksponent tjetër më i lartë nga ato që ju apostrofoni në po të njëjtin moment pati deklaruar se: “Tradhtarë nuk janë ato që flasin hapur atë që e mendojnë, por ato që heshtin para të vërtetës që e dinë!”. Natyrisht që koleget e mi që më etiketuan unë i kuptoj! Thjesht janë deklarata të porositura nën diktat të Thaçi. Fakti që të tre deklaratat u shkruan në të njëjtën kohë brenda një gjysmëorëshi, me të njëjtën përmbajtje, dëshmon më së miri këtë që po them.Mund t’u duket absurd fakti që unë kam mirëkuptim për dikënd që me ka quajtur tradhtarë, por ja qe unë jam i bindur që thellë brenda tyre ata ndajnë po te njëjtin mendim me mua në lidhje me ngjarje.t Brenda PDSH-së, në lidhje me atë se në çka është shndërruar, çka ishte, çka duhet te jete PDSH-ja, mund të them se kemi qenë koleg në parlament dhe e njohim mirë njëri-tjetrin, kemi biseduar për këto çështje që asokohe. Kemi vetëm një ndryshim tanimë! Unë fola.Fola dhe tradhtova despotizmin,apsolutizmin dhe totalitarizmin e Menduh Thaçi. Tradhtova tradhtinë dhe mbrojta bërthamën e PDSH-së, Marrëveshjen e re Politike të saj qe u shit shumë lirë në nje kthinë të një restoranti në Shkup, mbrojta dinjitetin e anëtarit të PDSH-së, mbrojta rrugën qe trasoi lideri i saj, Arben Xhafer.

Mendoni se duhet me patjetër që Menduh Thaci të largohet nga PDSH që ajo të shpëtoje nga kriza që e ka perfshirë?

Ziadin Sela: Unë nuk mendoj se nga PDSH duhet të largohet dikush, aq më pak z.Menduh Thaçi. Në PDSH duhet të kthehen të gjithë ata që janë larguar nga ana e z.Thaçi dhe të tjerë, të cilët ndoshta kurrë s’kanë qenë anëtarë të PDSH-së sepse nuk u eshte krijuar hapësira. PDSH duhet të jetë parti e mundësisë, e konkurrencës, e vlerave dhe jo e shantazhit, jo e klaneve të pista, sepse kjo është forma më e mirë per te arritur qëllimin e saj, e që është avancimi i çeshtjes shqiptare ne Maqedoni e më gjerë. .Menduh Thaci duhet të jap dorëheqje nga pozicioni i kryetarit të PDSH-se dhe jo të largohet nga PDSH.

Çfarë planifikoni të bëni momentalisht dhe cila është ideja juaj për reformimin e PDSH-së? 

Ziadin Sela Besoj që një pjesë të përgjigjes e morët më herët. Në momentin që ne po flasim procesi i reformimit të PDSH-së është në zhvillim e sipër. Debati për PDSH është një ndër temat kryesore në takimet e rastit mes miqsh, mes kolegësh në punë, mes intelektualësh. Reforma në PDSH është në vetvete reformë brenda shoqërisë shqiptare në Maqedoni dhe për këtë shkak unë dua që ky proces të rrjedh natyrshëm. E nevojshme është që fillimisht shqiptarët të flasin për këtë fenomen me veten e tyre, me miqtë e tyre. Të nxjerrin përfundime vetë ata pa pasur nevojën që dikush ti indoktrinojë, sepse PDSH e reformuar nuk duhet të jetë indoktrinë, nuk duhet të jetë shpëlarje truri aq më pak interes grupor i ngushtë. Ajo duhet të jetë vetë populli, zgjidhja e halleve që ai ka. Pastaj ky debat do bartet në forume më të gjera në çdo qytet për të përfunduar pastaj në kongresin e partisë. Pra, do jetë nje proces paralel reformë dhe përkrahje te opsionit të PDSH-së.

Cili është mendimi juaj për qeverinë e re? 

Ziadin Sela: Në fakt është po e njëjta që ka qenë dhe nuk shoh asgjë të re dhe ashtu si shumica e qytetarëve nuk pres ndonjë risi. Nuk përbën risi nënshtrimi total i faktorit shqiptar në qeveri nga BDI, sepse këtë e kemi parë që nga 2008 kur BDI u bë pjesë e koalicionit me VMRO-DPMNE. E shohim edhe sot kur pas një fushate me premtime të mëdha nënshkruaj ti kapitullimin menjëherë pas 27 prillit duke mos parashtruar asnjë kërkesë politike në të mirë të shqiptarëve. E shoh liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka bërë një listë me prioritete, nga njëshi deri te gjashta , e që i ndërron prioritetet sipas nevojës. Ka premtuar anëtarësimin në NATO brenda 6 muajsh, njëjte si në 2008, njëjtë si në 2011. Kaluan 6 vite që atëherë dhe ne nuk jemi as pjesë e NATO-s e as e BE-së. Do kalojnë edhe 6 muajt dhe nga lista me prioritete do ngelin vetëm ministrat kukull në qeverinë e Nikolla Gruevskit që do legjitimojnë diskriminimin që u bëhet shqiptarëve në Maqedoni. Po do i ngel edhe debati i kotë për presidentin konsensual. Do thotë që presidenti është legal, por s’është legjitim, njëjtë si ai vetë, i cili me vet faktin që avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe as që nuk e përmend më, do jetë legal dhe jo legjitim në qeveri. Do jemi me fat nëqoftëse do të ndërpresin proceset e montuara politike që u bëhen shqiptarëve.

Albeu.com: Cila është mënyra, sipas jush, që PDSH të jetë më e fuqishme dhe që të jetë realisht zëri i të drejtave të shqiptarëve? 

Ziadin Sela Të bëje atë për të cilën e ngarkoi populli me votë ditën e zgjedhjeve. Opozitën! PDSH është lidere e opozitës, por natyrisht që nuk është vetë opozita. Opozita është koncept shumë i gjerë. Është çdo qytetar i cili nuk e gjen veten pjesë të ekzekutivit si rezultat i formimit të mazhorancës udhëheqëse. Jane subjektet e tjera politike shqiptare, shoqatat e ndryshme, intelektualet, biznesmenët, mediumet me të cilat PDSH duhet të bejë pakt. Të bëjë opozitë aktive. Të jetë pranë çdo qytetari kur i cenohet e drejta, kur i digjet prona, kur i rrezikohet pragu i shtëpisë, kur i merert uji, kur i vidhet paraja .Të institucionalizojë pakënaqësitë dhe ti nxjerrë në rrugë, të mbush sheshet. Të jetë pranë popullit, sepse vetëm në këtë mënyrë edhe populli do jetë me të.

Analistë dhe njohës të çështjeve politike, kanë thënë se beteja juaj për reformimin e PDSH-së është e drejtë, por tepër e vështirë. Si do ta komentonit këtë konstatim? 

Ziadin Sela: Betejat e drejta janë të vështira, ndërsa vetë fakti që kjo betejë është tepër e vështirë, atëherë është tepër e drejtë dhe e domosdoshme.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button