Putin: Rreziku bërthamor po rritet, por ne nuk jemi çmendur

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se kërcënimi i një lufte bërthamore është duke u rritur, mirëpo ka insistuar se Rusia “nuk është çmendur” dhe nuk do ta përdorë e para armën bërthamore.

Sipas Putinit, Rusia do ta përdorë armën e shkatërrimit në masë vetëm si kundërpërgjigje ndaj një sulmi, transmeton REL.

Duke folur në takimin e Këshillit rus për të Drejta të Njeriut, ai ka thënë se lufta në Ukrainë mund të jetë “proces i gjatë”.

Zyrtarët perëndimorë besojnë se Putin fillimisht ka planifikuar fitore të shpejtë në konfliktin e nisur në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Kapaciteti i Rusisë për të përdorur armë bërthamore ka shqetësuar shumë liderë botërorë prej nisjes së luftës.

“Një kërcënim i tillë po rritet, është gabim nëse e fshehim”, ka paralajmëruar Putin, derisa ka folur për luftën përmes video-lidhjes.

Putin ka pretenduar se Rusia e ka armën më moderne dhe më të avancuar bërthamore në botë dhe ka kritikuar strategjinë bërthamore amerikane.

“Ne nuk kemi armë bërthamore, përfshirë ato taktike, në territorin e shteteve tjera, mirëpo amerikanët kanë – në Turqi dhe disa vende tjera të Evropës”.

Putin ka përmendur ato që i ka konsideruar rezultate “të mëdha” në luftën në Ukrainë, duke përmendur pretendimet e Rusisë për aneksim të katër rajoneve në Ukrainë, pas mbajtjes së referendumeve të rreme.

Ai ka thënë se aneksimet e kanë bërë Detin Azov, një “det të brendshëm”, dhe se ky ka qenë synim i Petrit të Madh të Rusisë.

Putin e ka krahasuar veten edhe më parë me këtë udhëheqës të shekullit 17-të dhe 18-të.

Por, pavarësisht pretendimeve për këto katër territore – Herson, Zaporizhja, Luhansk dhe Donjeck – Moska nuk ka kontroll të plotë mbi to.

Muajin e kaluar, forcat ruse janë tërhequr nga qyteti i Hersonit, njëherësh qyteti i vetëm i madh që kanë kontrolluar prej shpërthimit të luftës.

Zmbrapsjet në fushëbetejë kanë nxitur Rusinë që të bombardojë infrastrukturën ukrainase të energjisë, duke lënë miliona njerëz pa rrymë dhe ujë, teksa temperaturat kanë arritur nën zero.

Kryetari i qytetit të Kievit, Vitali Klitschko, ka paralajmëruar se kryeqyteti ukrainas është dëmtuar rëndë nga këto sulme dhe se qytetarët mund të përballen me “apokalips”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button