Në pritje të shpëtimtarëve

Javët e fundit do të mbeten të njohura në historinë më të re të RMV si javët e skandaleve të gjyqësorit. Çdo ditë publikohen lajme që kanë të bëjnë me ndonjë ngjarje problematike dhe kontroverse të gjyqësisë, dorëheqje nga pozitat e larta të institucioneve të gjyqësisë brenda një periudhe shumë të shkurtër, akuza dhe indicie për korrupsion dhe shumë parregullsi të tjera në procese të rëndësishme që lidhen me gjyqësinë. E si për ironi, pikërisht gjatë këtyre javëve ka vazhduar procesi i skriningut të institucioneve të RMV që kanë të bëjnë me gjyqësorin, dhe në proces të shqyrtimit të obligimeve që dalin nga Kapitulli 23 që ka të bëjë me gjyqësinë dhe të drejtat themelore të njeriut. Dhe në fund, që fotografia të jetë e plotë, java po mbaron nën përshtypjet e njoftimit të Ambasadores së SHBA në RMV se një ekip i përforcuar nga SHBA do të udhëtojë në RMV për të na ndihmuar të luftojmë me korrupsionin sepse duhet të ketë më tepër akuza dhe më tepër gjykime për korrupsionin e funksionarëve të lartë shtetërorë, nga e kaluara dhe nga e tashmja.

Sërish, shpëtimi duhet të vijë nga jashtë dhe jo nga brenda. Sërish jemi në pritje të ekipit të fuqishëm që përfundimisht do ta zgjedhë problemin e korrupsionit në RMV. Sërish jemi në pritje të një Deus ex machina që duhet të na i zgjedhë të gjitha problemet që ne e dimë se i kemi por shtiremi kinse nuk i kemi dhe kinse nuk e dimë që i kemi. Deri kur do të presim shpëtimtarë nga jashtë duke ndenjur duarkryq, ose më mirë thënë, duke bërë të pamundurën që sa më shumë ta ngatërrojmë situatën, aq sa askush të mos mundet të gjejë zgjidhje, me gjithë vullnetin e mirë?!

Herën e fundit që SHBA na ndihmoi t’i zgjidhim problemet e gjyqësorit tonë duke ndërtuar institucion krejtësisht të ri, ishte koha kur u themelua Prokuroria Speciale. E mbaj mend euforinë e atëhershme, entuziazmin e të gjithë prokurorëve dhe hetuesve që u kyçën në këtë punë, bindjen e tyre se përfundimisht korrupsionit i ka ardhur fundi dhe se drejtësia do të mbizotërojë. Dhe për një kohë vërtet ishte ashtu. Për herë të parë pamë se si mund të funksionojë si i pavarur një institucion i gjyqësisë, se si me kompetencë dhe dije mund të zgjidhen edhe rastet më të rënda, se si me guxim dhe kurajo mund të hetohen edhe rastet që askush nuk dëshiron asnjëherë ti hetojë. Dhe në fund çfarë ndodhi? Edhe ajo shpresë e fundit u shua, dhe kryesuesja e asaj prokurorie prestigjioze përfundoi vetë në kthetrat e korrupsionit për çka tani është duke vuajtur dënimin bashkë me ata të cilat ajo vetë i ndoqi dhe i akuzoi.

Tani, vite më pas, ne sërish presim shpëtimtarët të na vinë nga jashtë. Partnerët tanë strategjikë në perëndim, e veçanërisht SHBA na kanë ndihmuar shumë në vendosjen e standardeve në gjyqësor. Aq shumë grante janë realizuar, aq shumë gjyqtarë e prokurorë e avokatë e pjesëtarë të Këshillit gjyqësor e të Këshillit të prokurorëve publikë e të Akademisë për gjyqtarë dhe prokurorë kanë shkuar në vizita studimore në SHBA, në trajnime dhe programe të dizajnuara në mënyrë speciale për to, sa që vështirë mund të themi që gjyqësori jonë nuk e ka përgatitjen e nevojshme për t’u përballur me rastet e korrupsionit. Aq shumë ligjërues të huaj kanë ligjëruar dhe kanë ndarë eksperiencat e tyre me institucionet tona dhe i kanë trajnuar pjesëtarët e gjyqësorit për atë se si duhet të zbatohet ligji sa që vërtet është i kuptueshëm zhgënjimi i ambasadorëve me gjendjen e gjyqësorit tonë edhe pas të gjitha investimeve që shtetet e tyre i kanë bërë këtu. E megjithatë duket se tabloja nuk është e plotë pa një element esencial: vullnetin tonë të sinqertë për të bërë ndryshim dhe për ta përmirësuar një herë e mirë këtë gjendje.

Thonë që bukuria nuk vjen nga tretmanet e ndryshme kozmetike që njeriu mund ti bëjë, por vjen nga brenda. Si duket edhe drejtësia nuk vjen nga jashtë por duhet të vijë nga brenda, ashtu si edhe bukuria. Nuk ka ndihmë, trajnim, program studimor e as vizitë në institucione që mund të ndajnë eksperienca të mira që mund ta ndihmojë gjyqësorin tonë në qoftë se vet gjyqësori nuk dëshiron ta ndihmojë vetveten. Sepse aq shumë reforma janë bërë, aq shumë ligje janë ndryshuar, aq shumë procese janë perfeksionuar, e gjyqësori jonë megjithatë tronditet skandal pas skandali. Në mënyrë që drejtësia të funksionojë dhe sundimi i së drejtës të jetësohet, duhet që vet gjyqësori jonë të besojë në drejtësi dhe ta zbatojë atë, pa përjashtime dhe pa hezitim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button