Spasovski: Kërcënimet e sotme me bomba janë shembull tjetër i kërcënimit hibrid

Kërcënimet e sotme me bomba janë shembull klasik i kërcënimit hibrid, tha sot ministri Oliver Spasovski. Sipas tij, në shumë vende janë ndryshuar protokollet në të cilat përcaktohet shkalla e realitetit të kërcënimit përpara se të merren masa. Ai tha se kanë biseduar me Komitetin Kombëtar për Luftën kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm dhe pritet që të ndërmerren veprime për ndryshimin e protokolleve edhe në vend, transmeton Portalb.mk.

Mëngjesin e sotëm në adresat elektronike të nëntë shkollave të mesme është raportuar për bomba. Banka Popullore mori gjithashtu email kërcënues.

Në përmbajtjen e e-mailit të siguruar nga Meta.mk, i cili u është dërguar shkollave, dërguesi i nënshkruar si “Levitsa Objava”, ka shkruar se qëllimi është shkatërrimi i objektit të shkollës, ndërsa ekziston edhe kërcënimi se ata do të rrëzojnë Qeverinë e RMV-së pa detaje të mëtejshme se çfarë saktësisht nënkuptohet.

Ministria e Punëve të Brendshme më herët informoi se alarmet e sotme për bomba në nëntë shkolla në Shkup dhe Bankën Popullore ishin të rreme dhe se menjëherë pas marrjes së denoncimit janë marrë masat për evakuimin e sigurt të objekteve dhe më pas janë kryer kontrolle të hollësishme nga grupet e inspektimit antiterror.

Përndryshe, nga 26 tetori në SPB Shkup disa herë është denoncuar se email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Nga Ministria e Punëve të Brendshme informuan se të gjitha paraqitjet kanë qenë të rrejshme.

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski njoftoi se mesazhet janë lëshuar nga jashtë shtetit.

Spasovski më 19 nëntor deklaroi se së shpejti do të ketë rezultate nga hetimi për paralajmërime për bomba, të cilat krijojnë shqetësim në opinion tashmë një kohë të gjatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button